Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Ksenofon Krisafi: “Stuhi në gotë” për votën tonë në OKB

 

U bënë ditë që masmediat vazhdojnë t’iu kushtojnë ende vëmendje komenteve, interpretimeve dhe vlerësimeve për votën e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB ndaj vendimit të administratës së Presidentit Trump, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Një tabor politikanësh dhe bashkë me ta edhe një grup analistësh, rendin çdo mbrëmje nëpër kanale televizive, e shfaqen çdo mëngjes në faqet e para të gazetave, për t’iu mbushur mendjen shqiptarëve me llafe boshe, por jo me argumente, se qëndrimi i Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB ishte turp, gabim, miopi, qëndrim amatoresk, skandal i diplomacisë shqiptare etj.

Në fakt e gjithë kjo zhurmë marramendëse, të krijon përshtypjen e një “stuhie në gotë”.

Sepse nga një analizë objektive, e çliruar nga emocionet dhe interesat politike, rezulton se asnjë gabim nuk u bë. Qëndrimi që Shqipëria mbajti në OKB ishte më i drejti dhe më i arsyeshmi, që mund të mbahej në atë rast. Vota e Shqipërisë nuk ishte kundër ShBA, as edhe kundër Presidentit Trump. Ajo nuk ishte as kundër Izraelit. Ishte votë për Shqipërinë, për interesat e saj të larta kombëtare, për të ardhmen e brezave të shqiptarëve. Dihen tashmë miqësia, besnikëria e pakompromis, rreshtimi dhe bashkëpunimi konstant dhe i palëkundur i Shqipërisë ndaj aleatit të saj të madh strategjik, ShBA. Ato janë përmendur dhe vlerësuar maksimalisht dhe vazhdimisht nga vetë Uashingtoni. Njihet botërisht edhe mbështetja e shqiptarëve ndaj izraelitëve, e cila, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, mori trajta sublime, çka ka tërhequr simpatinë dhe mirënjohjen e popullit dhe qeverive izraelite. Edhe aktualisht, me gjithë retiçencat e politikës izraelite ndaj çështjes së njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës, Tirana ka mbajtur dhe ka zhvilluar në nivele shumë të mira marrëdhëniet me shtetin e Izraelit. Dihen gjithashtu edhe qëndrimet tradicionale të shqiptarëve në përkrahje të kauzës së drejtë të popullit të shumëvuajtur palestinez për të pasur shtetin e vet dhe vendin e duhur në bashkësinë ndërkombëtare. Këto janë të qarta dhe nuk kanë nevojë për komente. Vota e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, në 21 dhjetor të këtij viti, ishte para së gjithash një votë në interesin kombëtar të shqiptarëve, i cili prevalon në çdo kohë, veçanërisht në këtë periudhë, kur pritet nga dita në ditë hapja e negociatave për pranim në BE. Kjo është arsyeja themelore pse votimi i Shqipërisë në OKB për statusin e Jeruzalemit, ishte më se i drejtë. Referimet spekulative te vota e disa shteteve anëtarë të BE, që abstenuan janë mashtrime, sepse është fjala për shtete të cilët janë anëtarë të saj dhe nuk kanë problemet e Shqipërisë. Nga ana tjetër pse duhen imituar ata dhe jo shtete tradicionalisht aleatë të fuqishëm të ShBA, si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Japonia etj?! Edhe spekulimi tjetër, për gjoja tradhtimin e kauzës së Kosovës është gjithashtu mashtrim dhe shprehje e ligësisë ekstreme. ShBA, që së bashku me shtetet e tjerë të BE dhe me shumë shtete të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, iu ndodh pranë Kosovës në ditët e saj më të vështira, nuk ka asnjë motiv që ta braktisë atë për një votë të Shqipërisë në OKB. Qëndrimet amerikane në çdo rajon të rruzullit, kanë karakter strategjik dhe janë pjesë e një politike globale të studiuar dhe përpunuar me kujdes dhe përgjegjshmëri të veçantë. Prandaj edhe ky pretendim është naivitet profanësh. Shqipëria u nis nga parimi se partneriteti me miq e aleatë nuk do të thotë me çdo kusht ndjekja e qëndrimeve unike me partnerët në çdo çështje të politikës së brendshme ose të jashtme. Partneriteti dhe pjesëmarrja e një shteti në aleanca të ndryshme rajonale ose ndërkombëtare, duhet të jetë pa tjetër në  në radhë të parë në shërbim të interesave të tij kombëtare, të paqes dhe sigurisë.

Një tjetër çështje që u bë objekt diskutimesh në këto kohë ishte letra që Presidenti i Republikës z. Ilir Meta i dërgoi Presidentit Trump, për t’i shpjeguar qëndrimin e vet si kryetar shteti. Ai ishte i ndryshëm nga ai i qeverisë shqiptare, e cila, sipas zyrës së Presidencës, nuk e kishte konsultuar paraprakisht. S’ka dyshim se Presidenti Meta bën pjesë në grupin e atyre politikanëve shqiptarë me përvojë të spikatur në politikë dhe në diplomaci, që, në jo pak raste delikate, në pozicionin e ministrit të punëve të jashtme të zëvendëskryeministrit ose të kryeministrit, ka dhënë kontribute të pamohueshme në interesin kombëtar. Por, mendoj se në këtë rast, pati një ngut dhe duket se diçka nuk shkoi si duhet. Sipas meje, qëndrimi që u mbajt nga qeveria politikisht ishte i drejtë dhe i paqortueshëm. Edhe nga pikëpamja juridike, ai është në konformitet me aktet kryesore të së drejtës ndërkombëtare, me Kushtetutën dhe legjislacionin vendas. Janë disa konventa që trajtojnë raportet e shteteve me organizatat ndërkombëtare. Midis tyre një vend të veçantë zënë Konventa e Vjenës, e vitit 1961 Për marrëdhëniet diplomatike, Konventa e Vjenës, e vitit 1975 Për përfaqësimin e shteteve në marrëdhëniet e tyre me organizatat ndërkombëtare me karakter universal, Konventa e Vjenës, e vitit 1986 Për të drejtën e traktateve ndërmjet organizatave ndërkombëtare dhe shteteve ose midis organizatave ndërkombëtare etj. Këto dy të fundit nuk kanë hyrë ende në fuqi, por normat e tyre kanë marrë vlerën e zakonit në të drejtën ndërkombëtare. Ato sanksionojnë të drejtën e kryetarit të shtetit, kryetarit të qeverisë, ministrit të punëve të jashtme dhe kryetarëve të misioneve të përhershme pranë organizatave ndërkombëtare, për adoptimin e tekstit të një traktati midis shteteve akreditues dhe kësaj organizate (rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB janë një ndër llojet sui generis të traktateve ndërkombëtare). Ata nuk kanë nevojë të jenë të pajisur me plotfuqi, instrumentin përkatës që autorizon kryerjen e veprimeve të mësipërme, sepse janë organe konstitucionalë dhe konsiderohen ex officio përfaqësues të shtetit të vet. Rrjedhimisht kanë tagrin e nevojshëm juridik për të dhënë pëlqimin në emër të tij për adoptimin ose autentifikimin e një traktati ose për të shprehur pëlqimin e shtetit për të qenë i lidhur me të. Pra, nuk është vepruar gabim. Nuk është vepruar gabim edhe sepse në bazë të nenit 100/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, është Këshilli i Ministrave organi që përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore. Pasi miratohen nga Kuvendi në seancën e investiturës së qeverisë, si pjesë e Programit të qeverisë ato shndërrohen në detyrime shtetërore. Neni 102/1/b, thotë se Kryeministri… koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet për to. Kjo do të thotë pa pikë dyshimi se vullnetin e shqiptarëve për këto raste e përfaqëson në radhë të parë qeveria, e miratuar dhe e votuar nga Kuvendi. Kushtetuta në nenin nenit 92/ë parashikon gjithashtu se Presidenti i Republikës “lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit”. Por, në këtë rast, nuk rezulton që ai të jetë penguar nga ndonjë institucion vendas, qoftë ky kryeministri, ministri për Europën dhe punët e jashtme ose kryetari i misionit shqiptar në OKB, për të ushtruar kompetencën e vet, për t’u shprehur për rezolutën në fjalë. Duket sikur ai ka pritur se ç’do të bënte qeveria.

Megjithatë, për të gjykuar objektivisht për çfarë ka ndodhur është e nevojshme të mbahet parasysh edhe Ligji 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm”. Në nenin 8, të tij thuhet se MPJ (aktualisht MEPJ)informon, brenda detyrave dhe përgjegjësive të veta, Presidentin e Republikës për çështje të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare, siç ishte edhe rezoluta në fjalë. Në mediat e këtyre ditëve u transmetua njoftimi i kabinetit të Presidentit, ku vihej në dukje se MEPJ nuk e kishte përmbushur këtë detyrim. Sipas institucionit të presidentit vetëm disa minuta para votimit, drejtori i kabinetit të Presidentit i ka telefonuar drejtorit të përgjithshëm politik në Ministri, për t’u njohur me mënyrën e votimit të Shqipërisë në OKB. Më tej nënvizohet se kreu i shtetit është njohur me votën e Shqipërisë vetëm nëpërmjet mediave. Por portali Lapsi.al, pretendon se ka verifikuar dokumentacionin përkatës në MPJ dhe ka ndjekur rrjedhën e zhvillimeve, të cilat, sipas tij përgënjeshtrojnë pohimet e Presidencës. Ai ka ekspozuar pjesë nga mesazhet e shkëmbyera përmes postës elektronike ndërmjet Sokol Gjokës, drejtor i Marrëdhënieve Shumëpalëshe në MEPJ, me Valter Ibrahimin, këshilltarin diplomatik të Presidentit. Ato dëshmojnë  se komunikimi i tyre kishte filluar madje që përpara mbledhjes së Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OKI), e cila përpunoi dhe miratoi projektin e rezolutës për Jeruzalemin. MEPJ jo vetëm që e njoftoi Presidencën për pjesëmarrjen e ambasadorit shqiptar në OKI, por i përcolli edhe fjalimin që ai do të mbante. I transmetoi njëkohësisht informacione të tjera për rezolutën. Sipas Lapsi.al, Z. Gjoka lutej për një reagim nga Presidenca. Përgjigjia që mbërriti në orën 17:45 të datës 11 dhjetor nga këshilltari i Presidentit ishte se “sa të kem një instruksion të njoftoj menjëherë”. Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm politik, në MEPJ, Ferit Hoxha i bëri të qartë me telefon shefit të Kabinetit të Presidentit, Arben Cici, se vota e Shqipërisë në OKB do të ishte në të njëjtën linjë me vendet e BE-së. MEPJ sqaron se Presidenca e dinte qëndrimin që do të mbahej në OKB, që kur u informua për praninë e ambasadorit shqiptar në OKI. Nga sa më sipër duket se janë përmbushur kërkesat e nenit 8 të Ligjit Për shërbimin e jashtëm, të sipërcituar. Presidenca i ka hedhur poshtë si të pavërteta njoftimet e Lapsi.al.

Siç shihet, pas votimit në OKB, marrëdhëniet ndërinstitucionale ndërmjet dy organeve më të larta të vendit, morën trajtat e një dueli në distance, me pohime e mohime, për të cilat nuk ka kuptim të bëhen komente.

Letra që iu dërgua Presidentit Trump nga Presidenti Meta, tingëllonte jo vetëm si kërkim ndjese, për mendimin tim e panevojshme, por edhe si ankesë ndaj qeverisë së vendit të vet, çka mund dhe duhej të ishte evituar. Nga pikëpamja praktike në fund të fundit letra nuk kishte fuqi juridike që të prodhonte ndonjë pasojë. Ajo nuk e zhbënte dot votën në OKB, që, siç u tha, nuk lypsej sepse ishte në kahun e duhur. Ndërhyrja nuk do të mund të ndryshonte asgjë madje edhe sikur t’i bëhej vetë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres.

Le të shpresojmë se nga ky rast institucionet shtetërore përkatëse do të kenë nxjerrë mësimet e duhura, një prej të cilave është parimi shumë i rëndësishëm që çështjet e politikës së jashtme nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen emocionalisht. Ato janë veprime tepër delikate dhe me përgjegjësi të veçantë. Nuk kanë të bëjnë me individët që mund të ndodhen në krye të tyre, por me zhvillime që mund të ndikojnë në fatet, pozitën dhe imazhin e vendit. Kushdo që është i përfshirë në to, duhet të mbajë kurdoherë parasysh se, siç thonë francezët, në këto raste la colère est toujours la mauvaise conseillère (zemërimi është gjithmonë këshilltari më i keq) dhe, siç themi ne shqiptarët, hesapet e shtëpisë nuk nxirren në pazar.

Please follow and like us: