Albspirit

Media/News/Publishing

Greta Beqiri: E dashuroj atë ç’ka bëj – Pse paragjykon?

Njeriu është kryevepër e Zotit, e gazetaria një vepër arti e njeriut. Të dashurosh atë ç’ka bën, shpeshherë është e bukur, por kërkon shumë punë, vullnet, përkushtim dhe mbi të gjitha dashuri. Çdo gjë që ka si pikënisje dashurinë, lulëzon, triumfon dhe të ndjek çap pas çapi në hapat e tua, të së sotmes, së nesërmes dhe pëgjithmonë.

Kështu nisi dhe dashuria ime për artin e fjalës dhe shkrimin, për gazetarinë, në saj të dashurisë. Filloi si një ndienjë lozonjare, plot gabime dhe shkrime të lëna përgjysmë, me shterime mendimesh dhe mundime, por pa u dorëzuar. Diku aty, gjetkë në cepin tim të dhomës, gjendej një kosh modest, që pasditeve mbytej nën grumbuj letrash të zhubrosura, herë me gjurmë lotësh e herë të përngjyera me bojë stilolapsi, ku pas shumë përpjekjesh e dështimesh kjo rutinë “zënkeje dhe nervash”, u kthye në dashurinë time.

Të duash atë ç’ka bën, do të thotë të ndiehesh i lirë, të ndihesh vetvetja, të ndihesh TI! Të duash atë ç’ka bën, do të thotë të bësh atë që t’a do zemra dhe mendja pa u menduar dy herë, pa u stepur në hapa të mbrapshtë kundrejt paragjykimeve.

Jo pa qëllim e citova këtë fjalë, sepse vendin tonë post-komunist perëndimor ku jetojmë, kur vjen puna te paragjykimet, ndër të parat dama, pre e këtij fenomeni janë: Gruaja dhe Gazetaria. Një pyetje që më bren ndërgjegjen e më mundon është: “Pse kërkohet të hidhet gjithnjë baltë mbi të bukurën”? A mund të dalë kush e të më thojë, pse?! Edhe nëse vazhdoni heshtni, nuk ka problem,sidoqoftë pa një përgjigje timen, nga këto rreshta unë nuk largohem!

Po! Unë jam një grua dhe një gazetare! Më paragjyko! Balta nuk me bën pis, kur vjen nga duar të vrazhda dhe një kokë boshe.
Jam gazetare dhe e them me krenari, e ti buzët hiç mos i shtrembëro e mos i përvish, teksa më pyet se ç’profesion bëj.
Sot, gazetarë ka shumë, e të vertetë ka pak. Kush u bë gazetar prej hallit për një copë zanat, e kush u bë se i tillë lindi. Nëse në këtë univers ne jemi thjeshtë disa grimca rëre, ua siguroj që gazetaria është molekula e oksigjenit pa të cilën nuk ka jetë.

Për të gjithë ju që më njihni dhe s’më njihni, unë jam Gazetare. Një gazetare e re me shumë ëndrra dhe ambicie. Një ditë, apo natë qoftë, jam mëse e sigurt që nga kjo botë unë nuk do të largohem pa lënë gjurmë si e tillë, ciladoqoftë koha, apo shkaku im i largimit si pjesë e së gjallës. Për sa kohë frymoj, do të luftoj që zëri im të dëgjohet, media të thërrasë sikur njëherë të vetme në emrin tim. Pak ose aspak më njohin për atë ç’ka jam dhe bëj, por kur të rritem edhe ca, i premtoj vetes që më shumë do dëgjohet për mua, e për këdo tjetër që dashuron atë ç’ka bën. Nëse një ditë s’do frymoj aksidentalisht, ose pse ashtu do dojë forca e mbinatyrshme, krijuesi ynë, sërish gjurmët e mia do mbesin aty midis rreshtave të mi, dhe syve tuaj që lexuat.

Jeta është shumë e shkurtër të merreni me vogëlsira, andaj flakeni tutje guaskën e pesimizmit dhe shtrëngoni fort në gji atë ç’ka dashuroni të bëni. E ndërsa shpirtërat kritikë do vazhdojnë paragjykimet, unë po vë kufjet në vesh me pak muzikë të mirë, duke vazhduar para me optimizëm, punë dhe frymëzim.

Please follow and like us: