Albspirit

Media/News/Publishing

Burgu i Spaçit, kujtesa e shitur për skrap

Rënojat e “Aushvicit” shqiptar në Ditën e kujtesës së krimeve të komunizmit

Rruga nis përmes Mirditës, luginës së Fanit, ecën disa orë dhe të shfaqet Repsi. Përmes maleve në të majtë merr rruga përgjatë përroit të Seftës për të mbërritur në Spaç. Është një luginë që rrethohet nga male të larta, një sipërfaqe e kufizuar, atje ku shtrihej burgu i Spaçit.

Mbi 1000 burra të burgosur në atë luginë skëterre kishin qiellin të vetmen pamje për të shijuar ato pak dekika pa hekura, kur përshkonin rrugën që i çonte tek miniera e vdekjes, për të nxjerrë bakër dhe pirit të zi. Dikur kishte tela me gjemba, mure që garantonin sigurinë e lartë, vagona të minierës, biruca, vendi ku torturoheshin “armiqtë”. Tani nuk ka më asgjë, as tela as hekura, as vagona. Asgjë. Burgu i Spaçit është shitur për skrap.

Në vitin 1967, xhelatët komunistë Mehmet Shehu e Enver Hoxha, e kishin projektuar atë vend si më të përshtashmin për të çfarosur armiqtë e partisë.  Larg syve të gjithkujt, larg botës e po kaq larg është sot edhe kujtesa për ta. Sepse, pasardhësit e Mehmet Shehut e Enver Hoxhës në krye të shtetit shqiptar i kanë lënë ata aq të largët në kujtesën e Shqipërisë.

Drama e 1000 burrave që vuajtën çnjerëzisht në Burgun e Spaçit nuk do të mund të përjetësohet në kujtesën tonë kurrë. Burgu i Spaçit është shkatërruar, është kthyer në rrënojë. Ulërimat mbytëse të historisë tonë komuniste nuk do të mund të imagjinohen, duke e parë burgun e Spaçit. Ndoshta të tillë e duam ne shqiptarët të shkuarën tonë të shkatërruar, të rrënuar, pa asnjë gjurmë. Me sa duket ne nuk duam t’i dëgjojmë ato piskama të tmerrshme të atyre 1000 burrave që simbolizojnë dhunën komuniste mbi popullin shqiptar. Koha ka treguar se ne kemi frikë të përballemi me të shkuarën.

Në vitin 2013, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, qeveria Berisha vendosi që burgun e Spaçit ta kthejë në muze. Por në fakt, nuk pati asnjë hap në këtë drejtim. As nga qeveria pasardhëse, ajo e sotmja e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Në vitin 2015, burgu i Spaçit është përfshirë në listën e vendeve të rrezikuara nga Fondi Botëror i Monumenteve, një organizatë e përkushtuar për ruajtjen e vendeve unike kulturore. Kjo organizatë i ka bërë thirrje shtetit shqiptar të marrë menjëherë masa për ta ruajtur burgun e Spaçit.

Është burgu më i tmerrshëm i regjimit komunist në Shqipëri ku humbur jetën shumë të dënuar politikë. Në atë burg vuajtën dënimin përmes torturave çnjerëzore ata që cilësoheshin si kundërshtarët më të ashpër të pushtetit të atëhershëm të diktatorit Enver Hoxha.

Sot, burgu i Spaçit është një rrënojë pa shenjat, me të cilat identifikohej regjimi komunist.  Hekurat e asaj ndërtesë janë vjedhur për t’u shitur për skrap. Askush nuk shqetësohet nga kjo gjë. Nuk u shqetësua Berisha e as nuk shqetësohet Rama. Zhdukja e atij burgu është zhdukje e një cope të madhe të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Jemi në “Ditët e kujtesës së krimeve të komunizmit”. Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, tha dje se krimet gjatë diktaturës komuniste meritojnë njohje të plotë. Diplomatja e BE kërkoi drejtësi për krimet e komunizmit, kur theksoi se këto janë çështje të drejtësisë në tranzicion. “Krimet gjatë diktaturës meritojnë njohje të plotë. Nuk ka drejtësi pa të vërtetën dhe pa fakte”, tha Vlahutin.

Sa për drejtësinë që përmend zonja Vllahutin për krimet e  komunizmit, duket shumë vonë. Kanë kaluar 26 vjet. Këtë vonesë e projektuan bashkë me trashëgimtarët e komunizmit, (me apo pa dashje), pararendësit e ambasadores që erdhën në Shqipëri qysh në vitin 1990.

Spaçi, Qafë Bari, Burreli, Këneta e Maliqit, kampi i nternimit në Tepelenë, Turan, Berat, Kuçovë, Porto-Palermo, Shtyllas, Savër, Gradishtë, Grabjan, Çermë, janë tashmë veçse një vegim i largët i diktaturës së hekurt që ndërtoi Enver Hoxha, janë ndryshk  në “skrapin” që projektoi Nano, Berisha, Rama e të ngjashmit e tyre,  në 26 vite./27.al/

Please follow and like us: