Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Andrea GUDHA: Shkolla është dije, kudo e në çdo kohë për një shoqëri të kulturuar

Qysh në shek.V p.e.s në Antikitetin grek, shekull i quajtur si “ Epoka e Perikleut”, nga filozofët e asaj kohe u gjykua si e domosdoshme, se mendja e qenies njerëzore, që në fëmini, ka nevojë për edukim e arsimim. E, në këtë kohë u ngritën shkolla në Athinë e shkollat e Asclepios në ishujt Rodos e Kos etj, ku jepnin mësim filozofët e kohës si Platoni, Aristoteli, Pitagora, Aristofani, Sofokliu, Hipokrati etj.

Një nga filozofitë më të rendësishme të jetës është dija, e cila është thelbi dhe esenca e të gjitha forcave, objekteve e fenomeneve, qëna imponohen e që na rrethojnë. Dija e bën njeriun të ditur, të ndriçuar, të mençur e të urtësuar. Njeriu i ditur orientohet më  shpejt në  hapsirë  dhe në  kohë, akomodimi i tij në mjedisin shoqëror dhe natyror është  më  cilësor për vete e për shoqërinë. Dhe produkti i tij është më cilësor e njerëzor.

Në ngritjen dhe në lulëzimin e një komuniteti të ri, fillimisht mbillen pemët, sigurohet uji, elektriciteti, rruga, qendra shëndetësore  dhe njëkohësisht ngrihet shkolla, ku kultivohet dija dhe kultura, për edukimin e fëmijëve, si ardhmëria e një kombi. Një komb del nga errësira vetëm me dije. Arsimi ndriçon në saje të pedagogjisë dhe pedagogjia ecën përpara në saje të dijes progresive.

Një pedagogji e keqe, që zhvillohet në klasë a auditor nga mësues a pedagogë të paditur, produkti i saj i mësimdhënies do të jetë jo cilësor dhe, nga ana shëndetësore, do të shkaktojë konfuzion dhe stres tek nxënësit e studentët. Në fjalorin e gjuhës shqipe fjala “pedagogji” përkufizohet si: “shkenca që merret me edukimin dhe arsimimin e fëmijëve e të të rinjve e me metodat, që duhen përdorur për këtë qëllim” dhe fjala “pedagog” përkufizohet si: “ai që mëson dhe edukon fëmijët e të rinjtë, duke zbatuar parimet dhe metodat e pedagogjisë”.

Si mjek dhe si pedagog në mësimdhënie, sot, në retrospektivë, një  shekull e gjysëm pas, në prizmin e globalizmit kulturor dhe në  frymëmarrjen e Demokracisë, gjykoj, se Normalja e Qestoratit (1869-1981) e Liceu francez i Gjirokastrës (1923-1928), në kohën e tyre, kishin qenë “Kështjellë e Diturisë” me orientim perëndimor. Nga këto shkolla dhe sot kemi çfarë të mësojmë nga historia dhe nga pedagogjia: nga idealizmi dhe vizioni i pedagogëve të saj, nga metodologjia e pedagogjisë, nga infrastruktura didaktiko- pedagogjike, nga katedrat e mësuesve, klasat, konvikti, nxënësit, veprimtaritë artistike, shëtitjet, librat, biblioteka…

Lexuesi le ta gjykojë vetë!

Hyrje

Rrethanat historike të Arsimit dhe Pedagogjisë në Evropë e në Shqipëri

Në kohën e Rilindjes në Evropë lulëzoi arsimi dhe mendimi pedagogjik. Në këtë periudhë u shquan humanistët Vitorino da FeltreLudvig VivesiFrançois Rabelais dhe të tjerë, të cilët kontribuan në pasurimin e përmbajtjes mësimore, në metodat e reja të arsimimit dhe në marrëdhëniet më humane me fëmijët. Pedagogu çek Jan Amos Komenski, themelues i didaktikës pedagogjike dhe  i futjes së sistemit klasë-orë-lëndë, me idetë e tij kombinoi filozofinë natyrale të Rilindjes dhe pikëpamjen materialiste të filozofit anglez Francis Bacon.

Në periudhën e Iluminizmit në shek.e 18-19-të në të gjithë Evropën, me qendër në Francë, kemi një lëvizje masive kulturore dhe filozofike për përhapjen e dijes dhe arsimit. Por, pedagogjia, afirmimin e saj të parë e përjetoi vetëm në shekullin e 19-të, ndërsa afirmin e saj si shkencë e ndjeu në vitet 70-të të shekullit 20-të.

Në shekullin e 19-të Louis Théophile Joseph Landouzy, neurolog, mbrojtës i flaktë i gjuhës greke dhe latine, shkruante: “Mendoj se edukimi klasik duhet të jetë për njeriun një forcë, po aq sa dhe stoli. Mendoj, se asnjë kudhër tjetër nuk vlen për të farkëtuar trurin, për të formuar gjykimin e për t’i dhënë vrull asaj pjese ideale, që duhet të bëjë të plotë mjekun, sa specialist aq edhe artist”.

Dhe, të huajt kur vizitonin Parisin, u bënte përshtypje gjuha e qartë dhe e përpunuar e lektorëve në auditor të  cilët thoshin: “Eshtë kurioze të vihet re, se këtu në Paris, nuk duhet të shkosh në shkollën e Drejtësisë dhe as në Sorbonë për të dëgjuar profesorë elokuentë, por në Fakultetin e Mjekësisë”.

***

Shqipëria në këtë periudhë ishte nën pushtimin otoman. Populli ishte në obskurantizëm e në errësirë, në padije e në analfabetizëm total (90% e popullatës), në kushte të tmerrshme ekonomiko-financiare e në një jetesë të tejskajshme patriarkale e sociale. Mentalitet feudal. Me një sëmundshmëri e me një vdekshmëri të tmerrshme, që e brente përbrenda popullin, nga sëmundje si: Malarja, Tuberkulozi, Sifilisi, Lepra, etj. Jetëgjatësia mesatare e moshës ishte 30-35 vjeç. Djemuria shqiptare, gjatë shek.19-të, për të shpëtuar nga kjo gjendje tepër e vështirë, mori rrugët e kurbetit e, ato pak familje në gjendje të mirë ekonomike, fëmijët i dërguan për shkollim jashtë në Stamboll aponë Athinë. Këtë emigrim pësoi dhe djemuria nga krahina e Lunxhërisë, të cilët emigruankryesisht në Stamboll. Nuk kishte shtëpi që të mos kishte një të afërm në kurbet, të cilët përfituan nga thesari i kulturës së Perëndimit, nga Rilindja Evropiane, sidomos nga Iluminizmi (ndriçimi) i saj. Ata u bënë tregtarë, mjekë, dijetarë të shquar e bamirës, duke dhënë kontribute të jashtëzakonshme në historinë e Shqipërisë dhe Greqisë. Sollën në vendin e tyre dritën e dijes, emancipimin dhe kulturën evropiane.

Image result for kostume lunxheria

Lunxhëria në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të njohu një zhvillim të paparë në historinë e saj. Lunxhëria është një nga shtatë krahinat, që përbëjnë sot territorin e e rrethit të Gjirokastrës, përballë qytetit të Gjirokastrës, në kufi me Krahinën e Rrëzës.

Krahina e Lunxhërisë, në Antikitet(shek.V-III p.e.s) banohesh nga Kaonët epirotë, të cilët kanë luajtur një rol të rendësishëm në Shtetin e Epirit. Në këtë krahinë, në lindje dhe përballë Gjirokastrës, në perëndim të fshatit Saraqinishtë, në kodrën e Jermës, lulëzoi një nga qytetet më të rendësishme të Kaonisë, Antigonea e lashtë. Antigonea u themelua në shekullin e 3-të p.e.s nga Pirro i Epirit (mbret i Epirit dhe i Molosisë), i cili e quajti atë përnder të emrit të bashkëshortes së tij, Antigonea. Gjatë shekujve 15-19-të, nën fshatrat e Lunxhërisë, kalonte rruga tregëtare e karvaneve, që lidhte luginën e Vjosës me atë të Drinos dhe kryqëzoheshin disa rrugë, që lidhnin Gjirokastrën me Përmetin e me krahinat e Greqisë.

Sipas regjistrimit osman të vitit 1431-1432 krahina e Lunxhërisë kishte 675 shtëpi. Gjatë shek.18-19-të, në këtë krahinë u ngritën fshatra të bukura e të sistemuara me planimetri të studiuar, që shquheshin për anën funksionale dhe estetike. Fshatra të afërta me njëri-tjetrin, të grupuara secili në dy tre mëhallë, me shtëpi dy-tre katëshe me mure prej guri, me çati prej dërrase, me avlli të madhe, me bahçe e me kopshte  me pemë: rush, fiq, arra, mane të  kuq etj. Me rrugë të shtruara me kalldrëme e me vende çlodhje nën hijen e pemëve. Krahinë e pasur me ujë e me mjaft kroje…

Në portat e pjesët ballore të shtëpive ende dhe sot ka mbishkrime, ka data dhe simbole të ndryshme, që dëshmojnë për historinë.

Veshja karakteristike, sidomos kostumet e grave të qëndisura e mahnitën poetin anglez, Bajronin. Në vitin 1809, duke udhëtuar nga Janina për të vajtur në Tepelenë, ai me grupin e tij, që e shoqëronin, më 17 Tetor 1809 qëndruan një natë në Qestorat. Miku dhe bashkëudhëtari i tij Xhon Kam Hobhauz, shkruan: “Ne u pritëm me një mirësjellje tepër të madhe nga i zoti i shtëpisë. Shtëpia e tij ishte e suvatuar pastër, lyer me gëlqere. Pa frikë mund ta quajmë të rehatshme dhe të këndshme. Aty, që kur u nisëm nga Janina, ne kaluam një natë më të mirë se sa të tjerat”. Kostumi lunxhiot i vajzave dhe nuseve të Lunxhërisë është një nga vlerat më të rralla të etnografisë shqiptare, që ka arritur të mbërrijë deri në ditët tona. Me magjinë dhe aromën e këtij kostumi unë u njoha që kur isha fëmijë, pasi prindërit e mi e mbanin atë në shtëpi si një gjë të rrallë…

Të veçanta qenë ditët për mua si fëmijë, kur vajzat dhe nuset lunxhiote vinin në shtëpinë e prindërve të mi në Gjirokastër, fal dhe pozicionit të saj afër sheshit “Çerciz Topulli” dhe visheshin me kostumin lunxhiot e zbukuroheshin, që të ishin gati për në koncert, në qytet. Nëna ime, Ollga, me fjalët e saj të ëmbla, i gëzonte dhe u vendoste në gjoks dhe një degë borziloku, që të mbanin erë të mirë…

Gjatë veshjes së kostumit dëgjoja fjalë, që nuk i kuptoja: “cohë, kadife dhe fermele… “Kostumi lunxhiot…!” Melodinë e këngëve lunxhionte e kam ndjerë sa herë kishim gëzime e festa në familje. Atmosfera e festës fillonte nga prindërit e mi me këngën: “As dalim pak-ënë lemë moj lule beharit, o…Të  bëjm’  sehir Lunxhërinë, moj lule beharit, o…”.

***

Në shekullin e 19-të, nën indikimin e Iluminizmit evropian, nga idetë e Volter e Russo, ishin dhe dy bamirësit e mëdhenj (filantropët) me përmasa evropiane: Vangjel Zhapa (1800-1865) nga Labova e Zhapës dhe Kristaq Zografo (1820-1898) nga Qestorati. Ata investuan dhe ngritën vepra bamirësie në tërë Perandorinë Osmane, si dhe në vendlindjen e tyre. Investimet e tyre u përqendruan më tepër në fushën e kulturës, dijes e arsimit.

Image result for kostume lunxheria

Pedagogjia në Normalen e Qestoratit me orientim perëndimor, shek.19-të

Normalja e Qestoratit

“Unë nuk e di se çfarë ka qenë gjyshi im. Më shumë më intereson të di, se çfarë do të bëhet nipi im”, thotë Abraham Linkoln.

Qestorati. Në gjysmën e dytë të shek. 20-të, në fëmininë time, gjatë pushimeve të shkollës, shpesh, beharin e kaloja në Qestorat, pranë familjeve të motrave të nënëssime nga Saraqinishta (mbiemri Dhima), të cilat ishin të martuara në Qestorat, në familjet Çipi dhe Papa dhe tek familja e xhaxhait, Petro Gudha. Nga ndonjëherë, në fshat, e merrja dhe violinën me vete…Në mes të fshatit ishte një godinë e madhe e vjetër, e braktisur, që i kishin ngelur vetëm muret e trashë prej guri e me shumë dritare.

Rruga për në shkollë, duke filluar nga Shën Mëria dhe nga shtëpitë e Papavasili, Mitrokosta, Kushta, Zhavara, Rumbi, Zografo ishte e shtruar me kalldrëm. Nën rrugë, poshtë shkollës ishin dhe dy godina më të vogla, që u kishin ngelur vetëm muret. Nga ana e fshatit, para shkollës shtrihej një shesh me një rrap madhështor dhe afër saj ishte kisha e Shën Mëhilli me këmbanën e saj. Nën hijen e rrapit, gratë e fshatit shkonin vargjet e duhanit… E, unë, duke shkuar vargjet e duhanit me njerëzit e mi, shikoja muret e shkollës së madhe, me gurët e zinj, të mëdhenj e të skalitur bukur…!?

Në fshat thoshin “me gjysëm zëri”: “Këtë shkollë e ka ngritur Zografo…” dhe “Në këtë shkollë ka qenë mësues dhe Koto Hoxhi”. Mësuesit në shkollë, në Gjirokastër, na flisnin me pasion për Koto Hoxhin, krahas rilindasve të tjerë si Çajupi, vëllezërit Frashëri etj. Me kuriozitetin prej fëmije shkoja të shikoja shtëpinë e Koto Hoxhit, e cila ishte nga ana e fshatit, që  lidhej me fshatin  Saraqinishtë. Ishte një shtëpi e braktisur, që i kishin ngelur vetëm muret…pa zot?! Por, ja si e përshkruan bashkëkohësi i asaj kohe, Guri Rr. Sevo, fshatin  Qestorat dhe  shtëpinë  e Koto Hoxhit: “Qestorati është  një  fshat kundrejt Gjinokatrës, në funt të malit Lepushë, midis dy brigjeve…Fshati ka qenë i pasur shumë  dhe burrat qenë  veshur të  gjithë  bukur: meshkujt me të  ngushta, femrat me kavath të  cohë  të  sjellë  prej Stambolli, me flori në  ballë  e në  gjoks. Gratë kanë qenë të zgjuara fort, huaj-pritëse dhe përdornin dhe falem nderjes asi kohe…Në Qestorat qëndronte një shkollë greke mjaft e lartë për atë kohë. Qestorati i mbushur me mësonjës. Nuk kishte fshat të Lunçërisë që të mos dërgonte dy-tre djem në mot në këtë skoli. Kjo Normale mbahej prej Kristaq Zografit, i cili dërgonte një mijë lireta në mot nga Stambolli. Tridhjetë djem dhe tridhjetë vajza mbaheshin aty me bursë, një djalë dhe një çupë nga çdo kaza…Në Qestorat, i ati i Petros (Petro Nini Luarasi) kishte një mik të dashur, që quhej Koto Hoxhi. Ky i ka patur shtëpitë në një nga këto bregore nga del dielli, mbanë fshatit. Shtëpitë qenë të mëdha, të gjëra, të gjata dhe të rrethuara me avlli nga të gjitha anët, të ndërtuara në kohën e Ali Pashës…”.

***

Ideatori dhe realizuesi i shkollës Normale-Qestorat ishte bamirësi i madh i kohës Kristaq Zografo. Kristaq Zografo lindi më 6 Dhjetor 1820 në Qestorat, Lunxhëri-Gjirokastër dhe vdiq në Paris më 19 Gusht 1898. Ai ndoqi shkollën ‘Zosimea’ në Janinë dhe pastaj shkoi në Stamboll për t’u bashkuar me biznesin e babait, Viktorit nga Qestorati. Gjatë viteve 1854-1881, Kristaqi u bë një nga kreditorët më të mëdhenj të shtetit osman, ishte ndër bankierët kryesorë dhe një nga bamirësit më të mëdhenj. Kristaqi e donte të bukurën dhe e vlerësonte kulturën dhe dijen. Me paratë e tij organizonte ekspozita e konkurse të arteve figurative në Paris e kudo. Ai, për dijen e kulturën, ofroi shuma të mëdha parash për ngritjen e shkollave të mesme në Konstandinopojë, në Universitetet e Mynihut dhe Parisit. Në vitin 1869, në vendlindjen e tij, në Qestorat, ai ngriti Shkollën Normale më të njohur të epokës. Bashkëkohësit e krahasonin atë me vlerat e shkollës së Voskopojës, megjithëse shkolla e Voskopojës ishte ngritur një shekull më parë. Gruaja e tij, Domenika, investonte çdo vit shuma parash për shkollën fillore në fshatin Stegopul-Lunxhëri, që, në nder të saj, shkolla quhej “Shkolla e Domenikës”.

Në jetëgjatësinë e Normales së  Qestoratit, prej 18 vitesh (1869-1891), nga kjo shkollë kanë dalë 400 mësues dhe një pjesë të nxënësve të kësaj shkolle kanë vazhduar studimet më  tej, në Universitet në Stamboll e Athinë: në avokati, në tregëti, në farmaci apo nëmjekësi, si mjekët: Foto P. Qirici, Jani Gacopuli, Mihal Bamia, Petro P. Riga, V. E. Papavangjeli, Spiridhon Fanti, Petro K. Duda, Viktor J. Zografi, Nikolla Peroni, Mihal Papadhopulli, të cilët shërbyen si mjekë në krahinat e ndryshme të Shqipërisë.

Fal kulturës së përgjithshme, emancipuese e përparimtare me orientim perëndimor, që zhvillohej në këtë shkollë, ndër mësuesit dhe nxënësit u ndriçua vetëdija kombëtare për gjuhën shqipe. Ndër ta u shqua Koto Hoxhi, mësues në këtë shkollë dhe nxënësit e kësaj shkolle si: Petro Nini Luarasi (shkollën fillore në gjuhën greke e ka bërë në fshatin Nokovë – Lunxhëri…), vëllezërit Pandelie Koto Sotiri e Jani Minga, të cilët ndezën dhe përhapën dritën e diturisë në të gjithë Shqipërinë.Në vitin 1874 Koto Hoxhi me nxënësit e shkollës vuri në skenë, për herë të parë në gjuhën shqipe, pjesën teatrale “Dasma Lunxhiote”. Ishte kohë e vështirë për dije, brenda kontekstit historio-gjeografik, Epir!

Është koha kur kjo zonë, Lunxhëria dhe gjithë Epiri ishin nën sundimin turk. Qeveria osmane e asaj kohe, duke zbatuar parimin fetar në përcaktimin e përkatësisë etnike të popullsisë, nuk e njihte kombësinë shqiptare, të cilën e ndante, sipas besimit fetar, në tri pjesë, që ajo i quante të ndryshme: myslimane, ortodokse dhe katolike. Në përputhje me këtë parim, që mohonte qenien e shqiptarëve si një komb i vetëm, Porta e Lartë nuk lejoi të hapeshin në Shqipëri shkolla shqipe, por vetëm shkolla turke, greke, italiane ose austriake.

Kristaq Zografo, me vizionin e tij pro perëndimor për arsim e dije, e me dashurinë për fëmijët e bashkëfshatarëvetë tij, fillimisht, merr pjesë në përpjekjet që bëheshin nga rilindasit shqiptarë në Stamboll për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe. Jani Vreto shkruante “Njerëz të shquar të kombit shqiptar, që jetonin dhe punonin në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, në Konstandinopojë, u bënë nismëtarët e një ndërmarrjeje kaq të madhe dhe të rendësishme, në themel të së cilës ishte gjuha shqipe si elementi kryesor në përcaktimin e kombësisë shqiptare. Mustafa pasha nga fshati Pojan, Sulejman pasha dhe Seit beu prej Tirane, Rustem pasha prej Leskoviku, Kristaq Efendi Zografo nga Qestorati i Gjirokastrës, Ismail beu nga Vlora, Pashko Vasa, katolik prej Shkodre, Hasan Tahsimi prej Filati, Kostandin Kristoforidhi nga Elbasani, mblidheshin herë pas here dhe diskutonin bashkërisht për krijimin e një alfabeti për gjuhën e tyre”.

Këto mbledhje u takojnë viteve 1864-1869, ku përveç pjesëmarrjes, Kristaq Zografo premtoi se do të japë 1000 lira turke në vit për mbajtjen e shkollave shqipe. Nga këto takime iu dërgua një lutje vezirit të sulltanit Ali Pasha, te ndihma e të cilit patriotët e Stambollit shpresonin shumë. Lutja kishte dhe firmën e Kristaq Zografos.

Kristaq Zografo, për të realizuar endrrën e tij, që të ngrinte një shkollë dhe me paratë e tijnë vendlindjen e tij, iu desh kohë e shumë përpjekje, brenda kontekstit historik të asaj periudhe…Krahina e Lunxhërisë, në atë kohë, ishte nën autoritetin qeverisës të autoriteteve turke dhe të Mitropolisë në Gjirokastër. Në  këtë  periudhë,  në  krahinën e Lunxhërisë, gjuhët më  të  përdorshme  ishin gjuha shqipe dhe greke…

Shënim. Do të kemi parasysh se në këtë periudhë mungonte alfabeti shqip standard. Gjatë rrugës për shkrimin e gjuhës shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme, ndër ta ishte ai i Stambollit, por për diskutimin e një alfabeti të njësuar, vetëm më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit,  ose Kongresi i Alfabetit.

***

Ndërtimi dhe funksionimi i shkollës Normale në Qestorat kaloi në tri etapa.

Etapa e parë. (1869-1874)

Kristaq Zografua, fillimisht vë në dispozicion një shumë parash për ndërtimin e godinave madhështore të Shkollës fillore, Shkollës greke dhe Shkollës femërore, në vendlindjen e tij në Qestorat, pranë kishës së fshatit. Normalja e Qestoratit kishte si synim formimin e mësuesve dhe mësueseve për arsimin fillor. Sipas, Rregullores së Shkollës, personaliteti i studentëve duhej të përshatej nga idealet e dashurisë për njeriun, duke hequr dorë nga interesat personale. Formimi i personalitetit mësimor duhej të kryhej nëpërmjet zhvillimit të forcave fizike dhe shpirtërore, simetrikisht dhe harmonikisht, pa i dhënë prioritet njerës palë në dëm të tjetrës, në mënyrë që të realizohej një tërësi psikike, fizike e energjike.

Ky zhvillim nuk do të bëhej i lirë, por sipas orientimeve dhe rregullave të pedagogjisë moderne të kohës. Por, edukimi i përgjithshëm nuk ishte i mjaftueshëm për formimin e personalitetit mësimor të studentëve. Studentët duhet të fitonin njohuritë e nevojshme pedagogjike dhe të pajiseshin me udhëzime praktike, për të përdorur metoda dhe forma të përshtatshme mësimore, gjatë ushtrimit të profesionit të mësuesit. Me përvetësimin e edukimit të përgjithshëm, me specializimin pedagogjik, sistemi i mësimdhënies në këto institucione modernizohej dhe siguronte  edukatorë të zgjedhur.

Pas përfundimit të shkollës studentët kishin të drejtë të punonin si mësues në shkollat fillore, në tregti, sekretarë etj. Drejtimin e përgjithshëm të shkollave Kristaq Zografo, ia ngarkoi Jani Vajës, mjekut me kulturë të gjerë nga Lekli, i cili ishte drejtor deri në vitin 1874. Drejtor i Shkollës fillore dhe mësues emërohet Vasil Gudha dhe i Shkollës femërore emërohet Katerina Konstandinidhi. Funksionimi normal i shkollës filloi në vitin 1870, me arsimin fillor në gjuhën greke.

Etapa e dytë. (1874-1879).

Në prill të vitit 1874, Shoqata Filologjike, me qendër në Stamboll, miraton idenë, me predispozitat më të mira e me shpenzimet e Kristaq Zografos dhe i sugjeron Shoqatës Arsimore të themelojë në Qestorat Shkollën Normale. Krahas funksionimit të shkollave fillore u ndërtua dhe një godine e re për banimin dhe mensën e nxënësve, e pajisur me të gjitha mobiliet dhe mjetet e nevojshme. U ndërtua godina madhështore me emërtimin Shkolla Normale” Zografo”…

Ndërtesa e shkollës ishte një godinë e shkëlqyer trekatëshe pranë kishës qendrore të Qestoratit, e cila kushtoi 1500 lira floriri Turqie, një sasi e konsiderueshme parash për atë kohë. Edukimi arsimor u përshtat me sistemet e reja pedagogjike dhe shkollat u pajisën me të gjitha mjetet mësimore, që përdornin metodat bashkëkohore. Në të njejtën kohë u krijua dhe Normalja femërore me një personel mësimor të veçantë.

Normalja u plotësua me pedagogë nga më të njohurit e kohës.Drejtuesit e Shkollës zgjidheshin nga pedagogët, që kishin diplomë universitare,që kishin përvojë të pasur, aftësi drejtuese dhe njohuri filologjike e pedagogjike.Pedagogët e emëruar duhet të kishin mbaruar universitetin. “Ata kishin kryer shkollat nga më të mirat, si “Zosimea” e Janinës dhe  ishin nga kuadrot nga më të përgatitur, ku përmënden Athanas Ikonomidhi, Vasil Gudha, Jani Joanidhi. Ata shquhen për formim të lartë filologjik, filozofik dhe pedagogjik.

Mësuesit në Normale ishin: V. Gudha, J. Joanidhi, A. Gavrili, K. Hoxhi, M. Paparusi, A. Ikonomidhi, K. Boga, D. Graco, D. Melixanopullo, E. Paguni, V. Papakristo, N. Panidhi, P. Camidhi, K. Koci, E.Vasidhiadhi, K. Kuvara”. Në artikullin e gazettes “Zëri i Epirit” citohet: “Zgjedhja e Qestoratit si një seli edukimi, bazohet në parimet mësimore të së ardhmes për zgjerimin e dijeve intelektuale të të rinjëve dhe të rejave, të destinuar t’ia kushtojnë vetveten veprës edukative të popullit të tyre në fshatrat e Epirit”. Në një kronikë të kohës për Normalen citohet: “Askush s’mund ta verë në dyshim ndikimin e Normales së Zografos në edukimin dhe zhvillimin e banorëve të Epirit. Gjatë shumë viteve nga Qestorati, vendlindja e bamirësit më të madh dhe më të shkëlqyer të Epirit, dolën mësues me një edukim të përsosur, që përcollën në fshatra një vepër me rëndësi të lartë”.

Etapa e tretë e Normales zë një hapësirë kohore dhjetëvjeçare(1879-1890). Drejtori i Normales mashkullore emërohet A. Zamaria, që sapo kishte mbaruar studimet pedagogjike katërvjeçare në Gjermani dhe Zvicër dhe ishte frymëzuar nga pikpamje të reja pedagogjike. Drejtoreshat e shkollës femërore gjatë këtij dhjetevjeçari ishin caktuar pedagoget me nivel të përsosur dhe moral të lartë, shumica kishin mbaruar Normalen Arsaqio.

Studentët vinin nga krahinat e Dropullit, Janinës, Nikopojës, Paramithisë, Vellasë, Konicës, Beratit, Korçës, Përmetit, Durrësit, Elbasanit, Grebenesë. Nga këta 30 djem dhe 30 vajza, ishin bursistë të Kristaq Zografos, që kishin falas studimet, konviktin, ushqimin, veshmbathjen dhe librat. Ishin studentë që vinin nga familje shumë të varfëra. 20-30 fëmijë dhe të rinj studionin në këtë shkollë nga Qestorati. Kandidatët, që do të studionin në Normale, duhej, pa përjashtim, të paraqisnin prova të sjelljes dhe respektit, të ishin të shëndetshëm e me zë të bukur.

Numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në Normale arriti në 259 djem dhe 105 vajza. Shkolla, krahas stafit pedagogjik, kishte kujdestarë tutorë për studentët, që duhet të kishin njohuri pedagogjike dhe përvojë të pasur në mësimdhënie. Gjithashtu, kishte tutorë të studentëve, që ishin prindërit apo kujdestarët e studentëve. Mësimdhënia parashtronte edukimin e aftësive shpirtërore dhe fizike të studentëve, përfitimin e njohurive të vlefshme dhe parapërgatitjen për zbatimin e atyre njohurive në profesionin e mësimdhënies. Pedagogët kujdeseshin ta shpjegonin mësimin sa më thjeshtë, me forma krahasuese, metoda induktive, duke iu shmangur fjalëve të tepërta dhe preferonin të përdornin më shumë objektet e vërteta, se sa tabelat e vizatimet e tyre.

Në Normalen e Qestoratit bëheshin:

  1. Mësime të filozofisë edukative: histori e teori e pedagogjisë, teza filozofike të shkrimtarëve të vjetër dhe të rinj grekë, si dhe logjikë, që kishin si qëllim formimin me idealet e humanizmit neoklasik dhe shkencor, i cili po adaptohej në shkolla.
  2. Mësime të edukimit të përgjithshëm dhe përvetësimit të shkathtësive si: gjuhësi, matematikë, fizikë, gjeometri, kimi, gjeografi,histori(historia greke dhe romake), ekonomi politike, artet e bukura, vizatim, muzikë, gjimnastikë, agronomi, punëdore etj. Mësimet e fizikës, kimisë, aritmetikës dhe gjeometrisë zinin një vend të konsiderueshëm në program, drejt humanizmit shkencor si evoluimin në shekullin e 19-të.
  3. Mësime të perfeksionimit pedagogjik si pedagogji, psikologji, kurs pedagogjik dhe ushtrime praktike në kopshte dhe në shkollat model fillore, që ishin brenda shkollës Normale etj.
  4. Gjuhët e huaja si: greqishtja e vjetër dhe e re, frëngjisht, turqisht. Në mësimin e greqishtes studioheshin veprat historike, retorike dhe dramatike të autorëve të lashtë.
  5. Në edukimin fetar përfshihej historia e shenjtë, katekizmi, historia kishtare, studimi i Shkrimit të Shenjtë dhe moralit kishtar. Ai kishte për qëllim edukimin e mendjes dhe tëzemrës së studentëve me parimet e besimit të shenjtë dhe tëtraditës kishtare, duke kombinuar dijet teorike me elementët moralë të jetës kishtare. Në një vend të posaçëm të Normales ishte vendosur dhe funksiononte laboratori, ku gjëndeshin mjetet më të rëndësishme si tabela, minerale, lëndë bimore, harta, vizatime dhe objekte të ndryshme për mësimin e shkencave fizike dhe eksperimeneteve të ndryshme.

Studimi ditor i mësimeve ishte 5 orë. Nxënësit, pasdite, pas mësimit, mësonin në salla të veçanta. Drejtori dhe pedagogët e caktuar sqaronin problemet e pa qarta të studentëvegjatë studimit në orë të veçanta, ose pas përfundimit të studimit. Kujdestarët e klasave dhe të konvikteve kontrollonin studimin e e nxënësve, duke u siguruar rregull dhe qetësi. Personeli mësimor dhe ai kujdestar, përpiqej t’u frymëzonte studentëve dashurinë për librat dhe interesin për detyrat shkollore, në mënyrë që studimi të bëhej i vetëdijshëm dhe i pa imponuar nga jashtë. Biblioteka e shkollës kishte vepra të shkrimtarëve dhe poetëve të vjetër dhe të rinj, tekste mësimorë për arsimin e mesëm dhe fillor, vepra pedagogjike në gjuhën greke dhe frënge, revista dhe gazeta nëgjuhët: greqisht, frëngjisht dhe turqisht. Biblioteka kishte 35 vëllime me vepra të Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Isodit, Platonit, Ksenofonit etj.Biblioteka shërbente dhe si sallë leximi për studentët e klasave të larta, në ditë dhe orë të caktuar.

Sipas Rregullores së Normales, brenda godinave të shkollës, funksionontekopshti dhe shkolla fillore model. Qëllimi i kopshtit model ishte drejtimi i fëmijëve të vegjël me sjellje dhe shprehi të jetës fizike e shpirtërore si dhe përvetësimi i dijeve e shkathtësive të thjeshta, pra edukimi parashkollor i tyre, sipas elementëve më kryesorë të sistemeve që mbizotëronin në Francë, Zvicër dhe Gjermani. Qëllimi i shkollës fillore model, sipas Rregullores, ishte zhvillimi harmonik i forcave fizike, shpirtërore dhe intelektuale të fëmijëve, nëpërmjet kultivimit të kriterit logjik, të orientimit të vullnetit ndaj së vërtetës, të së mirës dhe të bukurës,  nëpërmjet nxitjes së ndjenjave atdhetare dhe patriotike dhe përvetësimit të dijeve, që t’i siguronin më vonë mjetet e jetesës.Edukimi parashkollor i tyre zhvillohej sipas elementëve më kryesorë të sistemeve që mbizotëronin në Francë, Zvicër dhe Gjermani.

Objekti dhe metodat mësimore bazoheshin nëtezat pedagogjike të pedagogëve më të njohur në vend dhe jashtë, duke shfaqur mendimet kombinuese. Vlen të përmenden idetë mësimore të specialistëve të huaj, si p.sh të Rolenit, Zakotos, Grosëlenit, Herderit, Ramshornit, Uolfot, Pestalocit, Kosenit, Luterit dhe Shreberit.

Shkolla organizonte shëtitje dhe eskursione të studentëve në vënde të përshtatshme përreth ose në fshatrat fqinjë. Studentë ti jepnin gjallëri Qestoratit të vogël dhe banorëve të tij dhe shijonin bukuritë magjepsëse të natyrës së atij fshati të lumtur…

Të dielave shëtisnin mbi Kishën e Shëngjergjit e freskoheshin me ujin e ftohtë të kroit të fshatit.Në ditë të caktuara studentë t bënin ritualet në kishat e fshatit. Provimet e studentëve në të gjitha klasat bëheshin dy herë në vit, në fund të Janarit dhe në fund të Korrikut. Provimet e lirimit, që bëheshin zakonisht në fillim të Korrikut, ishin me shkrim dhe me gojë. Pas përfundimit të provimeve studentët vlerësoheshin me “Shkëlqyeshëm”, “Shumë mirë”, “Mirë” dhe diplomoheshin si mësues të fillores.

Diplomat ishin të shkruara në membranë dhe shtypeshin nga Shoqata Arsimdashëse në Stamboll. Pas përfundimit të provimeve të lirimit dhe ndarjes së dëftesavebëheshin mbledhje festive dhe paraqiteshin para autoriteteve, prindërve dhe pjesëmarrësve, treguesit e lartë të rezultateve të studentëve.

Ja si e përshkruan në gazetën ”Ylli i Lindjes” korrespondenti nga Gjirokastra,më  3 korrik 1882: “Të hënën e kaluar, në Normalen e Kristaq Zografos në Qestorat, me pjesëmarrjen e këshillit pedagogjik dhe Autoriteteve vendase  përfunduan provimet dhe u shpërndanë diplomat në 8 djem dhe 4 vajza nga vende të ndryshme të krahinës. Në sallën e shkollës ishin grumbulluar intelektualë, mjekë të ardhur nga Gjirokastra, banorë të fshatit dhe mjaft të tjerë të ardhur. Pas fjalëve të drejtorit të shkollës për sukseset e arritura, pjesëmarrësit ndoqën nga studentët e klasave tëlarta”Antigonën” e Sofokliut”. Në rastet kur studentët kishin mbaruar me rezultate të shkëlqyera, ata, me shpenzimet e Shoqatës, dërgoheshin në Evropë për të vazhduar studimet…

Përfitimi ekonomik i krahinës ishte i madh.Qestorati ishte shndërruar në një qytezë të vogël me lëvizje dhe me komunikacion të përditshëm. Por, dhe Gjirokastra thithte sasi të konsiderueshme parash dhe të ardhura të tjera nga Normalja, sepse aty bëhej tregëti e artikujve ushqimorë, të veshmbathjes dhe sendeve shkollore. Qeveritarët turq të krahinës së Gjirokastrës ndiqnin veprimtarinë e Normales dhe shumica e tyre e vizitonin atë…

***

Mbyllja e Normales!

Sipas një korrespodence të asaj kohe nga Gjirokastra, disa përfaqësues të parisë së krahinës së Gjirokastrës dhe disa banorë të Qestoratit dhe të fshatrave përreth, akuzonin shkollën Normale se përgatiste revolucionarë të rinj, duke shkaktuar trazira të shpeshta në shkollat e administrative turke. I dërgonin letra bamirësit Kristaq Zografo me shpifje e mashtrime për shëtitjet jashtë në natyrë, përkëngët e sjelljet e pahijshme të studentëve. Kërkonin që të mbyllej Normalja.

Qetësia në Normale u trondit në vitin 1890 nga përpjekjet, tani, të një faktori të brendshëm, të Mitropolitit të ri të Drinopolit, Kozma Evmorfopullo, si kryetar i financës së shkollës, i cili, me pa të drejtë, kritikonte personelin si të paaftë e të papërgatitur, duke mbjellë grindjen mes mësuesve të shkollës. Guvernatori turk i shkruan K. Zografos për mbylljen e shkollës, duke e akuzuar Normalen në Autoritetet otomane të Gjirokastrës, se “vepronte kundra regjimit dhe se ishte kthyer në punishte rebelësh, të rrezikshëm për perandorinë otomane”. K. Zografo, duke dashur t’u shmangej pasojave të rrezikshme për personelin mësimor e studentët ( arrestime, internime), në dhjetor 1891, me dhimbje, e mbylli shkollën, pas një karriere të pandërprerë 18 vjeçare.Dy vite më pas shkolla u shkretua dhe pa asnjëshpresë se mund të hapej përsëri. Guri Rr. Sevo, në librin e tij “Petro Luarasi Mësonjësi im i shqipes” shkruan: “…Gjer më 1885, mbaj mënd që ishte hapur, por kur vajta në Qestorat më 1889, e gjeta të mbyllur. Vetëm një shkollë kishte më në Qestorat atëhere, me një dhaskal grek, Gudhas”.Shënim.Mësues Vasil Gudha, pas disa vitesh, largohet familjarisht nga Qestorati dhe shkon në Berat, aty ku dhe vdiq…

Meditim retrospektivë. Normalja e Qestoratit pati vlerat e saj kohore:

  1. Normalja e Qestoratit ishte vatër edukative me pikpamjet pedagogjike bashkëkohore të Evropës, qëi ushqente nxënësit me ndjenjat e humanizmit shkencor, duke i bërë ata pishtarë të dijes e të kulturës në të gjitha krahinat e vendit. Ndezi dritën e arsimit shqiptar në të gjithë Shqipërinë!
  2. Normalja e Qestoratit ishte një shtëpi e madhe emancipuese për familjet shqiptare. Bëhet fjalë për shkëputjen e vajzave nga familjet me zakone të rrepta nga krahina të ndryshme dhe që do të jetonin për disa vjet në një fshat të vogël, Qestorat, së bashku me djemtë. Ato do të studionin një profesion, që do t’i ndante përsëri nga familja, duke e ushtruar profesionin e mësuesisë në krahina të ndryshme të vendit.

                                                                   ***

Përpjekje të popullit për arsim. Populli i Gjirokastrës ishte arsimdashës. Mbi 80 mjeke nga rrethi i Gjirokastrës, në gjysmën e dytë të shek.19-të e në fillim të shek. 20-të, ishin shkolluar në  Fakultetin e Mjekësisë  në  Athinë  e në  Stamboll. Por, dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, hapja e shkollave në Gjirokastër nuk qe e lehtë… Idetë epërparuara dhe emancipuese të  shoqërisë kulturëdashëse të popullit ndesheshin, nga njera anë me varfërinë, injorancën, fanatizmin e konservatorizmin e trashëguar dhe nga ana tjetër, me pengesat absurde të Qeverive të kohës. U deshën shumë  përpjekje dhe lekë  të  grumbulluara nga vetë  populli i Gjirokastrës, i ndihmuar dhe nga populli i Himarës, Delvinës, Libohovës, Dropullit e Kurveleshit që, pas 4 vjetësh, të  ngrinte shkollën e parë  të  mesme mikste (me djem e vajza), Lyceun e Gjirokastrës në  nëntor 1923.

Ishte Liceu i parë mikst në Shqipëri, aty ku është sot Gjimnazi “Asim Zeneli”. Mësimet jepeshin kryesisht në frëngjisht nga profesorë  francezë  dhe drejtori i shkollës ishte gjithashtu francez, i cili kishte ardhur së bashku megruan e tij, Profesoresha Henriette Coutent. Populli i Gjirokastrës profesorët e huaj të shkollës i priti me përzëmërsi dhe pak nga pak u familjarizuan aq shumë, sa gratë e tyre shkonin si krushka nëpër sokaqet e qytetit për të marrë, a për të pritur nusen, ose thirreshin edhe për darka në dasma, sëbashku me burrat e tyre.

Drejtori i shkollës Victor Coutentnë  fjalën e tij të  30 qershorit thoshte: “Qyteti i Gjirokastrës provoi dhe ay vetë  dashurinë  e tij për Lyceun, duke marrë  përsipër ndërtimet e godinës dhe shtëpinë  e profesorëve të  huaj…Këta djem, që po shikoni këtu, do të  jenë një  ditë nderi dhe fama e Gjirokastrës. Po nuk do të harrojnë atë,që i detyrojnë atdheut të  tyre… Personeli i Lyceut si dhe unë  nuk do të  ndjeheshim në  lartësinë  e mësimit tonë, sikur nxënësit tanë  të  mos bëheshin një  ditë  qytetarët më  patriot të  Shqipërisë. Ambicja ime është që këta djem, që shihni këtu, të falin një ditë me pasion: zgjimin, zotësinë dhe zemrën e tyre për të arritur plotësisht madhërinë e Shqipërisë bujare dhe të bukur…”, Shkolla gjallëronte nga aktivitetet artistiketë nxenësve me pjesë theatralenga Molieri, komedinëfranceze “Berberi i Seviljes” të Pierre Bomarshe, recitime nga poezia frëngjisht “Korbi dhe dhelpra”, apo nga grupi i mandolinave… Kronisti i qytetit i atyre ditëve shkruante: “Ishin ekspozuar në divanin e shkollës disa “essais” të nxënësve dhe në akuarel… Një  ditë  shpresojmë  të  kemi artistë  të  mirë  të  pendeplumbit e të  penellës… Lyceu i dha një  shtytje të  madhe lëvizjes muzikale të  Gjirokastrës… Dhe sot njeriu dëgjon në shumë anë të qytetit tingujt ergjendare të  tyre. Shenjë lartësimi i shpirtit të këtij vendi…”.

Nëndrejtori i shkollës, Profesor Hysni Harshova në mbarim të vitit shkollor 1925-26, thoshte: “Nxwnësit më të shumët janë të zgjuar, të bindur e punëtorë dhe kanë një dëshirë tëçquar për kulturë. Në këto tre vjet që kur është formuar Lyceu kanë bërë përparime të dukura. Nxënësit e klasave të larta kanë arritur ta kuptojnë e ta shkruajnë mjaft mirë frengjishten. Shumë prej tyre janë në shkallë të bëjnë përkthime nga frengjishtja në shqipe me një hollësi, qëështë për t’u lavdëruar për moshën e tyre” dhe shton “Qëllimi i Lyceut nuk është vetëm t’u mësojë nxënësve frengjishten, por edhe të përgatitë element, që të ndihmojnë për të kthyer në një kohë të ardhme arësimimin e mesëm në gjuhën amtare”.

Tendenca për mbylljen e Liceut! Historia e Francës apo Historia e Shqipërisë? Në  shtypin e kohës “Arësimtari neutral”  në  Gjirokastër, shkruante: “Nxënësit nuk dijnë  historinë  tonë, kurse librat frengjisht, që  u japim tani të  zbukuruara me flamurin e Francës, me pikturën e Napoleonit, të  Foch-it, të  Joffre-it të  ushtrisë  frënge kur parakalojnë  në  bulevardet e Parisit, do t’u bëjnë  përshtypje djemëve tanë  në  shpirtin e tyre të  pa djallëzuar dhe do të  bëhen patriot të  atdheut të  gjuhës që  mësojnë …”.

Qysh në muajin shkurt 1828 duken shenjat e para për mbylljen e shkollës nga Ministria e Arsimit e asaj kohe, ku në zyra ishin punonjës italian. Flitej në shtyp, 8 shkurt 1828, për rendësinë e gjuhës italishte si “gjuha e pjacës përtej Adriatikut”. Deputetët në  Parlamentin e asaj kohe diskutonin që të mbyllej Liceu me argumentin: “prodhojmë  intelektualë  të  tepërt…”.

Studentët reagojnë për mos mbylljen e shkollës:“…Duke çmuar plotësisht sakrificat e prindërve tanë, jemi përpjekur me zell e energji për të përfituar nga rasti kultural që jep Liceu, kështu që brezi i sotëm të bëhet një faktor i vërtetë i përparimit dhe i lumturisë së atdheut…Të anullohet vendimi, që është vendim shkatërronjës, dënim me vdekje për brezin e ri dhe shtytje e popullit në errësirën e pa diturisë”( 22 shtator 1928).

Mbyllja e Liceut francez! Në vitin 1928 Liceu francez i Gjirokastrës u mbyll. Profesorët francezë u larguan dhe një pjesë e studentëve kaluan në Liceun e Korçës (1917-1939).

Pa koment. Kohë e humbur…! Charles de Gaulle (Charl de Gol, 1890-1970), president i Francës (1959-1969), aty ku në shek.19-të ka lindur për herë të parë fjala “komb” e nacionalitet”, citon: “Në Patriotizëm, fjala e parëështë dashuria, kurse në Nacionalizëm, fjala e parëështë urrejtja”.

Mirënjohje në gjysmën e dytë të shekullit 20-të.

Brenda kontekstit të frymës pedagogjike të trashëguar të Liceut francez, kujtoj me mirënjohje dhe respekt të veçantë mësuesit e mi për pedagogjinë dhe mësimdhënien e tyr e(1957-1969) si: A.Loli (mësuesen e klasës së parë), si dhe mësuesit e formimit tim arsimor e kulturor në Gjimnazin “Asim Zeneli” Gjirokastër: A. Shehu (letërsi), A. Mezini (histori) ,V. Bilushi (kimi), K. Makariadhi (gjeometri), L. Çene (fizike), P. Isufi (gjuha frënge), T. Kokalari (kimi-biologji), P. Xhori (violinë), etj. Çelsi i suksesit të  pedagogut tek nxënësi qëndron në  thënien e mençur të mësuesit të  nderuar të  Gjirokastrës Thoma Papapano (në  brezin tim e thërrisnim Basho Thomai): “Përvoja ime 55-vjeçare n’arësim duke filluar punën time në  shkollë  qysh nga viti 1908, kur u mësoja nxënësvet të  mi shqipen në  shkollën e parë  fillore shqipe në  Gjirokastër, më  ka bërë  që  të  nxjerr si përfundim se pedagogu i lidhur  ngushtë  me nxënësit dhe me prindërit, bëhet i dashur përjetë  prej tyre dhe prej nxënësvet të  tij veçanërisht. Kur nxënësi e shikon se mësonjësi i tij i qëndron afër, e ndihmon, e këshillon, e pyet për nevojat dhe kërkesat, ai e do dhe e nderon mësonjësin dhe kështu pedagogu korr fitore në  punën e tij…”.

                                                ***

Refleksion pedagogjik në shekullin e 21-të

Në dekadat e para të shekullit 21, fal sistemit demokratik dhe orientimit perëndimor, në vendin tonë formimi arsimor i nxenësve gjen hapësira të gjera, pa kufizime, shoqëri e hapur…në sistemin arsimor publik, apo jo publik. Eshtë një gjë shumë e mirë, që sot në Tiranë apo kudo, janë ngritur kolegje të ndryshmejo publike si: grek, amerikan, turk, austriak, italian etj, dhe që i zhvillojnë mësimet në gjuhët përkatëse.Rinia do të jetë më e përgatitur për t’u ndeshur në ekonominë e tregut e për të konkurruar në tregun e punës, brenda e jashtë vendit. Ende, në vendin tonë sistemi arsimor është në reformim e sipër…,së pari në mbulimin universal për arsimimin e fëmijëve, luftë kundër anafalbetizimit dhe, së dyti në standardizimin e kurrikulave dhe pedagogjisë shkollore e universitare, si dhe në implementimin e tyre me profesionalizëm në  përqasje me direktivat pedagogjike të  K.E. Por, sistemi ynë  arsimor publik e privat a u siguron fëmijëve shanse të  barabarta? A kemi në vendin tonë filantropë, që investojnë për arsimin?

Mjeku dhe poeti Izet S. Çulli në shkrimin e tij “Analfabetizëm” (Telegraf, 03.11.2017) lëshon  “klithma”  migjeniane:…Të vjen tmerrësisht keq e të pikon në shpirt, kur vëren anekënd atdheut, në zonat e thella fshatare, ku prindër plot siklet, mundohen të gjejnë mënyra nga më tëndyshmet për t’i arsimuar fëmijët e tyre. Po a mund të vazhdohet me rrugë e pa rrugë, me lloj lloj kushtesh atmosferike e shpenzimesh të mëdha përata, që ne të rriturit u kemi vrarëëndërrat vetë atyre, fëmijëve tanë të pa fajshëm…? Mirëpo, edhe pedagogjia është shkencë më vete. Është e nevojshme të theksohet se detyrat universale, të përhershme dhe të pandryshueshme në pedagogjinë shkollore nuk mund të përcaktohen për shkak, se ajo është e gjallë dhe dinamike, e hapur për ndryshime, ashtu siçështë i gjallë dhe dinamik edhe procesi i edukatës dhe arsimit.Kjo kërkon vizion dhe përkushtrim nga ana e autoriteteve drejtuese të Arsimit në nivel kombëtar. Prof. I. Kalo thotë: “Evolucionet psikologjike, etike, komportamentale dhe kërkesat e reja të studentëve janë në rritje të vrullshme. Por, a u përgjigjet sot studentëve tanë pedagogjia e mësimdhënies e infrastruktura diadaktiko-pedagogjike universitare? Mos njohjen e duhur të saj e dëshmon vazhdimi i mënyrave skolastike autoritare të mësimdhënies me relacione vertikale “mësues – nxënës” ose “prind – fëmijë” dhe jo dinamike, horizontale dhe interaktive mes tyre. Pedagogët e Fakultetit të Mjekësisë janë mjekë shumë të mirë por,janë pedagogë të pa çertifikuar në pedagogji…”. Në ditët e sotmenë rrafshin botëror, në saje të zhillimeve të vrullëshme të teknologjisë së informacionit nga njera anë dhe krizës ekonomike e treguttë punës në përpëlitje, sistemi arsimor në përgjithësi dhe pedagogjia e metodologjia e saj janë në dilema. Në sistemin tonë arsimor u përqas aplikimi i kartës së Bolonjës, por sa dhe si mundi që ajo të aplikohet tek ne…? Pedagogjinë e pedagogut në mësimdhënie dhe marrëdhëniet e tij me nxënësin e krahasoj me punën e mjekut pediatër në mirërritjen e një fëmije të shëndetshëm… Pedagogjia është art i edukimit arsimor e kulturor i fëmijës, që kërkon angazhim serioz, kohë pas kohe, nga pedagogu, nga institucionet akademike dhe mbështetje të fuqishme politike. Kur pedagogjia është adekuate me psikologjinë e fëmijës dhe ecën në rrjedhën bashkëkohore, atëhere produktiviteti i dijes do të jetë më i lartë e cilësor. Gjykimi dhe arsyetimi i individit dhe i shoqërisë do të jenë më të qartë dhe do të kenë një përqasje e komunikim me dinjitet me njeri tjetrin, por dhe në rrafshin internacional. Shoqëria do të ketë zhvillim e do të eci me ritmine kohës…

In memoria“ …dhe drita e diturisë përpara do na shpjerë…” Naim Frashëri

Referencat

  1. Far në male. Shkolla Normale e Qestoratit. Përgatitur e përkthyer nga greqishtja nga Kristaq Mandi, nga libri i autorit Konstantin Kiço, Drejtor nderi i Akademisë Pedagogjike të Janinës, 2014.
  2. Petro Luarasi, Mësonjësi im i shqipes. Kujtime prej Guri Rr. Sevo, Korçë. Gusht,1936.
  3. GOUDAS (GUDHA) familje e madhe dhe e vjetër…Andrea Gudha, Vasil Goudas. 2007.
  4. Vasil Gudha luftëtari epiriot i 1821. Zv.gjeneral dhe sekretar i Marko Boçarit dhe Anastas Gudha mjek, politikan, shkrimtar “Plutarkui ri”.Stefanos Betis, botim në greqisht, Patra1995.
  5. Antigoneja e Lunxhërisë nëlartësinë e qytetërimit ilir. Dhimosten Budina, 1988.
  6. Njëvështrim i përgjithshëm mbi ecurinë e zhvillimit demografik të krahinës së Lunxhërisë.Arqile Bërxholi,1988
  7. Qirinj të ndezur dashurie. Kristaq Foti. 2016.
  8. Shëndetësia jonë, siç do e doja. Isuf Kalo. 2015.
  9. Gjimnazi “Asim Zeneli” 1923-1963. Aqif Selfo, Lefter L. Dilo dhe Thoma Papapano.

Tiranë, Janar 2018

 

Please follow and like us: