Albspirit

Media/News/Publishing

CIA zbardh sulmin ndaj ambasadës sovjetike më 1951, dy agjentë të Sigurimit hodhën granata qëllimisht

CIA ka nxjerrë të tjera detaje mbi sulmin ndaj ambasadës sovjetike më 1951. Edhe pse në atë kohë u cilësua si një sulm nga kundërshtarët e regjimit, për amerikanët nuk ka ndodhur aspak kështu. Sipas CIA, sulmi u bë nga dy agjentë të Sigurimit të Shtetit dhe e gjitha u bë për të ekzekutuar ose arrestuar një grup të caktuar personash. Sipas CIA, Sigurimi kishte bërë një listë me emrat që ishin kundërshtarë të regjimit dhe pasi u konsultua me Moskën ndodhi sulmi dhe ata u arrestuan.

Qershor 1948: Lufta guerile greke

Ofensiva e shumëpritur e ushtrisë greke ndaj qendrës së guerilasve komunistë në zonë e maleve të Gramozit, në ditët e para ka qenë inkonkluzive. Si guerilasit dhe ushtria e dinë se nga ky operacion do të varet e ardhmja e rebelimit, prandaj të dyja palët po luftojnë me maturi por të vendosur. Forcat e ushtrisë numërojnë rreth 70 000 njerëz dhe kanë pajisje dhe armatime superiore, ndërsa guerrilët rreth 7500 në numër, kanë avantazhin e terrenit të ashpër, pozicioneve të përgatitura, hapësirave të shumta të minuara dhe mbajtjen e sigurisë në anën shqiptare të kufirit. Ka pasur raportime të rasteve të tërheqjes së guerrilëve të rrethuar në Shqipëri, dhe kthim i tyre për të sumluar ushtrinë nga krahët ose nga prapa. Koha e saktë në të cilët njësitë e ushtrisë u vendosën në pozicionet e tyre fillestare tregon se operacioni është i planifikuar mirë, me gjithë pozicionin e ashpër që ata po hasin. Por testi më i vështirë do të jetë nëse ushtria mund të rrethojë pjesën kufitare me Shqipërinë në mënyrë që të parandalojë tërheqjen dhe rigrupimin e guerilasve pas mësymjes. Pranë pjesës jugore të kufirit me Shqipërinë, ushtria po mban nën kontroll rrugën Janinë-Konicë dhe po depërtojnë drejt veriut, paralelisht me kufirin. Sulmet drejt veriut kanë si qëllim parandalimin që guerrilasit të ndërhyjnë për të prishur avancimin e ushtrisë. Objektivi kryesor i fazës së parë është krijimi i lidhjes me dy pikave të sulmit kufitar dhe rrjedhimisht rrethimi i guerrilasve për të parandaluar kthimin e tyre në Shqipëri. Thuajse në të gjithë sektorët pjesa e prapme e ushtrisë është e kërcënuar nga forca të tjera guerile që mund të vijnë nga ashtë zonës operacionale.

Maj 1951: Raportime për ekzekutime të qytetarëve të Tiranës

Një natë maji në 1951 dy granata dore u lëshuan në kopshtin e ambasadës sovjetike në Tiranë. Fushata e reprezaljes nisi po atë natë kundër këtij “akti sabotazhi ndaj mikut të madh të popullit të Shqipërisë” me arrestimet e rreth 400 personave, kryesisht anëtarë të klasës intelektuale. Rreth treqind prej tyre raportohet të jenë ekzekutuar. Pjesa tjetër po mbahen në Burgun e Ri dhe Burgu e Vjetër të Sigurimit. Në ditët që pasuan familjarët e të arrestuarve endeshin nga njëri burg në tjetrin duke u përpjekur t’i gjenin për t’i dhënë ushqim. Ndër personat e ekzekutuar përfshiheshin: Ali Kaçeli, rreth 40-vjeç, pronar dyqani në Rrugën e Barrikadave. Ai jetonte në rrugën e Pishës me gruan dhe katër fëmijët, të cilët pas vdekjes së tij raportohet se ishin në gjendje të rëndë për bukën e gojës; F. Elezi, farmacist, që në vitin 1951 ishte i papunë. Ai ishte i martuar me një grua franceze dhe jetonte me të dhe dy fëmijët në rrugën e Durrësit. Kreu i Sigurimit të shtetit në Tiranë ishte Xhavit Struga. Nga 100 intelektualët e arrestuar, por jo të vrarë, gjashtë ishin liruar në nëntor 1951. Ekzekutimet dhe arrestimet janë urdhëruar nga ministria e Brendshme e Moskës, sipas listave të hartuara paraprakisht nga sigurimi. Në personat e arrestuar përfshihen ish-fashistë, por dhe shumë të pafajshëm që thjesht ishin intelektualë ose tregtarë me origjinë borgjeze. Kreu i Sigurimit të Tiranës Struga, i kishte dërguar listat te ministria e Moskës, e cila kishte kërkuar eliminimin e personave në fjalë në një mënyrë të përshtatshme, siç janë pretekstet për sulme sabotazhi ose krime kundër regjimit. Granatat në ambasadën sovjetike janë hedhur nga dy agjentë të Sigurimit, të cilët janë siguruar që ato të mos shkaktonin asnjë dëm.

Shkurt 1951: Fortifikime ushtarake

Gazeta turke Cumhuriyet

Në 1948, një grup oficerësh dhe inxhinierësh sovjetikë erdhën në qytetin e Vlorës, të shoqëruar nga asistentë civilë dhe specialistë të ushtrisë gjermane. Grupi sovjetik urdhëroi zbrazjen e menjëhershme të shtëpive më të mira në Vlorë që ata të vendoseshin në to. Specialistët kishin si qëllim marrjen e kontrollit nga sovjetikët të ngushticës së Vlorës dhe më vonë me fortifikimin e ishullit të Sazanit, në hyrje të gjirit të Vlorës. Ishulli i Sazanit ka një sipërfaqe shkëmbore prej 2.5 km katrorë. Ai është kryesisht granit si Gjibraltari dhe është i mbushur me tunele e shpella të hapura nga njeriu. Ishulli është vetëm 55 mije larg portit italian të Otrantos dhe një vendndodhje e përkryer për një bazë nëndetësesh. Me pozitën e tij ishulli mund të bllokojë hyrjen në Adriatik, ashtu si Gjibraltari që mund të bllokojë hyrjen në Mesdhe nga oqeani Atlantik. Raketat e lëshuara nga Sazani mund të godasin lehtësisht Otranton, e cila ka qenë baza më e madhe ushtarake e Italisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Galeritë e ishullit janë mirëmbajtur për të akomoduar mijëra ushtarë. Nëse pretendimet sovjetike mund të besohen, atëherë ata mund të kenë fortifikuar Sazanin edhe me mbrojtje kundra sulmeve me bombë atomike, teksa specialistët e tyre thonë se radiacioni atomik nuk e prek ishullin. Sipas informacioneve të organizatave perëndimore të spiunazhit, sovjetikët kanë instaluar artileri antiajrore në ishull. Gjiri i Vlorës është i mbrojtur gjithashtu nga lartësitë prej rreth 1000 metra të Karaburunit, ndërsa në veri Vlora ka këneta rreth 6-7 milje të gjera. Sipas refugjatëve të larguar nga Shqipëria drejt Italisë dhe Jugosllavisë, ekspertët gjermanë dhe sovjetikë po e kthejnë ishullin e Sazanit në një pikë të rëndësishme raketore dhe vetë Vlorën në një bazë gjigante ushtarake detare. Populli i Vlorës nuk është komunist dhe kur delegacioni i rëndësishëm sovjetik arriti në port, kryebashkiaku protestoi dhe në emër të banorëve kundërshtoi prezencën e gjermanëve mes sovjetikëve, prej mërive të kohës së luftës. Por Enver Hoxha i ndaloi këto akuza duke thënë se çdo protestë e mëtejshme ndaj sovjetikëve do të konsiderohej tradhti. Pas kësaj erdhën skuadrat e Ministrisë së Brendshme dhe e vunë të gjithë qytetin nën mbikëqyrje. Të gjithë banorët e Vlorës që nuk merrnin kuponët sovjetike u përjashtuan nga qyteti, ndërsa ata që mbetën në qytet nuk lejoheshin largoheshin pa leje të veçantë. Pas largimeve të personave të padëshiruar, anijet sovjetike nisën sjelljen e njerëzve, materialeve dhe pajisjeve. Mes punëtorëve të ardhur kishte dhe të dënuar nga kampe të largëta sovjetike. Popullata e Vlorës dhe e rrethinave të saj në një rreze prej 25 km, u urdhërua të regjistrohej për punë në projektet e ndërtimit, në të cilat u përfshinë dhe djem e vajza 12 apo 13 vjeçarë. Para luftës së Dytë Botërore, ekspertë ushtarakë gjermanë kishin vizituar bazën e Sazanit dhe kishin vendosur se instalimet ushtarake aty ishin të papërshtatshme, përveç galerive dhe hapësirave të brendshme të ndërtuara nga italianët që ishin në gjendje të përkryer. Sot të gjitha instilacionet janë përmirësuar dhe armatimet e vjetra janë zëvendësuar me modelet e fundit sovjetike. Janë ndërtuar sisteme raketore dhe kanale të fshehta lidhëse të tuneleve me detin. Në malet e Karaburunit janë instaluar gjithashtu njësi raketore ndërsa punime të tjera misterioze po kryhen me anë të të burgosurve në majë të malit të Kaninës. Këto të fundit besohet se do të jenë radarë. Instilacioni më i rëndësishëm i zonës është baza sovjetike e nëndetëseve. Brigjet e thepisura të Gjirit të Vlorës kanë zgavra të shumta natyrale, të cilat janë shndërruar në vendpushime nëndetësesh. Disa nëndetëse sovjetike janë vendosur tashmë në pikat e Pasha Limanit, të cilat besohet të jenë të tipit gjerman Ualther, të cilat u prodhuan nga fundi i luftës. Këto nëndetëse janë superiore ndaj Shnorkels dhe kanë një shpejtësi prej 26 milje në orë. Nuk dihet se sa nëndetëse gjermane Uelther zotërojnë sovjetikët, por numri i tyre llogaritet në rreth 200 dhe të tjera janë në ndërtim. Sipas specialistëve, në Vlorë mund të mbahen deri në 60 nëndetëse Ualther. Megjithëse prishja me Jugosllavinë e Titos ka ndërprerë komunikimin direkt me Shqipërinë, sovjetikët tashmë ruajnë komunikimet me rrugë ajrore. Avionët sovjetik të transportit TU-2 me katër motorë, bëjnë fluturime të përditshme nga Budapesti, Sofia dhe Tirana.

Gusht 1953: Energjia hidrike, nafta portet

Puna ka vazhduar për përfitimin e energjisë hidrike nga lumi Mat. Ky është një lum i shpejtë malor i cili në kulmin e sezonit del nga shtrati i tij dhe përmbyt tokat dhe prodhimet e fshatarëve të zonave. Në kuadër të planit pesë-vjeçar në verën e 1952 nisi puna planifikuese për ndërtimin e digës së hidrocentralit të Matit në fshatin e Ulzës, që do të quhet Enver Hoxha. Diga do të jetë 60 metra  e lartë dhe 200 meta e gjatë dhe do të formojë një rezervuar artificial me sipërfaqe rreth 20 kilometra katrorë. Mijëra vullnetarë të rinj kanë nisur punën e ndërtimit, fillimisht të rrugës prej 40 km në terrenin e vështirë malor. Lumi Mat buron mes dy shkëmbinjve të thepisur rreth 130 metra të lartë, ndërsa rruga kalon në një terren rreth 70 metra mbi nivelin e detit. Rruga po hapet me anë të shpërthimeve dhe punës së vështirë të vullnetarëve.

Rafineria e Cërrikut

Rafineria e naftës në Cërrik është në nga projektet e mëdha të planit pesëvjeçar. Puna ka nisur për ndërtimin e ambienteve të banimit të punëtorëve e specialistëve. Fshati i ri do të ketë 1000 apartamente banimi, shkolla, qendra mjekësore  dhe një stadium sportesh. Me gjithë rafinerinë territori do të përfshijë 120 hektarë. Qendra industriale do të jetë e lidhur me Durrësin e Tiranën me një hekurudhë prej 7 kilometrash. Metodat sovjetike Kulikov dhe Levchenko-Mukanov janë plaikuar me sukses dhe shumë nga punonjësit tashmë janë bërë specialistë.

Durrësit kthehet në një port madhor të Adriatikut

Porti shqiptar i Durrësit është kthyer kohët e fundit në një pikë të rëndësishme transiti teksa anije polake e sovjetike sjellin lokomotiva, motorë, kamionë dhe vetura pasagjerësh nga Çekosllovakia dhe Gjermania demokratike. Ndërsa anijet bullgare e rumune sjellin çimento, letër, vinça, produkte nafte dhe pajisje elektrike. Anijet sovjetike Chiaturi, Kuban, Kotovski dhe Voroshilov sjellin traktorë, pajisje industriale, tekstile dhe prodhime ushqimore. Edhe sot Jugosllavia e Titos vazhdon ta grabisë Shqipërinë. Ajo ka vjedhur nga porti i Durrësit një vinç detar pluskues me fuqi ngritëse 70 ton, si dhe anijen shqiptare Borova. Jugosllavët gjithmonë kanë përpjekur ta shkatërrojnë Durrësin. Me ndihmën e BRSS, qeveria shqiptare e ka rinovuar portin me vinça të rinj dhe ambiente ankorimi. Hidrocentrali i ri Lenin, furnizon Durrësin me energji elektrike, duke shtuar masën e punës.

Mars 1953: Ekonomi, të dhëna mbi industrinë tekstile

Sipas të përditshmes gjermano-lindore Aussenhandels Nachrishten, më 25 tetor 1952, industria tekstile shqiptare plotësoi planin e prodhimit parë nëntë muajt e parë të vitit. Në krahasim me të njëjtën preriudhë të viti 1951, industria prodhoi shtatë herë më shumë copa të tipeve të ndryshme. Dyqanet shtetërore dhe kooperativat i kanë ofruar blerësve në 1952 28 tipe copash lisho dhe me motive të printuara, shumica e të cilave të prodhuara nga kombinati tekstil Stalin, thuhet në gazetë. Ndërsa punonjësit e industrisë u kanë dhënë klientëve 5 për qind më shumë mallra të thurura dhe çorape, që më parë vinin nga importi. Gazeta thotë se industria tekstile ka pasur zhvillim të mëdha që prej viteve të çlirimit, me ndërtimin e fabrikave të reja dhe rritjen e kapacitetit të atyre ekzistuese. Prodhimi tekstil në 1951 ishte 15 herë më i madh se ai në vitin 1938. Në një edicion të mëparshëm Aussenhandels Nachrishten ka raportuar se gjatë planit pesë-vjeçar 1951-1955 prodhimi tekstil shqiptar do të rritej me 19 herë në krahasim me atë të para-luftës. Kombinati modern tekstil në Tiranë është i pajisur me makineri të fjalës së fundit sovjetike dhe ka hedhur themelet e prodhimit tekstil të shkallës së gjerë. Gazeta raporton se kapaciteti i prodhimit të saj është 20 milionë metra copë pambuku në vit, duke plotësuar kështu të gjitha nevojat e brendshme të Shqipërisë. Më 27 maj Zëri i Popullit raportoi se përmirësimet teknike të kombinatit kishin shtuar ndjeshëm prodhimin dhe makineritë që më parë operoheshin nga tre ose katër persona tashmë mund të funksionojnë vetëm me një. Gazeta thoshte se tre detyrat kryesore të komunistëve drejtues të kombinatit ishin realizimi i planti pesë-vjeçar, mbajtja e makinerive në funksion dhe përvetësimi i teknikave të reja. Gazeta shtonte se në një takim të organizatës së partisë ishin kritikuar disa funksionarë të kombinatit që kishin lejuar dëmtimin e makinerive dhe rrjedhimisht reduktimin e prodhimit. Në një nga shembujt e cituar, një nga inxhinierët Nazir Shkurti, i cili kishte neglizhuar inspektimet e makinerive, kishte lejuar konsumin e një teli të makinerisë. Organizata e partisë kritikoi sindikatën dhe vendosi shtimin e frymës së punës dhe rivalitetin socialist mes sektorëve të kombinatit. Edhe në kombinatin tekstil të Shkodrës me 92 punëtorë, aplikimi i metodave të fundit sovjetike ka dhënë rezultate të kënaqshme. Metodat e prodhimit si Levchenko-Mukanov dhe Afganova-Zhandarova kanë bërë që plani të realizohet e madje duke kursyer rreth 237 000 lekë në një periudhë 11-mujore. Zëri i Populit citonte shembullin e Lirie Kallogerit, që kishte nisur punë në kombinatin e Shkodrës kur ishte 15 vjeçe, dhe tani ishte një nga përdoruset e para të metodës Levchenko-Mukanov dhe katër metodave të tjera sovjetike të thurrjes për lidhjen e fijeve dhe parandalimit të firove.

Krimbat e mëndafshit

Zëri i Popullit raportonte më 30 maj se rritja e krimbave të mëndafshit është një aktivitet tradicional për gratë të zonës së Krujës, të cilat në 1951 kanë prodhuar 800 gramë vezë krimbash, dhe në 1952, 1245 gramë. Gazeta shkruante se punonjësit e zyrës veterinare të partisë deh organizatat e grave i kishin kushtuar vëmendje të veçantë kësaj fushe. Kolektivat e grave nisën prodhimin e mëndafshit në maj 1952 me rezultate pozitive në lokalitetet Gashë Qese, Xunia Pistole dhe Hani Dema. Sipas Zërit të Popullit, në 1951 një gramë vezë krimbash prodhonte 2 kg mëndafsh. Tana Veseli, e cila kishte përftuar 2 kg mëndafsh nga çdo gramë vezë, i ka shitur kooperativës 17 kg mëndafsh dhe ka përfituar si shpërblim 31 metra copë, 6 kg sheqer, 6 kg sapun dhe 6 litra vajguri.

Gusht 1953: Situate ekonomike në tremujorin e parë 1953

Fushata e kohëve të fundit por huatë e detyrueshme ka bërë që popullsia të futet në borxh rreth 470 milionë lekë. Huat kanë shkaktuar vështirësi të shumta dhe kanë shtuar detyrimet mbi rrogat qesharake që qeveria ka caktuar. Kjo vjen në një kohë kur kostot e jetesës po shtohen, prandaj situata ekonomike mbetet shumë serioze për të mos thënë tragjike. Mungesat e artikujve ushqimorë janë të dukshme dhe gjendja e ushqimit është aq e vështirë sa dhe preshit janë futur në regjimin e racioneve. Buka është e cilësisë më të dobët dhe e vështirë për t’u ngrënë. Mishi është zhdukur nga tregu, ndërsa çmimi i mollëve ka arritur në 150 lekë për kg. Për të përballuar situatën e vështirë të ushqimit Këshilli i Ministrave ka miratuar sistemin e ri për klasifikimin e tokës. Kjo do të thotë se çdo fermer duhet t’i dorëzojë shtetit një masë të prodhimeve të ti sipas asaj që caktohet nga komisioni. Ndër masa të tjera përfshihen disa projekte tharjeje tokash, siç është këneta e Tërbufit në Korçë dhe kanalizime për ujiten e tokave si kanali Vjosë-Fier. Shumë projekte kanë nisur tashmë në fushën industriale. Fabrika e përpunimit të bitumit është ndërtuar në Selenicë, ashtu si dhe rafineria e naftës në Patos. Ndër projektet e qeverisë përfshihen modernizim i minierave, instalimi i pajisjeve të reja, ndërtimi i linjave elektrike, dhe vendosja e turbinave në hidrocentrale. Fillimisht materialet industriale janë sjellë në Shqipëri pa pagesë, por situata aktuale industriale ka ndryshuar dhe përkushtimet industriale të vendeve komuniste kanë bërë që të kërkohet të paktën pagesë e pjesshme.

Please follow and like us: