Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Gjon BUÇAJ: Çmimi i ekselencës, vlerësim për organizatën “Vatra”

 

“Albanian Exellence” nderoi me 20 tetor 2017 tre shqiptaro-amerikanë, ish kryetarin e Federatës Panshqiptare te Amerikes “Vatra” dr. Gjon Bucaj, gjuhëtaren dhe autoren e disa botimeve Donika Boçi, si dhe gazetaren e njohur të “Zërit të Amerikës”, Laura Konda.
Të nderuarit me çmimin e Exelencës kanë falenderuar presidenten Flora Nikolla për vlerësimin. Në emër të kryetarit Buçaj çmimin e ka marrë I biri Alexander Buçaj, I cili ka lexuar edhe letrën që dr. Buçaj I ka drejtuar presidenten e Nikolla. Këtë letër e disponon dhe gazeta Dielli, të cilën po e publikojmë të plotë:
Washington, 20 tetor 2017
E nderueme zonja Nikolla,
Ju falënderoj shumë për këtë nderim, të cilin po e marr ma tepër si vleresim për Vatrën se sa për mue përsonalisht, dhe me vetëdije për vlerën e “Albanian Excellence”, si projekt për pasqyrimin e suksesit shqiptar.
Libri i juej “100 histori suksesi në 100 vjetorin e pavarësisë” dhe aktiviteti i “Albanian Excellence”, përveç pasqyrimit, kanë edhe synimin me inkurajue dhe me ngritë suksesin drejt shkëlqimit në profesione të ndryshëme dhe tek talenti individual. Nji aktivitet si ky mund t’a ketë vështirë me i shpëtue kritikës për subjektivizëm, por asht nismë kulturore e qëllueme dhe Vatra e ka vëlersue si proces që ndjek dinamikën e vetë suksesit.
Diaspora ka nevojë për nji ndërlidhje të gjithanëshme e të shëndoshë me vendlindjen, mbas nji shkëputjeje të dhimëshme afër 50 vjeçare. Në përgjithësi shoqnia shqiptare atje, qoftë ajo politike, kulturore apo artistike, asht ende e pashërueme nga sëmundja e ideologjisë së huej, megjithate asht përshtypja se kultura, me nisma individuale, ka ba disa hapa konkretë ma të dobishëm se politika, në drejtim të kësaj lidhjeje të shëndoshë, e dëshmi e kësaj asht edhe kjo puna e juej, e lirë nga ideologjia.
Çka nuk ka nevojë diaspora dhe nuk duhet t’i vijë nga vendlindja, asht polarizimi politik, pse na e shohim atdheun si nji tanësi dhe jo të ndamë në segmente politike përherë në konflikt. Diaspora asht nga të gjitha trojet shqiptare dhe politika duhet t’a trajtojë si të tillë. Lajmet nga vendlindja për korrupsion e për krim galopant na lodhin shpirtnisht, kurse aktivitete kulturore si kjo e jueja e ushqejnë sadopak optimizmin tonë për të ardhmen, prandej janë të mirëseardhuna.
Fotografia e Dielli Vatra

Fotografia e Dielli Vatra

Please follow and like us: