Albspirit

Media/News/Publishing

Më 28 nëntor i dhurova Rifat Jasharit, portretin e Adem Jasharit

INTERVISTA/ Flet piktorja dhe ekonomistja Aurora Cakaj: Jeta ime, mes ekonomisë, poezisë dhe artit pamor
Më 28 nëntor i dhurova Rifat Jasharit, portretin e Adem Jasharit
Albert Z. ZHOLI
Aurora Ferhat Cakaj (Ndreu), ekonomiste në profesion, jeton në Tiranë prej shumë vitesh, aktualisht punon në një bankë private si ekonomiste. Me pikturën ka filluar që në moshë të vogël, me vizatimet e para, duke u rritur fizikisht dhe artistikisht në të njëjtën kohë, para katër vitesh mori në dorë penelin dhe ka filluar të pikturoj thjesht për dëshirë, por hap pas hapi tani në këto çaste, në atelienë e saj modeste, ka gjithsej 250 punime në vaj, akrilik, karbon dhe për këtë është shumë e lumtur.
-Para pak kohësh hapët një ekspozitë personale në Muzeun Kombëtar që pati sukeses, sa punë kishit dhe cili ishte qëllimi ekspozitës?
E vërtetë, më në fund e gjithë puna ime e katër viteve u kurorëzua me çeljen e ekspozitës time të parë personale “ Aurora Borealis 1”, jo pa qëllim e vura këtë titull. Aurora Borealis është një fenomen i rrallë që ndodh në Polin e Veriut. Një shpërthim ngjyrash ndriçojnë qiellin polar fenomen i cili ka emrin tim. Ky shpërthim ngjyrash dhe talenti në artin e bukur të pikturës, ka ndodhur dhe me mua këto vitet e fundit. Ekspozita përbëhej nga 60 punime personale. Çdo pikturë mbart me vete një histori reale. Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme, i tejkaloi parashikimet e mia. Isha e rrethuar nga miq, familjarë, miq të artit, pedagoge, kritike arti dhe piktorë të njohur gjithashtu. Miq e dashamires të shumtë si mësuesi im, piktori Mirditor z. Pjetër Marku, i cili duke përshëndetur gjithë të pranishmit i dha fjalën, piktorit të njohur z. Kujtim Buza, Dr Shkencave z. Skënder Demaliaj, mësuesit dhe studiuesit z. Besim Cengu dhe shumë të tjerë, të cilëve u jam shumë mirënjohëse që u bënë pjesë e gëzimit tim dhe me zbukuruan mbrëmjen e 27 Tetorit 2017, e cila për mua do mbetet gjatë në kujtesën time.
-Kush mbizotëron në pikturën tuaj, portreti, peizazhi, kompozimi, natyra e qetë, apo piktura modernen abstraksioniste?
Kryesisht punimet e mia në këtë ekspozitë ishin peizazhe në bregdetin shqiptar, kryesisht deti Jon. Shumica e punimeve janë bërë këtë verë në Jug të Shqipërisë në periudhën e pushimeve, si dhe gjatë fundjavave në shtëpinë time,e cila tashmë është kthyer në një atelie të vërtetë arti, ku era e vajit dhe e terpentinës tashmë janë bërë pjesë e jetës. Gjinitë e pikturave janë të ndryshme, natyrë e qetë, portret, kompozim, peizazh, abstrakt, punime me gurë në strukturë. Janë punime në vaj, akrilik, punime mix, laps e karbon. Ajo që më pëlqen më shumë është deti ,bluja e thellë, rëra dhe gurët, dallgët që përplasen në breg, flora dhe fauna, natyra shqiptare në veçanti. Këto dhe shumë të tjera zënë vend në pjesën me të madhe të punimeve të mia.

-Cilat ishin vlerësimet më të mira të vizitorëve?
U ndjeva shumë e vlerësuar nga kritiket e artit pamor, dhe per këtë jam shumë e lumtur, pasi nga të pranishmit dhe nga vizitorët që pasuan ne ditët e tjera ndihej çudia dhe admirimi njëkohësisht, gjë që me stimulon të punoj fort dhe në të ardhmen.
-Pas Tiranës, në Kosovë. Kush ishte qëllimi i vizitës në Kosovë?
Vizita ime në Kosovë nuk ishte e rastësishme. Kam lindur dhe jam rritur në një qytet kufi me Kosovën. E kam përjetuar luftën nëpërmjet veprave dhe romaneve dhe studimeve të tim eti, shkrimtarit Ferhat Cakaj, nëna ime rrjedh nga një familje me tradita atdhetare gjakovare. E kam adhuruar me forcën e shpirtit, traditën, atdhetarizmin, sjelljen, veshjet e tyre kombëtare, respektin për të rënët në luftën për çlirimin e Kosovës. Ishte 105- vjetori i Pavarësisë, gjithashtu më dt. 28 Nëntor ditëlindja e heroit, djalit trim të Prekazit, udhëheqësit të UCK, komandantit Adem Jashari, prandaj së bashku me piktorin e njohur Sulejman Prrenjasi, më dt 25 Nëntor 2017, një mëngjes me mjegull të dendur, menduam ti dhuronim tre piktura vëllait të heroit z. Rifat Jashari. Portretin e heroit të cilin e dhurova unë, pikturën “Rilindje” dhe “Bombardimi” që u dhuruan nga piktori Sulejman Prrenjasi në shtëpinë muze, pikërisht aty ku ka ndodhur masakra dhe gjëma, duke prekur nga afër shtëpinë e shembur nga plumbat dhe bombardimet, më dukej sikur dëgjoja zërin e tyre. Hidhja vështrimin në ne një fushë të bukur me bar të njomë, ku ishte muzeu dhe memoriali I familjes Jashari, si dhe 59 varre të familjes dhe fisit të Jasharëve, ku fëmija më i vogël i vrarë ishte 7 vjeç. Në krye të tyre i madhërishëm nën flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare që valëvitej ishte ai, heroi i gjithë Kosovës trime,komandanti Adem Jashari, të cilin e kam skalitur në një portret në vaj ashtu madhështor, i gatshëm për flijim. Gjatë gjithë aktivitetit na shoqëruan z. Hysen Grajcevski poet Kosovar me djemtë e tij dhe familjen, të cilëve u jam shumë mirënjohëse.

-Teknika në vaj që ju përdorni çfarë ka të veçantë?
Tek vaji kam gjetur veten.Teknika e vajit të mundëson të shprehesh maksimalisht atë që ti ndjen. Me anë të kësaj teknike arrin të thellosh efektin fillestar emocional dhe pasurinë e dëshiruar koloristike.
– A e përdorni akuarelin dhe pse?
Është një teknike shumë e vështirë. Kam eksperimentuar dhe kam disa punime në akuarel te cilat do jenë per 2018 në ekspozitën e radhës. Më pëlqen rrëshqitja e penelit ne letër, shpërbërja e përhapja e ngjyrës duke krijuar forma dhe figura të mahnitshme.

– Piktorët tuaj me të pëlqyer në botë?
Piktorët me të njohur qe njeh historia e artit dhe që kanë dhënë kontribut të madh në kulturën botërore janë:Leonardo Da Vinci, Ticiani, Piter Paul Rubens, Rembrandt Van Rin, Vincent Van Gogh, Pablo Picasso, Jackson Pollock, etj.
-A mund të jetohet sot me pikturë?
Ka shume artiste qe jetojnë dhe mbajnë familjet me këtë profesion, por, të them të drejtën është shume e vështirë. Vendi ynë i vogël ka aq shume artistë, të njohur dhe të panjohur të cilët kanë kapërcyer kufijtë shtetërorë me artin e tyre te bukur. Ka artiste që janë të kërkuar në treg falë punës e artit që ofrojnë.
– A është bërë sot kulturë në Shqipëri domosdoshmëria e një pikture në shtëpi?
Ka ndryshuar koncepti i njerëzve për artin dhe për pikturën në veçanti.
Elemente të kësaj kulture kanë ekzistuar në Shqipëri dhe mund të themi që kjo kulturë është zgjeruar e nuancuar dukshëm. Kjo duket që nga prania e ndjekja e ekspozitave të pikturës nga qytetarë e artdashës. Sipas shkallës së kulturës e raporteve shoqërore të secilit. Artdashësit konsumojnë art. Një pjesë e mirë e tyre janë selektive në zgjedhje të orientuar si nga instinkti emotiv i tyre ashtu dhe nga emri i artistit.
-Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?
Femrat shpesh shihen për sharm, herë si modele apo balerina, por arma më e fortë e femrës në jetë janë butësia dhe zgjuarsia. Megjithatë mund të them se askush nuk është aq i pasur sa të mos i nevojitet një buzëqeshje dhe askush nuk është aq i varfër sa buzëqeshja të mos e pasuronte. E kush me mirë se femra mund ta personifikojë të gjithën këtë.

-Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?
Në vendin tonë vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore barazia gjinore. Megjithëse dimensionet e lirisë janë zgjeruar, shoqëria është me e vetëdijesuar për te drejtat e grave dhe rolin qe ato duhet te kenë në shoqëri. Promovimi i të drejtave të grave dhe nismat per përmirësimin e statusit te tyre në shoqëri shpesh bëhet nga këndvështrime feministe. Tranzicioni shqiptar i ka çuar femrat e vendit tonë në dukuri dhe problematika të reja sociale siç janë tërheqja e tyre nga jeta ekonomike, zgjerimi i përmasave të dhunës në familje dhe trafikimi dhe shfrytëzimi i tyre.

-Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare?
Në shoqërinë shqiptare me orientim ende të fuqishëm maskilist, me doza të forta të mentalitetit tradicional,kultura atavike, që legjitimon pushtetin e burrave, vazhdon të mbijetojë dhe prodhojë steriotipet gjinore, dhunën, diskriminimin dhe pabarazitë me gjininë tjetër. Prania ende e fuqishme e steriotipeve gjinore dhe dhunës në familje, është dëshmia më e qartë e problemit të pabarazisë gjinore.

Image

Image

 

Please follow and like us: