Albspirit

Media/News/Publishing

Përplasja e ashpër e Bedri Islamit me Artur Zhejin, që e akuzonte si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit

Gazeta “Dita” në kryeartikullin e datës 10 nëntor, me autor Bedri Islamin, i jepte të drejtë kreut të qeverisë për kritikat lidhur me profesionalizimin e medias. Mes të tjerash, Bedri Islami përmend dhe publicistin Artur Zheji, si ish- mik të Edi Ramës dhe bën një aludim për të kaluarën e Artur Zhejit. “Duke hipotekuar, sipas kësaj tradite, të marr guximin e të them se, për shembull , ka zëra se Zheji ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe nuk e besoj se ka qenë, se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja dhe nuk e besoj se ka qenë, se ka abuzuar rëndë me fondet kur ishte drejtor i Përgjithshëm i RTSH, dhe nuk e di nëse ka qenë e vërtetë…”,- shkruan Bedri Islami. Sot publicistit Artur Zheji, në një shkrim në portalin 360grade.al, i përgjigjet Bedri Islamit, por edhe gazetarëve dhe publicistëve të tjerë që janë përfshirë në debatin pro dhe kundër kryeministrit duke hedhur baltë mbi njëri-tjetrin. “Nëse duhet për të provuar se media është një kazan, ashtu si thotë kryeministri, zoti Islami, bëre mirë që më përmende. Po ta shkruaj ty dhe përmes teje edhe mjaft shkronjësve me penë të hollë apo të trashë të këtij fshati, që unë nuk kam qemë asnjë orë të jetës sime, as në kontaktin më të largët me Sigurimin e Shtetit, përveçse nëpër filmat e realizmit socialist. Dhe është shumë e thjeshtë prova dhe sprova Bedri, se ti merr vesh mirë nga këto punë. Është vetë kryeministri, që mund t’ju kënaqë kureshtjen dhe të nxjerrë ndonjë dosje. Mund të kem qenë në ndjekje, së bashku me prindërit e mi të ndjerë, por asnjëherë në kontakt, e aq më tepër në bashkëpunimin më të largët me ato fytyra të sikletshme”,- shkruan Zheji. Ndërkohë qëndrimeve të shprehura nga Zheji u është përgjigjur sërish publicisti Bedri Islami.

Më poshtë mund të lexoni replikat e dy publicistëve.

 

Bedri Islami: Përse e përmenda Artur Zhejin

 

Në shkrimin tim, botuar në DITA dhe përcjellë në disa portale të tjerë, mes tyre edhe “Koha Jonë”, kam përmendur njërin ndër gazetarët e njohur, Artur Zheji. E kam përmendur jo pa u menduar , e po ashtu, jo rastësisht. Kam patur disa arsye përse e kam bërë këtë. Megjithëse i gjithë shkrimi im, me idenë se gjithnjë e më tej media po bëhet e pabesuar, mund të qëndronte edhe pa shembullin që citova, përsëri, duke e marrë me mend se do të kishte një replikë, i qëndrova mendimit tim. Nuk kisha qenë i gabuar. Zheji bëri replikën e tij, e cila është e natyrshme, por edhe, mendoj, mirëdashëse, por jo për atë ide për të cilën kisha shkruar. Por, le të sqaroj përse e përmenda emrin e tij.

Së pari, Zheji është gazetari më i zgjuar dhe më i aftë mes gjithë atyre që, me arsye e pa arsye, janë rreshtuar ashpërsisht kundër qeverisjes së Ramës e më shumë kundër tij si figurë politike. Mendova se nëse duhej të merrja një shembull, duke e pasur të qartë për vete e  ndoshta edhe duke mos e sqaruar mirë, do të ishte ai i Zhejit. Në fund të fundit ia vlen të merresh me majat. Për shumë kohë Zheji ka qenë ndër gazetarët e besuar të vendit. Si korrespondent, në ato vende ku ka shërbyer, ka qenë brilant. Këtë e pranoj, edhe pa më sjellë emrat e disa nga miqtë e mi të afërt, sepse nuk kam nevojë për vërtetimin e tyre. Ndoshta, në atë kohë ata as që e njihnin Zhejin. Si pak të tjerë, i di punët që ka bërë Zheji në dobi të Kosovës. Edhe, nëse nuk do i përmendte, kjo është një vlerë në jetën e tij, por nuk më pengon që, sinqerisht, t’i them se, egërsia dhe mllefi nuk e bëjnë atë më të besuar, dhe kjo është tema për të cilën kam shkruar. Çfarë po ndodh aktualisht me vetë atë, Zhejin. Ai po kthehet në një gazetar i “lexueshëm”, ende pa filluar të flasë. Tashmë në diskursin e tij nuk ka asgjë të papritur, asgjë ndryshe nga të tjerët. Ai, çka nuk e kam pritur, po kthehet si të tjerët. Kur kthehet ai, çfarë pret nga një tufë mediokre, të cilët nuk e kanë vendin në gazetari? Dhe solla shembullin e tij.

Së dyti, Zheji i takon rrethit të ngushtë të miqve të dikurshëm të Ramës. Një ditë të ardhshme mund të jenë përsëri miq. Jo rastësisht, shumë nga miqtë e dikurshëm, sot janë ndër kundërshtarët e vazhdueshëm të tij. Dhe, më vjen keq, bën pjesë në atë rreth medial, i cili, edhe kur nuk gjen shkak, mjafton të flitet për Ramën dhe e shohin gjithçka në të zezë. Duke formuar kështu një bashkësi, të cilat, edhe kur kanë të drejtë, e humbin besueshmërinë e tyre, pasi, më shumë se sa fakti i zbardhur, sillet hamendja dhe zemërimi, e herë pas here, vreri. Unë nuk i takoj atij brumi që beson ende se Rama po bën mrekullira. Duhet të jesh naiv ose sylesh ta besosh këtë, por ende besoj se, ndër të tjerët që u vërvitën në garën e qershorit, ai ishte më i besueshëm se të tjerët, sidomos duke marrë parasysh se cilët kishte ballas tij. Dikush mund të hamendësojë se pas shkrimeve të mia qëndron interesi. Nuk i kam borxh qeverisë së Tiranës, por edhe të Prishtinës, asnjë cent të vetëm, dhe, megjithëse i emëruar si këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Thaçi, nuk paguhem për këtë.

Së treti, shembulli i Zhejit, edhe jashtë asaj që jam i bindur, tregon se si media e kazanit, majtas e djathtas, mund të përlyejë një figurë dhe për kundërshtarët të jetë e besueshme se kështu ka ndodhur. Zhejin e kanë sulmuar shumë për atë që nuk ka bërë dhe nuk e kanë vlerësuar për atë që ka bërë. Në median kazaneske janë thënë të pavërteta për të dhe këtë e di fare mirë. Jam i bindur se nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, ndryshe nuk do të kishte guximin të radhitej kundër tij që në krye të herës, dhe, nëse shkrimi im ka tingëlluar në një kah të kundërt, jam i gabuar, por kazani e bën të tillë. Babain e tij e kam takuar vetëm një herë në jetë, në shtëpinë e mbushur me libra, rrëmujshëm, kur shoqërova dajën e nënës sime, Arif Gjylin, që, me aq sa më tha për të dhe me aq sa lexova më pas në përkthimet e mrekullueshme, është e mjaftueshme ta nderoj gjithnjë. Zheji nuk ka nevojë të ia mbushë mendjen askujt se nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe as që ka punuar për shërbimet e huaja. Sot, dhjetëra analistë mburren se janë në kontakt me këto shërbime, edhe kur nuk janë, dhe unë, i pandrequr, përsëri nuk e besoj se Zheji mund të mburret prej tyre. Ose, ai ka ndryshuar gjithandej. Mirëpo , lexova disa nga shkrimet e fundit të tij. Më vjen keq ta them, por vendin e analizës së ftohtë, të menduar e, mbi të gjitha, të besuar, e zënë hamendjet, shfrimi i dufit dhe sjellja në rrethin vicioz të fjalës që nuk përcjell mendimin e dikurshëm real e të saktë të tij. Është e drejta e Zhejit të jetë kundërshtar i qeverisë Rama dhe i vetë Ramës personalisht, por askush nuk më heq të drejtën të kem mendimin tim se kjo, le të themi, çoroditje, e bën atë jo të besueshëm si më parë.

Dhe kjo më kthen në fillim: tek ajo që është kryesore: përse media nuk është më e besuar. Përse njerëzit e dinë, ende pa e hapur gojën një analist, se çfarë ka në mendje dhe se çfarë do të thotë? Përse analistët, edhe në panele, ndahen majtas e djathtas, si ushtarë që do të sulmojnë njëri tjetrin? Përse njerëzit ndjekin me interes një emision të Dritan Hilës, edhe pse ai është i njohur si kundërshtar i Edi Ramës apo i rrënimit të shtetit, ndërsa shumë emisione të tjera po bëhen bajatë?  Mua më vjen keq që një mendje si e Zhejit bëhet e lexueshme, sepse nuk ka qenë kështu. Dhe kjo duhet ta trazojë atë, mua, të tjerët, më shumë se një hamendje e shtypit apo një lapsus ende i pasqaruar si duhet nga unë. Në këto vite nuk ka asnjë analist që nuk është sulmuar, nganjëherë edhe barbarisht. Edhe Rama, kur ishte si të tjerët, është sulmuar. Edhe vetë gazeta Koha Jonë është sulmuar, e përsëri sulmuar, djegur e përndjekur. Por, kanë qenë të besuara deri në fund. Kanë qenë më të besuara edhe se qeveritë, edhe se vetë opozita, në fakt ata kanë qenë opozita e besuar. Nëse Zheji , qoftë edhe një sekondë mendon se unë hamendesoj se ai ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, është i gabuar, ose unë nuk e kam thënë si duhet. Por që , edhe ai po bëhet “i lexueshëm” ende pa shkruar dhe ende pa folur,  kjo më trishton. Sepse kam besuar tek fuqia e pavarur e fjalës së tij.

Së fundi, jo rrallë herë, ne, po e fus edhe veten tek analistët, ngutemi të agresojmë ndaj njerëzve, edhe pse faktet nuk i kemi. Pesë minuta pasi u shpallën prefektët e rinj të vendit, Basha i quajti banditë dhe media heshti. Disa u bashkuan me të. Shkuan edhe tej tij. Nuk mendojmë se pas një emëri është një jetë, një familje një fis, ndoshta një staturë politike e ndershme sa nuk ka më. Por kur,qoftë edhe pa u trajtuar si duhet, citohet emëri ynë, zemërohemi.  Sepse , edhe ne, kemi një emër, një familje, një fis, një jetë. Nëse do të mendonim , ashtu si e duam për vete emerin tonë, nuk do të nguteshim. Dhe mund të ishim më të besuar. Për mua, kjo ka rëndësi. Nëse në shkrimin tim jam i keqkuptuar, atëherë nuk kam qenë i zoti të përcjell si duhet një mendim, që është i qartë në veten time.

Artur Zheji: Për Bedri Islamin dhe të tjerë: Pyesni Ramën për Sigurimin e Shtetit…

 

Nëse duhet për të provuar se media është një kazan, ashtu si thotë kryeministri, zoti Islami, bëre mirë që më përmende. Po ta shkruaj ty dhe përmes teje edhe mjaft shkronjësve me penë të hollë apo të trashë të këtij fshati, që unë nuk kam qemë asnjë orë të jetës sime, as në kontaktin më të largët me Sigurimin e Shtetit, përveçse nëpër filmat e realizmit socialist. Dhe është shumë e thjeshtë prova dhe sprova Bedri, se ti merr vesh mirë nga këto punë. Eshtë vetë kryeministri, që mund tju kënaqë kureshtjen dhe të nxjerrë ndonjë dosje. Mund të kem qenë në ndjekje, sëbashku me prindërit e mi të ndjerë, por asnjëherë në kontakt, e aq më tepër në bashkëpunimin më të largët me ato fytyra të sikletëshme. Kanë shkruar edhe të tjerë aludime të tilla të poshtra, por kur e shkruajte edhe ti o Bedri, thashë se qënka trashur puna, pamvarsisht se shton “që nuk e beson”. Sepse ndoshta duhet të shkruaje që po të ishte e vërtetë, do ta dije. Le t’ja falim Kaç Myftarit këto fantazira letrare dhe këtë humor të zi, pa të cilat ai nuk jeton dot, por një burrë racional si ty, e vetëfusin në “kazan” këto rreshta. Nëse ishte kjo ajo që ti doje, ja mbrrite, por mua më vjen keq, nuk e di pse për këtë. Sepse ti, ashtu sikundër dhe unë, e di mirë se kush janë në mes tonë “bashkëpuntorët”, ata që njihen dhe ata që nuk njihen, sepse jemi ruajtur prej tyre. Por duke përzier të njomin me të thatin, sapo i bëre një shërbim ish sigurimsave, le të shpresojmë pa dashje, ashtu sikundër dhe unë e besoj, jo në mënyrë të rrejshme. Kam jetuar 11 vite në Itali dhe përmes pasionit dhe aftësive të mia, vura në “shërbim” të Kosovës, editorialin e Radio Radicales në Romë, asokohe, Radioja politike kombëtare, më e madhja në Itali, me mbi 3.000.000 ndjekës.

Nëse këto janë “shërbimet e huaja”, ti e di. Arkivat e Radios janë aty, madje dixhitale tashmë.
Shndërrova në vitet 1992, nga një mik të ish jugosllavëve, në një mik të madh të shqiptarëve, të madhin Marco Pannella dhe Emma Boninon dhe mjaft të tjerë, duke diskretituar figurën e ish ministrit të jashtëm Italian Lamberto Dini dhe aferat e tija me Telekom Serbia etj. Dhe duke mbajtur nën presion ish kryeministrin Italian të asaj kohe Massimo D’Alema, për Çështjen e shenjtë të Kosovës, si e mbiquaja unë atëhere… “Rekrutova” gazetarë që, si shef departamenti që isha, i dërgoja në Kosovën e pushtuar, për të rrëfyer për Europën tmerret që ndodhnin aty. Kam qenë korespondent lufte në Zagreb, në periudhën e luftës së shkurtër kroato-serbe. E kam gdhirë me Arben Xhaferrin në Tetovë, kur donin ta arrestonin si kryetar të Pdsh. Më bëre të kaloj parasyve gjëra të mrekullueshme, për të cilat skam folur dhe shkruar asnjëherë, nën trysninë e modestisë. Por dëshmimtarët janë gjallë dhe në postet më të larta, të Shqipërisë dhe Kosovës apo të Shkupit. Po ke të drejtë duhet të shkruaj për atë eksperiencë. Po mund të pyesësh edhe presidentin Hashim Thaçi për këtë, Baton Haxhiun, edhe Ali Ahmetin apo Menduh Thaçin, pasi të kesh pyetur edhe lartësinë e tij, Ramën. Por edhe Fatos Nanon, që ishte një dëgjues i rregullt i Radios nga burgu. Nejse Bedri, e kuptoj se Rama sot është në vështirësi dhe jo prej meje dhe as prej mediave, por prej vetëvetes dhe zgjedhje të tija personale dhe me vetëdije të plotë. Kishte nevojë për një dorë. Jepja. është e drejta jote, por mos u shty deri këtu, se nuk kemi moshë, as ti dhe as unë, që të merremi me pallavra. Dhe po ta shkruaj paraprakisht që nëse më kthen përgjigje, duhet të kërkosh të falur, në një formë ose tjetër. Pasi të informohesh edhe pranë kryeminsitrit që ka akses kudo nëpër dosjet e të gjitha llojeve. Tung.

Please follow and like us: