Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Më tronditi lajmi për vrasjen e çiftit Kosta në Gjirokastër

Më tronditi lajmi për vrasjen e çiftit Kosta në Gjirokastër. Lekon e kisha mik në FB. Meloditë e saksit të tij janë bërë pjesë e gjërave të bukura të rinisë sime.

Fytyrë fisnike dhe e bukur, shpirt artisti, veshje e shkujdesur por korrekte dhe me shije. Mbi të gjitha njerëzillëk dhe thjeshtësi komunikimi. Gjithçka të kujtonte jetën, gjallërinë.

Por vdekja erdhi papritur. Vrasje barbare për një mur.

Pas tronditjes së parë, të vjen ndër mend se tek ne ka shumë vrasje për gjëra të vogla, për një gardh, për një vijë uji. Për gjëpogjëra, do thoshin të moshuarat gjirokastrite.

Vështirë të thuash ku i ka rrënjët lehtësia me të cilën ia marrim jetën tjetrit.

Një shpjegim mund të jetë koha. Jetojmë në një krizë të stërzgjatur, në një tranzicion që s’po i duket fundi. Halle me thes! Edhe stresi, nervozizmi dhe agresiviteti vijnë me thes.

Vrasjet për hiç gjë mund të shpjegohen edhe me faktin që qysh nga 1997-a i kemi armët sheshit. Nxehesh, vete e rrëmben kallashin dhe kthehesh e bën gjëmën. Por një pjesë e vrasjeve po bëhen edhe me thika, si të therje berrin.

Mbase e vrasim tjetrin lehtësisht nga që lidhjet me fenë i kemi të zbehta dhe shpesh të munguara. Të gjitha fetë kanë në themel disa porosi morale. “Mos vra” renditet ndër të kreut.

Shkolla dhe media kanë kusure të mëdha në brumosjen me norma humaniste. Po të flisnim për to, do na duheshin netë dimri.

Thonë se vrasjet për hiçmosgjë lidhen me cilësinë e ulët të jetës. Sa më e lartë cilësia, aq më e çmuar jeta. Si çdo mall… Ndjesë për cinizmin!

Mbase lehtësia e papërballueshme për të vrarë lidhet me konfliktualitetin politik. Baballarët e Kombit, vriten e priten. Jo për flamur, por për të marrë vota e për të dhenë tendera e konçensione. Nuk vriten me jatagan a kallash, por me fjalë. Dmth vriten e priten me gjasme apo simbolikisht.

Parë kështu, vështirë të thuash se konfliktualiteti politik nxit direkt vrasjet. Gjithsesi është e sigurt që rrit agresivitetin. Dhe agresiviteti është sera ku rriten e harlisen vrasjet e ardhshme.

Gjendja është e trishtueshme. Mos pyet për kë bie kambana. Sot bie për Afërditën e Lekon. Me dhimbje e trishtim. Si një klithmë saksi nëpër natë.

Por të jesh i bindur se bie edhe për mua e për ty, për një shoqëri në krizë morale.

Please follow and like us: