Albspirit

Media/News/Publishing

Zija Çela vlerësohet me çmimin Rexha Surroi

Shkrimtari Zija Çela është fituesi i çmimit të përvitshëm Rexha Surroi që jepet nga kompania Koha në Prishtinë. Ai është vlerësuar me romanin “Ora e Zooparkut” një libër që nxjerr në pah se si rojtari i zooparkut vret njeriun në vend që të vrasë kafshën. “Kjo vepër është produkt i shoqërisë shqiptare. Në një intervistë për gazetën Koha Ditore ai është shprehur se demokracia ia nxori shoqërisë bishën nga Brenda duke e krahasuar njerëzimin me personazhet e romanit të tij. Thotë se shqiptarët nuk ishin të përgatitur që të jetonin në një sistem siç është ai i sotmi.”Tashmë njerëzimi është në betejë për ta mposhtur kafshëroren, por del se është duke e humbur atë”, ka thënë ai. Autori tregon se si në roman ka dhënë shumë shembuj prej njerëzve të drejtë e deri tek ata që nuk janë gjykuar kurrë për krimet e bëra. Veprën e tij e përshkruan si një thirrje.

“Ora e Zooparkut” është shkrim i pastër letrar, monument artistik i ngritur me gjuhë dhe stil shembullor, me vizione të aktualitetit dhe një sintezë autoriale të përvojës së shkrimit. Me këtë roman të Zija Çelës proza jonë arrin të bëhet prozë e gjithëpërfshirës artistike, e transformimeve të mëdha narrative dhe e bashkëkohësimit subjektor, e qëndrueshmërisë artistike dhe depërtimeve të reja në fushën e ideve, në fushën e shprehjes artistike dhe të kultivimit të gjuhës. Zija Çela ka lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpiake. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), ai arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për letërsi. Në atë kohë, u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet. Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare“nëntori”, ndersa nga 1984 – 1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Në vitet ‘90 kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen intelektuale për përmbysjen e sistemit totalitar. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm.

Në vitin 2000 e gjejmë kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë. Si autor u bë i njohur shpejt nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili per realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare. Në qershorin e vitit 2005, së bashku me bashkëshorten, Çela zhvendoset në Itali per t’i qëndruar te koka të birit, Dritanit, i cili sëmuret nga kanceri dhe mbyll sytë nëntë muaj më vonë. Duke pasur për protagonist të birin, i njohur gjerësisht në Shqipëri si përkthyes nga italishtja, kësaj ngjarjeje tragjike shkrimtari do t’i kushtojë librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”.

Opinioni e priti me interesim të veçantë dhe profesionistët e cilësuan si një nga librat më të mirë të këtij lloji (elegji në prozë) që janë shkruar në letrat e përbotshme. Ja një pasazh nga ky libër: “Thonë se virtytet dhe talentet janë xhevahiret më të shtrenjtë që zbukurojnë njeriun. Nëse është e vërtetë, atëherë mund të pohoj se xhevahiret e tij, gjithë kohën sa rrojti, Dritani i mbajti në mënyrën më të padukshme, nën këmishë. Vetëm një herë i shkëlqeu një diamant i zi dhe kjo ndodhi në mortin e tij. Por doli se, për këtë, edhe opinioni kishte qenë i gatshëm… O atlet i jetës, që e humbe betejën! Sa herë që vdes një njeri si ti, vdekja nuk ka mundur vetëm individin, por tërë njerëzimin.

Please follow and like us: