Albspirit

Media/News/Publishing

Adelajda më trishtove e do më mbajë gjatë dhimbja për shumë arsye…

Sonila Meço

Vjen ashtu e çakërryer ndonjëherë, nuk zgjedh, nuk respekton moshë, të mira të kryera, pasuri shpirtërore a materiale…

Dhe na shndërron në të pafuqishëm.
Të gjithëve…edhe sikur në një sekondë, pasi dëgjon për vdekjen e dikujt, sado i largët e i panjohur, ndjen një shtrëngim në gjoks e mendon për atë dhimbjen bezdisëse që ke kohë pa e kontrrolluar, për fëmijët, për atë ngacmimin që të zë papritur në stomak, për një mavijosje pa shkak diku në trup…dhe ikën e zerohet gjithçka tjetër.

Dikush e merr veten shpejt e vrik celularin për t’i nxirë jetën ati plehrës që i ka bllokuar karrierën, dikush për të mallkuar kë e braktisi, ndonjë për të sharë politikën, një tjetër për t’u qarë për fatin e tjetrit e një për të vrarë. Të tjerë më ngadalë i kthehen vetes lënë pas dore, fëmijëve që i presin të luajnë, mikut, prindit që është kërrusur asaj pleqërie të vrazhdë.

Por tek të gjithë, edhe ai në dukje më i pashpirti ka një dhimbje fshehur nesh për dashuritë që nuk shprehim dot, që mblidhet fytit e rrëzë syve për të zënë vend diku në kokë për të ngacmuar dikur si ankth i akumuluar. Ne do ta kemi harruar arsyen, do t’i përveshemi stresit e halleve, derisa ajo e çakërryer do të marrë tjetrin, duke na kujtuar orët që na kanë mbetur.

Adelajda më trishtove e do më mbajë gjatë dhimbja për shumë arsye, por nga lart ku na sheh tani e me kujtimin që le këtu poshtë shpëtofsh sadopak ndërgjegje për të kthyer vëmendjen tek vetja, tek dashuritë, tek të shtrenjtët. Sepse ikja jote na kujton se nuk ka radhë kur ajo bujt, as kritere e as dhembshuri.

Screenshot_7.jpg

Please follow and like us: