Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta Dedja: Reklamat pa shije



Ju ka ndodhur të gjendeni para televizorit duke ndjekur një program e papritmas … një ndërprerje publicitare? Sigurisht që po! Po kur hapni revistat apo gazetat ju kanë zënë sytë produkte ose oferta? Patjetër! Edhe në portale?? Poo. Edhe në rrugë? Madje edhe në ashensorin që na ngjit për në apartamentin ku banojmë. Dhe për më tepër sapo hapim derën gjejmë fletushka pizzerie, qendre tregëtare, ndonjëherë dhe ndonjë aktivitet artistik ose politik. Ne gjendemi të ngacmuar nga stimuj të ndryshëm, të cilëve shqisat tona nuk mund tu shpëtojnë. As rrjetet sociale nuk na lënë rehat. Qindra e mijëra miqtë në Facebook apo Instagram gjatë gjithë kohës reklamojnë veshje, stilime flokësh, restorante, fitness, poezi, fotografi, video, kafshët e tyre apo të botës, makina luksi, libra, shtëpi, ora apo çanta të shtrenjta, bileta udhëtimi … etj. Personalisht jam ndikuar disa herë në frekuentimin e një restoranti kur më janë shfaqur në timeline disa foto fantastike dhe statuse të miqve te mi me përshtypje pozitive. Është vështirë të mos biesh në grackën e reklamës edhe kur ajo bëhet në mënyrë natyrale dhe nga joprofesionistë. Gjithashtu edhe nëse një reklamë për një produkt na ngjall bezdi ajo sërish lë gjurmë dhe një koment do t’na e marrë publikisht ose dhe në mjedise më të ngushta. Kompanitë e mëdha investojnë miliona duke kontraktuar agjensi marketingu të zhvillojnë fantazitë e tyre, të derdhin talentet në mënyrë që të ndikojnë konsumatorin në mendime, emocione, sjellje. Formula klasike është shoqërimi i një produkti me imazhe, vende, apo njerëz që ngjallin efekte pozitive tek konsumatori. Ose përdorimi i një produkti nga njerëz të suksesshëm ose thjesht seksi. Aq shumë sukses kanë këto formula saqë edhe produktet e dëmshme për shëndetin arrijnë të kenë shitje marramendëse. Ka profesionistë në vendin tonë që nuk lodhen shumë me shtrydhjen e sferës krijuese në trurin e tyre dhe i bien shkurt: marrin një vajzë të bukur, e zhveshin aq sa fantazia e tyre u thotë se mjafton për të joshur konsumatorin dhe e hedhin në treg. Ose marrin një grua, e veshin si drejtoreshë, i thonë të sillet me prepotencë me punonjësit për të treguar se i dhemb koka dhe i shesin ilaçin e duhur në fund. Ose edhe mund ta bëjnë pak si film horror. Në dy rastet, imazhi femëror i trajtuar shëmtuar. Gjithashtu edhe meshkujt nuk i paraqesin këndshëm. Shpesh shfaqen sikur nuk kanë parë femra me sy dhe rrallë ndodh që një reklamë për një produkt mirëfilli për meshkuj, të mos ketë një femër seksi diku vërdallë, ose nëse kjo mungon i vënë mamin që e qorton ose përkëdhel si personazh. Oseeee i vënë një tekst aspak inteligjent dhe seksist. Po fëmijët si i përdorin këto agjensitë shqiptare të marketingut? Më kujtohet një reklamë lëngu frutash që ishte aq i mirë sa fëmija 10 vjeç e donte më shumë se mamin dhe babin….O ju të dashur shkrues, krijues apo kopjues! Hapni librat, konsultohuni me specialistët përkatës për çdo element! Strategjitë e marketingut janë të pafundme. Mirë që kohën, vëmëndjen na e vidhni dashur pa dashur, por të paktën mos na përdhosni shijet për të bukurën dhe pozitiven.

Please follow and like us: