Në jetë nuk është kurrë vonë për të mësuar, për të luajtur, për t’u defryer dhe për të patur…profilin tënd të vërtetë në Facebook. Me këtë parim, 104-vjeçarja Marguerite Joseph fitoi betejën me rrjetin social më të fuqishëm në botë duke tërhequr vëmendjen e vetë Mark Zuckerberg të cilin e detyroi të ndryshojë “rregullat e lojës”. Marguerite kërkoi t’i bashkohej rrjetit social, sigurisht me ndihmën e mbesës së saj. Por vuri re se për të hapur një profil personal do t’i duhej të hiqte dorë nga mosha e saj reale dhe të gënjente me disa vite, jo për faj të saj. 104-vjeçarja nuk e pranoi këtë kusht të Facebook ndaj me ndihmën e nipërve dhe mbesave nisi betejën me rrjetin social për të ndryshuar rregullat. Bëhej fjalë për zgjatjen në kohë të moshës së regjistrimit të Facebook. Para Marguerite viti i lindjes shtrihej deri në vitin 1910, ndërsa ajo vetë kishte lindur në vitin 1908. Për të mos “i ngrënë hakun”, Facebook i vënë në dijeni të rastit pranoi të korigjohet. Kompania kaliforniane tha se bëhej fjalë për një problem teknik që mori zgjidhje shumë shpejt. U tha, u bë dhe viti i shtrirjes në kohë të të gjithë përdoruesve të Facebook shkon deri në 1905. Pas këtij rasti Facebook ndoshta uron që të mos i bashkohet një 109-vjeçar se do t’i duhej sërish të ndryshonte rregullat e tij.