Albspirit

Media/News/Publishing

Mentor Nazarko: Dritëhijet e negociatave me Greqinë…

…Nga deklarata solemne, gati triumfaliste e Cipras, ka një aspekt që vlen edhe për Ramën.Cipras ka ftuar gjithë liderët kryesorë grekë për t’i njoftuar në lidhje me negociatat me Shqipërinë. Nga ky kumt i palës greke del detyrimi që edhe Rama të bëjë të njëjtën gjë për krerët e palëve politike, apo dhe për presidentin, për ta informuar në lidhje me Greqinë. Në shtetet serioze, zakonisht kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, palët antagoniste e informojnë njëra-tjetrën duke tentuar kompromise. Duket se pala greke e ka arritur kompromisin e brendshëm mbështetur dhe në mënyrën sesi e kanë trajtuar ministrin Kotzias gjatë interpelancës së ditës së hënë..

Cila është përmbajtja e kësaj marrëveshje të partneritetit strategjik, që presupozohet se do të ndërtojë një marrëdhënie të re midis dy vendeve?

Është e kuptueshme që një marrëveshje e tillë, ndërsa thekson në mënyrë të përgjithshme sesi do zgjidhen keqkuptimet, mosmarrëveshjet e së shkuarës, do duhet të theksojë nga ana tjetër se midis dy palëve do të ketë një partneritet strategjik në fushën e investimeve, integrimit euroatlantik, mbrojtjes, punëve të brendshme, sigurisë. Ajo nënkupton konsultime, favorizim të njëra-tjetrës në raporte dy ose shumëpalëshe, etj. Nënkupton privilegjim reciprok të palëve, një stad akoma më intensiv në marrëdhëniet mes dy vendeve. Marrëveshja, pikën e saj më të rëndësishme e ka ratifikimin parlamentar, e cila i jep fuqi të plotë dhe nënkupton konsensus të gjerë në politikën ndaj Shqipërisë.  Po detajisht?

Dihet se mes dy vendeve rëndojnë disa çështje të cilat janë sa të lidhura sa me të shkuarën, aq edhe aktuale, ku më e rëndësishmja është çështja e ligjit të luftës. Pse? Sepse ligji i luftës bllokon gëzimin e pronave të mëdha të shqiptarëve pa dallim, çamë dhe joçamë në Greqi, cënon lëvizjen e lirë në zonat kufitare, të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve, mënyrën si palët e shohin rolin e njera tjetrës gjatë Luftës së dytë, por dhe sot. Jo pa shkak,  pala greke insistonte se kot kërkohej që ligji të shfuqizohej, sa kohë që gjendja e luftës nuk ekzistonte. Rikthimi në tavolinë i kësaj çështje është një arritje e madhe po të mbahen parasysh ekspertët grekë, (më i fundit ishte Tasos Teloglu që thoshte se Shqipëria e humbi trenin e trajtimit të saj me ngjarjet e 1997) të cilët e shihnin si të pamundur rihapjen e saj. Burime të informuara thonë se është gjetur një kompromis sipas të cilit do shfuqizohet ligji i luftës nëpërmjet një dekreti presidencial dhe ndërkohë do të miratohet një kuadër ligjor, në mënyrë të tillë që shqiptarët të gëzojnë të drejtat pronësore, por të kufizuara ama. Shqiptarët nuk do të kenë eventualisht të drejtën t’i kërkojnë këto të drejta pronësore për periudhën nga viti 1940-2017, por të fillojmë t’i kërkojnë prej vitit 2018- ose restitucion, ose përfitim qerash me vlerë tregu. Kjo duket diçka logjike për palën greke: nëse shqiptarët do të kenë të drejtë të kërkojnë të ardhurat nga përdorimi i pronave të tyre në vitet 1940-2018, fatura e borxhit që Greqia i ka Shqipërisë do të jetë disa miliardëshe. Rritja e çmimit të tokës, (një tokë që ka qënë më parë pyll, mund të jetë shndërruar në aeroport, repart ushtarak, autostradë, duke e shumëfishuar vlerën) e vështirëson përcaktimin e faturës. Greqia ka synuar të shmangë këtë pjesë të borxhit e cila do të ishte e paparballueshme për ekonominë e saj.

Pse një dekret presidencial grek? Ai ngjan se është forma më e përshtatshme për palën greke, megjithëse e Drejta Kushtetuese e vendit fqinjë  ka kundërthënie: disa ekspertë kanë thënë se ligji i luftës do duhet të shfuqizohet nga Parlamenti, për shkak të implikimeve ligjore që përmban. Ekspertë të tjerë kanë thënë se duke qënë se Ligji i luftës është miratuar me një dekret mbretëror në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, për shkak të pamundësisë së mbledhjes së Parlamentit, atëherë do duhet shfuqizuar me një dekret të ngjashëm. Por kjo është një çështje shumë e komplikuar …

Ka një çështje tjetër për të cilën është diskutuar me siguri në takimet e Kretës dhe Korçës, – e ashtuquajtura marrëveshje e detit. Burime të informuara thonë se kjo marrëveshje do rishikohet, por jo në tekstin e saj të miratuar mes palëve, por në zbatimin e saj teknik.Pretendimet e palës shqiptare do të merren në konsideratë si ne kemi informuar më parë gjatë takimit të Kretës, kur kjo marrëveshje të zbatohet në terma konkretë, domethënë të formulohet protokolli i saj i zbatimit. Duket e vështirë që mes zbatimit praktik të një marrëveshjeje dhe kuadrit juridik të ketë diferencim kaq të madh, por sa kohë  nuk ka informacion të plotë, më mirë është të mos flitet qesim. Nga palët pretendohet që të jetë arritur marrëveshje e njohjes së patentave, rishikimit të teksteve, njohjes së viteve të pensionit, etj për të cilat ka patur qëndrime të ndryshme.  Në këtë kuptim, gjithë paketa  e çështjeve apo shporta e problemeve të së kaluarës, por dhe të sotmes siç u përdor një term rutinor nga palët në dialog, duket se  është trajtuar me përjashtim të çështjes çame si konceptohet në Shqipëri. Megjithatë kryeministri Rama dhe ministri Bushati thonë se është trajtuar dhe ajo, ndërsa Kotzias i pyetur nga opozita greke ka përsëritur refrenin se kjo çështje nuk ekziston. Kuptohet: ajo krijon ndjeshmëri të larta në publikun grek, jo për shkak të vendosjes së gishtit mbi një plagë të marrëdhënie shqiptaro-greke, por për shkak se pranimi i saj në publik do ngjante si dobësi e palës greke. Kush është ekspert i arsyeshëm e di se rishikimi i kuadrit ligjor për pronat dhe ligjin e luftës do të ketë një impakt edhe mbi popullsinë çame.

Pse Greqia  “u dorëzua”? Pse zgjodhi këtë qëndrim në marrëdhëniet me Shqipërinë?

Këtë gjë e qartëson kryeministri Cipras, në deklaratën e tij, kur thotë se Greqia kthehet në rolin lider të saj në Ballkan, duke mbyllur disa fronte lufte që kishte patur me fqinjët e afërt në rajon.  Greqia vendosi të mos harxhojë energji të tepruara në luftrat e veta me fqinjët e vegjël, ndaj normalizoi marrëdhëniet  me ta. Duke u sjellë kështu, ajo tenton të rikthejë rolin e saj të rëndësishëm në rajon, duke krijuar hapsirë  të re, të humbur përkohësisht për investitorët grekë, për kompanitë greke të ndrydhura nga sistemi i ashpër antikrizë i taksave në Greqi. Greqia ka shumë arsye për të qënë e lumturuar. Ky është leximi që me siguri kanë përqafuar edhe partitë e tjera greke, ndonëse situata nuk është më e mira për partinë e z. Cipras, ndaj ato kanë vendosur të japin mbështetje për negociatat me Tiranën dhe për ti dhënë Shqipërisë votën pro në procesin e integrim-stabilizimit.

A mjafton ky arsyetim? Duhet të ketë patur një faktor të madh të fuqishëm diplomatik që ka ndikuar në pajtimin shqiptaro-grek. Më i fuqishëm se seicili prej tyre dhe aleat i të dy palëve. Gjermania po se po, ndonëse Gjermania e sotme ende nuk ka dalë nga kriza. SHBA-të? Me gjasë, po dhe këtu faktori naftë mund të ketë ndikuar, por jo vetëm: riorientimi i aleancave dhe rreziqeve për Greqinë në rrethanat e reja. Ka fituar një linjë e propozuar që herët në politikën e jashtme greke: në 2000, ekspertët grekë të ELIAMEP (mes tyre dhe një këshilltar i Kryeministrit të kohës Papandreu- Aleksis Rondas), i thoshin qeverisë së kohës që të riorientohet nga shqiptarët, duke braktisur Serbinë dhe boshtin proortodoks, që u bombardua nga NATO. Kosova do të bëhej e pavarur sugjeronin ekspertët realistë grekë, dhe Greqisë nuk i leverdis të armiqësohet me faktorin shqiptar.

Edhe njëherë një theksim i fundit. Klima politike nuk është më e mira, por Ramës i takon të informojë homologët e vet, madje të shfrytëzojë këtë rast për t’u afruar me ta. Madje është e çuditshme pse krerët e partive politike të opozitës nuk po i kërkojnë atij ti informojë për bisedimet me Greqinë. Ky gjest është më minimali, duke i treguar se interesi kombëtar është më i rëndësishëm se interesi partiak.

Pjesa e parë

Pse Greqia u “dorëzua” përballë Shqipërisë, si pranoi Cipras?

Pse Greqia u “dorëzua” përballë Shqipërisë, si pranoi Cipras?

Please follow and like us: