Albspirit

Media/News/Publishing

Miranda Içi: Si të them se…

Si të them se…
Jeta është udhëtim
mes korijeve të oazta, kur së shumti,
shtyj kufijtë e ëndrrës,
mëngjeseve të ftohtë dhe përpëlitem në përqafim të vetvetes.
Kur puthje imagjinare rrëshkasin
qafës në ngërç e bëhen liqej drithërimash në gjoks e sup.
Kur protestoj të shoh varret e zinj
ku kam groposur shkëndijat e syve.
Buzë të plasura nga përvëlime pendesash
puthin plagët e dëshirave të mohuara.
Thika ngulur krahut të majtë
nga dorë e djathte dhe anasjelltas.
Sot.
Dua t’ju kërkoj falje.
Milingonave, për aq pak grushta orizi
dhe nënës për orizin që mora paleje.
Margaritave bërë kurorë
për dasmën absurde me diellin.
Xixëllonjave që u flijuan mbi fustanin prej basme, ku shkrova jam yll.
Fustaneve që s’vesha se desha të jem djalë.
Fishkëllimave të ndalura se, për vajzat ishte turp.
Lofatës për degët e thyera
për t’i bërë bilbil.
Balos sa herë e lidha në zinxhir
pas iluzionit se do vraponte me mua i lirë.
Kecit larosh kur i ndalova blegërimën se e dëgjonte bota.
Errësirës së përroit që j’u tremba e vogël, kur sot drita më tremb më shumë.
Kumbullës për kokrrat e pabëra
dhe mëllenjës që i preka vezët
në folenë mbi kumbull çdo pranverë.
Jo-ve kur desha të them po
dhe po-ve kur duhet të them jo,
ju kërkoj falje.
Mos-et që më nxinë jetën
dhe rebelimet prangosur nga mos-e, dua t’i pajtoj.
Buzëqeshjeve përgjysëm
me hijen e keqkuptimit inkuizitor.
Tretjes në një shikim, nga frika e mbytjes së ëmbël.
Fjalëve që i vrava palindur,
dhe i mbulova me heshtje.
Mëkatit që e lashë përgjysëm.
Rrënies së lirë nga shkëmbi i të pamundurës,
me frikën e shembjes.
Frymova…frymoj…
Si të them jetova,
pa bërë qoftë edhe një monumentale marrëzi.

Please follow and like us: