Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. as.dr. Ilir Kanini: Dashuria e përbashkët për “Mësuesin”

                                                                       

 

-Pak fjalë  për publicistin e pa papërtuar Fran Gjoka, mikun e kolegun tim prej afro 40 vitesh-

Deri në vitin 1974, kur mbarova shkollën e lartë, besoj se thuajse si çdo i ri në Shqipëri, përveç të ushtruarit me sport, në mungesë të televizorit, gjëja që mëpëlqente më shumë ishte të lexoja libra, kryesisht romane, novela e tregime. Për gazeta e revista, as që bëhej fjalë. Përjashto ndonjë rast kur blija ndonjë gazetë “Sporti popullor”, sigurisht  kur fitonte Kombëtarja jonë e futbollit, zakon që më ka mbetur edhe tani.  Kuptohet që nuk më kishte shkuar ndonjëherë ndërmend se edhe unë do të shkruaja në ndonjë gazetë, që do bëhesha gazetar, madje që do të bëhesha edhe kryeredaktor për plot 20 vite bashkë në një gazetë kombëtare.

Gjithçka në marrëdhënien time me shtypin e shkruar sikur ndryshoi kur fillova punën si mësues nëfshatin Troshan në Zadrimëtë Lezhës. Drejtori Mark Pali, njeri tepërpërkushtuar, karizmatik e skurpuloz na komunikoi porosinë e eprorëve se çdo mësues duhet të abonohej detyrimisht në dy organet kryesore arsimore të kohës: gazetën “Mësuesi” dhe “Revistën Pedagogjike”. Si të gjithë kolegët, u abonova edhe unë. Fillova t’u hidhja një sy këtyre organeve, por me indiferencë. Nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën janë dhjetëra lëndë.Kësisoj ishte e vështirë që në një apo disa numra radhazi secili mësues të kishte mundësi ta gjente veten me shkrime për lëndën apo klasën ku jepte mësim në gazetën “Mësuesi”.

Gazeta kishte edhe një rubrikë të përjavshme. Ajo ishte “Traditat tona”, e cila më hyri menjëherë në zemër. Falë kësaj rubrike, po edhe për shkrimet që botoheshin kohë pas kohe për historinë, gjeografinë, drejtimin e shkollës, kuptova që 50 qindarka sa kushtonte gazeta ishte një shpenzim fare i vogël për t’u pajtuar me dëshirë në këtë organ. Por gazeta në fshat vinte me qere nga Blinishti, që ishte qendra e kooperativës. Rruga qe plot baltë, ndaj gazetën herë e sillnin e herë jo. Qesari gazetat i lindte te dyqani i bukës, kështu që shpesh gazeta nuk më binte në dorë. Atëherë u detyrova që të bëja edhe një abonim tjetër në shtëpi. Kësisoj unë kam qenë i abonuar dy herë në gazetën “Mësuesi”, një herë në fshat që t’i tregoja kuponin drejtorit dhe njëherë në shtëpi, se doja ta kisha të plotë koleksionin. Dhe  tashmë unë e kam koleksionin e gazetës “Mësuesi” nga viti 1976 deri në vitin 2003. Në një kohë që në bibliotekën e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë ky koleksion nuk ekziston më, pasi me rikonstruksionin e fundit që iu bëndërtesës së këtij dikasteri, biblioteka e pësoi, u bë aq e vockël sa që kontingjenti i librave u përgjysmua dhe doemos nuk mund të kishte vend për koleksionin e gazetës “Mësuesi”. Kështu që i shkreti koleksion i mbledhur dhe ruajtur me kujdes prej më shumë se 60 vitesh përfundoi si diçka pa vlerë në koshin e plehrave.

Gjatë punës time si mësues dhe si lexues i rregullt i gazetës “Mësuesi” kisha vërejtur se nuk isha vetëm unë që e doja këtë organ. Ishin edhe shumë bashkëpunëtorë, që nuk iu ndanë atij për e vite të tëra, si Lec Zadeja, Idriz Kali e Lukë Luka në Shkodër, Sabah Sinani në Pukë, Kujtim Kabashi në Durrës, Mevlud Buci në Dibër, Pandeli Pano në Vlorë, Xhevdet Gjeçi në Kavajë, Mark Lazri në Mirditë, Safet Selimaj në Kukës, Luzim Miraka dhe Fatos Bajraktari në Elbasan, Xhevahir Lleshi në Berat, Fran Gjoka dhe Veli Brahimaj në Lezhë e shumë e shumë të tjerë, të cilët është e pamundur t’i përmendësh të gjithë . Ata ishin të pranishëm kurdoherë në gazetë, me lajmë nga rrethet e tyre, duke e sjellë të freskët zërin e mësuesve. Më vonë puna do më lidhte me të gjithë këta dashamirës e militantë të shtypit arsimor, por miqësinë më të ngushtë e pata me Fran Gjokën, si mësues i rrethit ku punoja.

Është e çuditshme se si të injektohet “virusi’ i të shkruajturit. Rasti e solli që edhe unë të bëhem shpejt një nga ata që nuk u mjaftuan vetëm me leximin e gazetës. Doja të shkruaja dhe unë. Si mësues i historisë, pasioni im ishte historia, pra dhe shkrimet për historinë. Miku im i mirë Petrit Ymeri, aso kohe redaktor në Radio Tirana më përzgjodhi për hartimin e pyetjeve të konkursit kombëtar me nxënësit maturantë të vendit për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Veprimtari kjo e zhvilluar në kuadrin e 100 vjetorit të kësaj ngjarjeje të shënuar. U përzgjodha edhe në jurinë e konkursit. Doemos, u bëra i njohur në rreth, ndaj dhe më ngarkuan të punoj për historikun e arsimit të rrethit tok me inspektorin Neki Dervishi dhe drejtuesin e disa shkollave në Lezhë, të ndierin Gjon Simoni. Shkrova më shumë se 500 faqe të daktilografuara. Ndërkohë, shkruajta historikun e arsimit të shkollës së Troshanit,  historikun e fshatit Troshan si dhe ngrita edhe muzeun e fshatit, për mua goxha i mirë për një fshat, por që furia e marrëzisë së vitit 1991 e rrafshoi nga themelet, si diçka e pavlefshme, siç u bë edhe me dyqanet, zyrat e kooperativës e çdo ndërtesë tjetër publike në këtë fshat. Po këto nuk kanë të bëjnë me temën e shkrimit. Desha thjesht të tregoja se tashmë edhe unë u bëra gati të filloja të shkruaja, thjesht si nevoja e një intelektuali për të ndarë me të tjerët ato që di. Botova disa shkrime historikë në Radio Tirana. Ndonjë shkrim të vockël te “Sporti popullor”.  Fillova të botoj ndonjë shkrim me karakter historik edhe në gazetën  “Mësuesi”.  Duket redaksia m’i pëlqeu këto shkrime dhe më piketoi për të më marrë si punonjës të saj. Por deri në atë kohë kisha bërë vetëm shkrime që kisha dëshirë vetë t’ibëja, po jo të porositura. Ndaj redaksia duket donte të më vinte akoma në provë.

Në pushim të  një sesioni shkencor të zhvilluar në Lezhë më afrohet një djalosh te të 30 tat. Pak më i gjatë se mesatarja, simpatik dhe tepër i edukuar. -Quhem Fran Gjoka, më thotë me thjeshtësi. Kam një porosi për ty nga redaksia e gazetës “Mësuesi”.

Të them të drejtën u emocionova. Sot, kur në Shqipëri botohen me dhjetëra organe nuk është shumë e vështirë të botosh. Po aso kohe, në vitet ’80, kur organet qendrore nuk ishin më shumë se gishtat e dy duarve, ishte gjë e madhe të takoheshe apo të njihje një gazetar apo njeri që shkruante në gazetë. Për ta ilustruar sa them, po kujtoj rastin e 70 vjetorit të Pavarësisë. Botova një shkrim te “Bashkimi” për kryengritjet kundër osmane në Lezhë. Për të u kishte folur për mua punonjësve të aparatit vetësekretari i parë i PPSh tërrethit dhe që nga ajo ditë, sa herë më shihnin, disa nga instruktorët më flisnin me respekt.

Ja përse edhe unë u emocionova kur takova Franin. Emrin e tij e shihja thuajse çdo muaj në gazetën “Mësuesi”. Shkruante për probleme nga më të ndryshmet. Prej shkrimeve të tij unë njoha më mirë arsimin në rrethin ku punova për 9 vjet.  E ja tani po takohesha e po bisedonim ballas. Frani hyri menjëherë në temë: -Më kanë porositur nga redaksia e gazetës “Mësuesi”, -më tha,  që lajmin për këtë veprimtari ta shkruash ti.

Për mua ishte gjë e re të shkruaja diçka me porosi. Sikundër thashë, kisha shkruar vetëm sipas dëshirës time. Duhet të shkruaja me detyrim. Pavarësisht se ishte thjesht një lajm. Tani që kam shkruar më se 2000 artikuj, qesh me veten time për “shokun” që më shkaktoi detyra që më ngarkuan. Fundja ishte në lojë e ardhmja ime. Frani si njeri me përvojë tashmë dhe me dashamirësinë që e karakterizon, më tha: kujdesu që shkrimi të mos i kalojë 30 rreshtat. Mbaj parasysh masivitetin dhe detyrimisht edhe temat që u referuan nësesion. Është gjë e thjeshtë, do e shoh edhe unë kur të ma japësh nesër.

Deri atë ditë nuk ia kisha haberin teknologjisë së shtypit, që përgatitej me linotipët me plumb. Dhe siç thoshte i ndieri prof. “Shefik Osmani” edhe ai ish-gazetar i “Mësuesit”, “plumbi nuk ka logjikë”. Pra detyrimisht vetëm 30 rreshta. Kisha një makinë të vockël shkrimi të drejtorit. Një zot e di sa fletë grisa e sa herë e shkruajta për t’i arritur tamam 30 rreshtat e kërkuara. Po të nesërmen, Frani, mësuesi im i parë i gazetarisë më përgëzoi. Që nga ajo ditë Frani do bëhej nga miqtë e mi më të mirë. E kisha koleg, po edhe bashkëpunëtor për mbi 20 vite. Më ka ardhur në shtëpi, i kam shkuar më shtëpi, për të mirë e për të keq, si i thonë.

Po më shumëna bashkonte dashuria për gazetën “Mësuesi”, ashtu si me Sabahun, Lecin, Idrizin, Lukën, Panon, Lulin,  Kujtimin…

Natyrisht, shkrimi u botua. Botova më pas edhe shkrime të tjerë. Për vitin e ri redaksia më dërgoi një kartolinë urimi. Sigurisht një kartolinë nuk është asgjë. Kushdo mund të ketë marrë me qindra kartolina në jetë. Po kartolina që më dërgoi redaksia ishte kuptimplotë. Ishte me kokën e gazetës dhe me fjalët e zakonshme të urimit. Është pikërisht ajo kokë që do më shoqëronte për shumë vite. Dhe kur ndryshuam teknologjinë e shtypit nga plumbi te kompjuteri, unë si kryeredaktor urdhërova të skanohej koka dhe të vazhdonte të dilte gazeta me kokën shumë vjeçare.

Punën si redaktor në gazetën “Mësuesi” e fillova në korrik 1983. U njoha për fytyrëme të gjithë korrespondentët vullnetarë që i kisha lexuar më parë me ëndje e simpati gjatë viteve kur isha mësues. U bëra miq me të gjithë. I ruajta si bashkëpunëtorë dhe si i thonë ua lashë me amanet edhe pas ardhësve, sidomos shoqes time Vjollca Spaho, fiks siç bënë edhe kryeredaktorët e tjerë.

Bashkëpunëtorët më shoqëronin me dëshirë kur shkoja me shërbim në qytetet e tyre. Kujtoj njëherë të ndierin Sabah Sinani, që kur shkova në Pukë, edhe pse ishte nga ky qytet, për të mos më lënë vetëm fjeti me mua në hotel.

Mik nga më të mirët e redaksisë ishte sidomos Fran Gjoka. Ishte makinë shkrimesh. Gjuetar problematikash. Prodhues i papërtuar lajmesh. Nësaj të tij Lezha u bë nga rrethet “më të eksploruara” të vendit, ndër më të njohurit për lexuesit. Çka dhe nxiti edhe një garë mes bashkëpunëtorësh. Nga Shkodra, Durrësi, Vlora, Dibra, etj., lajmet në redaksi nuk mungonin kurrë.  E pra të gjithë këta miq të gazetës, që etiketoheshin “korrespondentë vullnetarë” e bënin vetëm për pasionin e tyre. Vetëm nga dashuria për gazetën “Mësuesi” po edhe për profesionin të tyre të mësuesit.

Natyrisht Frani nuk ishte vetëm miku edhe bashkëpunëtori im. Miq të tij ishin edhe Thoma Qendro e Agim Xhafka, kryedaktorë, Sali, Hamzai, Murat Gecaj, Kiço Kosta, Irma Kurti, Zenel Anxhaku, redaktorë të gazetës “Mësuesi”.

Historia përsërit vetveten. Kështu kishte qenë Frani, po edhe bashkëpunëtorët e tjerë miq me paraardhësit tanë, të madhin Bedri Dedja, “demkën” e famshëm të Dritero Agollit, Sofokli Afezollin, Kozma Grillon, Sadie Agollin, Miti Koçin, etj. etj., po edhe me pasardhësit tanë në gazetë, pas vitit 2003, Vjollca Spahon, Viron Konën, Andon Andonin, Zaim Elezin, Nestin e të tjerë. Të gjithë e kanë çmuar Franin për shpirtbardhësinë e tij, për korrektesën, për zellin, dhe sidomos për dashurinë e pafundme që kishte për gazetën tonë të përbashkët “Mësuesi”.

Bashkëpunëtorët apo korrespondentët vullnetarë si ithoshim ne, ishin si arteret. Si bletët punëtore atasillnin çdo ditë në gazetë gjak të ri, lajme të reja nga rrethet ku kanë punuar. I bënë të afërt për mësuesit rrethet e tyre, sollën përvojën më të mirë në mësimdhënie, në metodat e punës, në përgatitjen e bazës didaktike me forcat e veta, por ngritën edhe mjaft probleme. Pikërisht me punën e mësues Franit me shokë ne mundëm të publikonim faqe të veçanta nga puna në secilin rreth.

Nuk kam se si ta harroj Franin dhe bashkëpunëtorë të tjerë në ditët e ngjeshura edhe të sikletshme kur kërkoheshin lajme të freskëta e urgjente. Në një ditë dhjetori, në një të ftohtëacar, kur isha me temperaturë 39 gradë, kur kolegët ishin në shtypshkronjë, kryeredaktori më urdhëron të plotësoj dy faqe  gazetësi jehonë për një fjalim të rëndësishëm të “udhëheqjes”. Të mendosh se atëherë nuk kishte as celular e as prefiks. I them centralistes të më lidhte pikërisht me rrethet ku kisha miqtë e mi bashkëpunëtorë. Të gjithë si ushtarë të bindur, njëri pas tjetrit më dhanë në telefonon materialet për rrethet e tyre. Dhe në ora 14, dola me faqe të bardhë. Shkrimet i dërgova në shtypshkronjë.

Për 8 vitet e mia si redaktor dhe 11 vite si  kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”  Franin e kisha mik me besë. Përpos shkrimeve, duke qenë se për shumë vite punoi edhe pranë drejtorisëarsimore rajonale më ndihmoi edhe për garantimin e tirazhit të shitjes së gazetës. Është puna e Franit po edhe e pas ardhësit të tij Veli Brahimi, që Lezha kishte shitjen më të madhe të gazetave në shkallë vendi. Në çdo shkollë kishte 6-7 a më shumë mësues të pajtuar në këtë organ të dashur.

E them me bindje që gazeta “Mësuesi” mbijetoi në sajë të pasionit të punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të saj dhe “vdiq” prej neglizhencës së drejtuesve. Shumë herë mbeti pa letër, por siguroi letër të falur, mbeti pa para, po u mbajt me financime nga të tretët. Ndokush mund të mbajë mend kur në ditët kur Ministria nuk jepte as makinë për të çuar letrën deri në shtypshkronjë kryeredaktori, redaktorët tok me dashamirës të gazetës e kanë mbajtur atë në krah nga togje -togje nga Ministria në “Rrugën e Durrësit” deri te ish-shtypshkronja “Çajupi” në unazë. Mes tyre “hamej”janë bërë vullnetarisht edhe punonjës shkencorë të Institutit të Studimeve Pedagogjike, me tituj e grada, si Qazim Kashari, Hektor Veshi, Haki Baçi e të tjerë. Sepse edhe ata ishin miq të gazetës “Mësuesi’ dhe e donin pafundësisht atë.

Ja përse është për të ardhur keq që tani gazeta “Mësuesi” ka heshtur për fare që prej një viti. Dhimbjen e ndiejnë të gjithë dashamirësit e saj. E ndien shumë edhe bashkëpunëtori historik i saj Fran Gjoka, që asnjëherë nuk ka rreshtur sëngrituri zërin e së shkruari për domosdoshmërinë e çeljes së saj.

Por Frani tashmëështë një publicist i pjekur. Shkrimet e tij janë të denja për çdo gazetë, ndaj emrin e tij e sheh shpesh thuajse në të gjitha organet e shtypit. Madje edhe në ato më prestigjiozet e vendit. Numri i artikujve që ka shkruar dhe tematika e gjinive që ka rrokur mund të bënte krenar çdo publicist e gazetar me emër në Shqipëri. Por Fran Gjoka është gjithmonëmodest, kokë ulur, gjithmonë në kërkim të fakteve e në punë për shkrimin e artikujve të rinj. Se për të gazetaria është më  shumë se një mënyrë për të kaluar kohën e lirë, është më shumë se një hobi apo pasion. Është një borxh ndaj profesionit të mësuesit, të cilin e ka ushtruar prej më shumë se 40 vitesh.

Fatlumturisht në shpirt e në trup Fran Gjoka është ende vital dhe i ri. Si mik i tij i uroj përzemërsisht të jetë kështu edhe për shumë vite të tjerë e të vazhdojë të ketë krijimtari të begatë.

 

Please follow and like us: