Albspirit

Media/News/Publishing

Shkarkohen e çohen për ndjekje penale drejtorët e burgjeve

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj lajmëroi mesditën e së shtunës një nga rrokadat më të mëdha që kanë ndodhur ndonjëherë në historinë e sistemit të burgjerve në vendin tonë. Janë shkarkuar nga detyra dhe janë kallëzuar në prokuroritë përkatëse 8 drejtorë burgjesh për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv. Vetë ministrja Gjonaj ka bërë publike disa nga shkeljet e konstatuara. “Jane konstatuar shkelje që, jo vetëm kanë dëmtuar funksionimin e sistemit, por kanë rrezikuar edhe sigurinë e burgjeve. Jane mbi 150 shkelje vetëm në periudhën korrik-tetor të këtij viti, nga të cilat 6 raste të futjes së lëndëve narkotike dhe pjesa tjetër për futjen e sendeve të ndaluara si celularë, pije alkoolike etj”, tha ministrja Gjonaj. Nga shkeljet e konstatuara pjesën më të madhe me 88 raste e ka burgu i Peqinit, ndërsa prokuroria e Elbasanit ka hapur 90 procedime penale për shkeljet në burgje. Përveç drejtuesve të shkarkuar dhe të denoncuar penalisht, ministrja Gjonaj paralajmëroi se mosreagimi i paraardhësve të saj në ministrin e Drejtësisë ndaj kësaj situate do të jetë pjese e punës e organeve ligjzbatuese. Ndërkohë deri në zgjedhjen e drejtuesve të rinj të burgjeve nëpërmjet konkurseve, në postet e tyre janë komanduar persona me integritet dhe karrierë të pasur në sistemin e burgjeve.

Please follow and like us: