Albspirit

Media/News/Publishing

Drejtori i FBI-së mbron fuqimisht agjencinë e tij në Kongres

Në Shtetet e Bashkuara, Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, mbrojti fuqimisht agjencinë e tij përpara kritikëve gjatë një sesioni me pyetje-përgjigje në Kongres. Disa ligjvënës vunë në pikëpyetje paanësinë e FBI-së, agjencia kryesore ligjzbatuese e vendit, e cila po heton rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe për lidhjet e mundshme të Moskës me fushatën e zotit Trump gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto ishin komentet e para publike të shefit të FBI-së, që kur Presidenti Donald Trump kritikoi ashpër këtë agjenci në Twitter.

“FBI-ja, që unë shoh, janë dhjetëra mijëra agjentë, analistë dhe stafi që punojnë shumë për t’i mbajtur amerikanët të sigurt nga sulmet e ardhshme terroriste, dhuna e bandave, grabitësit e fëmijëve dhe spiunët e Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit“, tha drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Deklarata vjen vetëm pak ditë pas komenteve të Presidentit Trump në Twitter, ku shkruante se emri i FBI-së ka rënë për tokë, pjesërisht sepse nuk ka bërë agjë rreth akuzave ndaj rivales së tij politike, Hillary Clinton për trajtimin nga ana e saj të emaileve të klasifikuara kur ishte sekretare e shtetit.

“Vendimi i FBI-së për të mos rekomanduar akuza ndaj ish-sekretares ose ndaj cilitdo të lidhur me të, vazhdon të ngrejë shqetësime serioze se sistemi i drejtësisë tek ne zbatohet ndryshe për të pasurit dhe të fuqishmit”, tha republikani Bob Goodlatte, kreu i Komisionit të Ligjeve.

Ishte ky vendim, është shprehur Presidenti Trump, që e bëri të shkarkonte ish-drejtorin e FBI-së James Comey në muajin maj, edhe pse vetë zoti Trump i tha më vonë kanalit NBC News se vendimi i tij kishte lidhje me çështjen e Rusisë.

Ndërkohë që prokurori i posaçëm Robert Mueller po heton nëse ky shkarkim përbënte një pengim të drejtësisë në hetimin për Rusinë, FBI-ja e drejtuar tani nga Christopher Wray përballet me sfidat e veta.

“Drejtor, kam filluar të kem dyshime serioze te FBI-a për integritetin e disa prej niveleve më të larta të saj, për shkak të veprimeve të ndërmarra nga agjencia juaj”, tha republikani Raul Labrador.

Kritikët e vënë theksin te çështja e një agjenti të FBI-së që punonte me ekipin hetues të zotit Mueller dhe që thuhet se shkëmbente mesazhe SMS pro zonjës Clinton.

“Nëse Mueller heq nga ekipi të gjithë ata që janë kundër Trumpit, nuk besoj se do të mbetej ndonjë,” tha republikani Jim Jordan.

Nga ana e tyre, demokratët e Kongresit duan të dinë nëse shkarkimi i zotit Comey nga Presidenti Trump përbën pengim të drejtësisë.

“Zoti Wray, a keni arsye për të dyshuar në dëshminë e drejtorit Comey apo të Prokurorit të Përgjithshëm Sessions në këtë pikë?” pyeti demokrati Jerrld Nadler.

Drejtori i FBI-së nuk pranoi të përgjigjej. Ai konfirmoi pavarësinë e FBI-së nga Shtëpia e Bardhë:

“A ju ka kërkuar ndonjëherë Presidenti Trump t’i shprehni besnikërinë?”

“Kurrë nuk më është kërkuar nga Presidenti t’i betohem për besnikëri,” u përgjigj drejtori i FBI-së.

Është një pyetje që me siguri do të shtrohet përsëri ndërkohë që prokurori Mueller vazhdon hetimet.

Please follow and like us: