Albspirit

Media/News/Publishing

Edi Rama është në hall, por duhet të kërkojë falje menjëherë!

Enver Robelli

Duhet pasur mëshirë me Edi Ramën. Me vite të tëra e ka lavdëruar Saimir Tahirin si ministrin më të mirë të punëve të Brendshme që ka pasur Shqipëria ndonjëherë, ndërsa tani një rrebesh akuzash serioze kanë rënë mbi Tahirin dhe rrjedhimisht edhe mbi Ramën, i cili ka qenë shef i tij. Që tani mund të thuhet me bindje të plotë se qeverisja e Ramës do të mbahet në mend veçanërisht për «aferën Tahiri». Nuk është pak nëse një bandë e drogës disa herë në telefonata përmend me emër ministrin e Brendshëm, shëtit gjithandej me veturën në emër të tij, të cilën, ta hajë dreqi, ministri paskësh harruar t’ia kalojë në pronësi ca kushërinjve «të largët».

Rama po ballafaqohet me skandalin mbase më të madh të qeverisjes së tij. Në vend se të ulte kokën dhe të përpiqej të bënte aleat mediat në betejën për transparencë, Edi Rama ka hyrë thellë në batakun e baltës ballkanike dhe sot, jo për herë të parë, ka fyer rëndë dhe pa dallim të gjithë gazetarët, të gjitha mediat, gazetat, televizionet, radiot, portalet, revistat, agjencitë e lajmeve.

Gjuha që përdori Rama ishte plot fyerje, ofendime, kërcënime, tallje, shpifje. Ishte një tentim burracak për të baltosur ata që më së paku kanë faje për hallin që e ka gjetur Edi Ramën. Gazetarët nuk janë njerëz të veçantë, as nuk duhet të trajtohen në mënyrë të posaçme nga shteti apo opinioni, ka jo pak gazetarë që s’janë fare gazetarë, por përfaqësues interesash të klaneve mafioze. Edi Rama do të bënte mirë t’i denonconte ata. Por, jo t’i sulmonte në mënyrë paushalle të gjithë punonjësit e mediave vetëm pse tani e ka një hall të madh.

Gjuha e Ramës është një demonstrim i një trumpizmi të stilit të Tiranës që të kujton bretkosën, e cila çon këmbën pasi sheh nallbanin duke mbathur kalin. Se ku të çojnë fjalimet e pamenduara mirë, Rama e ka parë vetë: para zgjedhjeve në Amerikë ai doli në CNN për të paralajmëruar dynjanë se po të zgjidhej Donald Trumpi president do bëhej hataja. Kur u zgjodh ai kokëbjondi, Rama tha se ishte një pikë uji në oqean, tepër i vogël për të folur për këto tema të mëdha.

Ofendimet që ua bëri gazetarëve duket se janë pjesë e një kalkulimi të Ramës për të hequr vëmendjen e opinionit nga kriza me të cilën po ballafaqohet, duke ndezur një luftë verbale me mediat. Nëse shpresa e Ramës është se kështu do të harrohet çështja Tahiri, atëherë ka gabuar rëndë. Mediat nuk duhet të harrojnë asnjë skandal. As Gërdecin e Sali Berishës dhe kotillës së tij, as 21 janarin dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm, as veprat patriotike të Lulzim Bashës mes Milotit dhe Morinit.

Pas ofendimeve të fundit gazetarët shqiptarë duhet të marrin një vendim: të bojkotojnë kryeministrin nëse ai nuk kërkon falje. Ka shembuj në rajon. Në vitet ’90 gazetarët e pavarur serbë patën bojkotuar një politikan sherrxhi. Duhet lënë Edi Ramën të flasë si Hugo Chavezi nga 4 apo 5 orë në televizion, pandërprerë. Chavezi kishte emisionin «Alo Presidente», Rama të fillojë të drejtojë emisionin «Zëri i së vërtetës nga Saranda në Strugë e deri në Suharekë». Le të fillojnë Monologët e Edi Ramës. Ndërkohë mediat duhet të kryejnë punën e tyre: hulumtimin sa më të gjithanshëm të të gjitha aferave potencialisht korruptive apo kriminale të kësaj dhe të qeverive të tjera. Por, njëkohësisht edhe mediat duhet të pastrojnë radhët e veta. Nuk janë katedrale. Megjithatë, kjo çfarë tha sot Edi Rama është e papranueshme për një vend që synon të anëtarësohet në BE.

Please follow and like us: