Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Islami: Oligarkët e klientelës së Ramës…

Nëse doni të gjeni emrat konkretë të oligarkëve e klientelës së Edi Ramës është shumë e lehtë. Mjafton të ndiqni metodologjinë e mëposhtme dhe të mos mashtroheni nga demagogjia dhe mashtrimet e Ramës, madje edhe kur ndonjëherë në parlament përdor emra biznesesh të mëdhenj, thjesht për të maskuar klientelën e vërtetë oligarkike.

Oligarkë të futur në politikë nga Rama, pjesë e klientelës së tij…

Merrni në shqyrtim deklaratat e pasurisë të deputetëve të PS të periudhës 2009-2017, të kryetarëve të bashkive të PS të periudhës 2007-2017 dhe të drejtorëve të rëndësishëm të periudhës 2013-2017 të emëruar nga Rama. Analizoni se çfarë pjesë e pasurisë së më të pasurëve prej tyre është vendosur përmes i) lejeve të ndërtimit nga Rama si kryetar i bashkisë së Tiranës, ii) nga fondet publike të bashkisë së Tiranës të dhwna nga Rama gjatë viteve 2000-2011; iii) nga privatizimet e pronës publike, iv) nga fondet publike dhe koncesionet gjatë periudhës 2013-2017 kur Rama ka qënë kryeministër. Shikoni nëse janë bërë deputetë e kryetar bashkie pas vitit 2005 apo janë emëruar në poste kycce të administratës publike, kur Rama ka ardhur në krye të PS apo është bërë kryeministër në 2013. Të gjithë ata që janë ose kanë qënë deputetë, kryetarë bashkie, drejtorë të rëndësishëm dhe mbi 50 për qind të pasurisë së deklaruar prej tyre e kanë vendosur nga marrëdhëniet klienteliste me Ramën si kryetar i bashkisë së Tiranës apo në krye të qeverisë, janë pjesë e oligarkisë që Rama i ka futur në politikë. Emrat e tyre do të përbënin Bazën ë të Dhënave të oligarkëve të futur në politikë nga Rama, pra njëra nga pjesët e klientelës politike-oligarkike të Ramës.

Oligarkë-biznesmenë, pjesë e klientelës së Ramës

Merrni në shqyrtim i) të gjithë tenderat e zhvilluara nga Rama si kryetar i Bashkisë së Tiranës në periudhën 2000-2011; ii) të gjithë lejet e ndërtimit të firmosura nga Rama si kryetar i Bashkisë së Tiranës gjatë periudhës 2000-2011; iii) të gjithë objektet e rëndësishme të dhëna me qira nga Rama si ministër i Kulturës dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës gjatë periudhës 1998-2011; iv) të gjithë koncesionet e dhëna nga Rama si kryeministër gjatë periudhës 2013-2017; v) të gjithë tenderat e rëndësishëm të dhëna nga Rama dhe ministrat e tij gjatë periudhës 2013-2017. Nëse emri i ndonjërit prej tyre shfaqet më shumë se tre herë në këto lista, ky është tregues i pakundërshtueshëm i lidhjes klienteliste me Ramën. Nëse pasuria e këtyre “biznesmenëve” në lidhje preferenciale klienteliste me Ramën është vendosur në një masë të konsiderueshme nga përfitime për shkak të këtyre lidhjeve, atëherë emrat e këtyre “biznesmenëve duhet të vendosen në Bazën e të Dhënave të “oligarkëve-biznesmenë anëtarë të klientelës së Ramës”.

Oligarkë-manjatë të medias, pjesë e klientelës së Ramës…

Merrni në shqyrtim të gjithë manjatët e medias që drejtojnë mediat kryesore dhe shqyrtoni i) sa leje ndërtimi kanë marrë nga Edi Rama, kryetar i bashkisë së Tiranës; ii) sa mjedise kanë marrë me qira preferenciale apo ju janë dhuruar nga Edi Rama në krye të Ministrisë së Kulturës, të Bashkisë së Tiranës dhe gjatë periudhës 2013-2017 nga Rama Kryeministër dhe ministrat e qeverisë së drejtuar prej tij; iii) sa tendera nga fondet publike të bashkisë së Tiranës kanë fituar në periudhën 2000-2011 dhe nga fondet publike të ministrive gjatë periudhës 2013-2017; iv) sa koncesione kanë fituar në periudhën 2013-2017 . Lista e të gjithë atyre që plotësojnë minimalisht dy nga këto kritere bëjnë pjesë në Bazën e të Dhënave të manjatëve te medias, pjesë e klientelës së Ramës.

IV) Në vend të një përfundimi…

Rama dhe qeveria që drejton, përfaqësojnë interesat e oligarkisë, korrupsionit, krimit dhe narkotrafiqeve. Në këtë shënim të shkurtër jepen vetëm kriteret e përcaktimit të

  1. Oligarkëve të futur në politikë nga Rama me prejardhje nga biznesi të cilët pjesën më të madhe të pasurisë së tyre të dyshimtë e kanë vendosur nga marrëdhëniet klienteliste me Ramën kur ai ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës apo në krye të qeverisë. Shumica e tyre e kanë paguar haraçin e lidhjes klienteliste me Ramën në momentin e përfitimit por edhe më vonë kur janë thirrur për tu futur në politikë. Ata në politikë kanë vetëm një funksion, të financojnë blerjen e votave dhe Edi Ramën.
  2. Oligarkëve-biznesmenë që s’janë futur në politikë por që i shërbejnë Ramës për pasurimin e tij të paligjshëm dhe për financimin e të gjithë nevojave të tij politike, ku më i rëndësishmi mbetet blerja e votave për marrjen apo mbajtjen e pushtetit. Këta oligarkë-biznesmenë janë pjesë e klientelës permanente të Ramës Këta janë kryesorët në fitimin e tenderave, koncesioneve dhe të lejeve të ndërtimit apo lejeve të tjera me interes fitimi të madh.
  3. Oligarkëve-manjatë të medias që i shërbejnë Ramës përmes përpunimit të opinionit publik në favor të qeverisë së tij apo imazhit të Ramës personalisht por edhe duke sulmuar egërsisht në mediat që ata zotërojnë të gjithë kundërshtarët e Ramës gjatë të gjithë kohës duke përfituar leje ndërtimi, tendera të rëndësishëm, koncesione fitimprurëse. Një pjesë e konsiderueshme e tyre e kanë zgjeruar perandorinë e tyre mediatike në sajë të këtyre lidhjeve klienteliste me Ramën dhe kanë qenë në mënyrë permanente në shërbim të Ramës. Jo rrallë Rama ka shpërblyer punonjës të devotshëm të mediave klienteliste me poste kyçe lukrative të administratës publike.

Emrat e këtyre personazheve dihen dhe njihen nga të gjithë shqiptarët. Sa më shumë përpiqet Rama për ti maskuar emrat e tyre, aq më dukshëm për publikun bëhen këta personazhe. Një nga mënyrat e maskimit naiv dhe mediokër që Rama është përpjekur të bëjë në parlament ka qenë përmendja e emrave të disa prej biznesmenëve të mëdhenj që përpiqen të ruajnë dhe zhvillojnë bizneset e tyre duke krijuar marrëdhënie të kujdesshme me çdo qeveri. Nuk janë bizneset e ndershme që shndërrohen në pjesë të klientelës oligarkike por është qeveria dhe në mënyrën më ekstreme Rama që ka krijuar klientelën oligarkike dhe herë pas herë kërcënon, josh, apo edhe tenton të komprometojë bizneset e ndershme për të maskuar pikërisht klientelën e tij oligarkike. Sepse askush nuk është kundër zhvillimet dhe rritjes së bizneseve të ndershme, ndërkohë që askush nuk mund të jetë pro krijimit nga Rama e qeveria e tij e një klientele oligarkike që kontrollon vendin dhe sistemin politikisht, ekonomikisht, mediatikisht.

Please follow and like us: