Albspirit

Media/News/Publishing

“Plani ushtarak, si ndahej Shqipëria më 1916: Veriu për Austrinë, jugu për Greqinë, Durrësi për Bullgarinë”

prof. Paskal Milo* – I. Statusi i Shqipërisë Perandoria si fuqia më e interesuar për t’i dhënë Shqipërisë në vitin 1913 statusin e një shteti të pavarur e neutral, gati tre vjet më vonë ndodhet në dilemën e ripërcaktimit të pozitës së saj ndaj tij.

Që në fillim të luftës, në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit, Vjena dhe Roma ripohuan respektimin e neutralitetit e të tërësisë territoriale të Shqipërisë edhe në perspektivën e ndryshimeve që mund të sillte konflikti i saponisur evropian. Por, rrjedha e luftës, çmimi i lartë që kërkonte Italia për të hyrë në aleancë me Boshtin Qendror dhe së fundi Traktati i fshehtë i Londrës i prillit 1915 shënuan fundin e statusit të pavarësisë e të asnjanësisë së Shqipërisë.

Austro-Hungaria ndonëse nuk ishte fuqia nismëtare që dhunoi pavarësinë, neutralitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë, nuk mund të thuhet se ishte jashtë përgjegjësisë për çfarë ndodhi. Në rrethanat e luftës, ajo nuk mund të pengonte katër Fuqitë e tjera të Mëdha që të ç’bënin Shqipërinë dhe kjo është mëse e kuptueshme. Por Vjena në tentativat e saj për të fituar aleatë në Ballkan i nxori në treg territoret e Shqipërisë jugore e lindore.

Në janar 1916, perandorisë në rrethanat e luftës iu imponua marrja e një vendimi për të futur ushtrinë e saj në Shqipëri. Nuk ka shumë rëndësi emri që mund t’i vihet këtij veprimi. Cilësorët e ndryshëm që përdoren, “pushtim” apo “administrim” i Shqipërisë janë më tepër apelacione taktike politike, që nuk ndryshojnë thelbin e problemit dhe që është një postulat i të drejtës ndërkombëtare: hyrja me dhunë e pa miratimin e vullnetit të sovranit e një force të huaj ushtarake në një vend tjetër është tjetërsim i sovranitetit.

Vjena nuk e pati të lehtë të vendoste se si do të paraqitej ndërhyrja e saj ushtarake në Shqipëri. Ajo i njihte ndjeshmëritë shqiptare dhe nuk donte të kompromentonte emrin e mirë që kishte investuar në sytë e shqiptarëve për shtetformimin e pavarur shqiptar. Ndaj edhe në mbledhjen e Këshillit të përbashkët të Ministrave të perandorisë në 7 janar 1916 e deri në fund të luftës u përplasën dy koncepte për statusin e të ardhmen e Shqipërisë, njëri i ministrisë së punëve të jashtme (Ballplatz) dhe tjetri i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë perandorake. Ministria e Jashtme kishte një qasje politike dhe i vështronte ngjarjet në perspektivën e zhvillimit të tyre. Shtabi i Përgjithshëm kishte një vështrim më të ngushtë, operativ dhe ishte i prirur të vendoste një regjim të hapur pushtimi në Shqipëri.

Qasja politike e Ballplatz-it e paraqitur nga ministri i Jashtëm, I.Buriani ishte që perandoria të ushtronte “një protektorat efektiv mbi Shqipërinë, jo me qëllim që ta aneksojmë, por të nisur nga dëshira për ta bërë për të qëndruar me këmbët e veta dhe për ta mbrojtur para çdo ndërhyrjeje të një të treti… domethënë të themelojmë dhe të konsolidojmë pavarësinë e një shteti, i cili në përputhje me interesat e tij jetike t’u shërbejë në Ballkan interesave tona”.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë perandorake përmes shefit të tij, baronit Konrad fon Hëntcendorf u shpreh kundër një Shqipërie të pavarur me argumentin se ajo nuk mund të ekzistonte për shkak të mungesës së homogjenitetit të elementit shqiptar, të gjuhës, të origjinës, e të fesë së tij. Për rrjedhojë, Hëntcendorf propozonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut deri në lumin Mat nga Austro-Hungaria, Shqipëria e Jugut së bashku me Vlorën t’i ofrohej Greqisë, ndërsa Bullgarisë t’i jepej Shqipëria e Mesme përfshirë Durrësin. Me këtë ndarje shefi i Shtabit të Përgjithshëm synonte përjashtimin e Italisë nga bregu lindor i Adriatikut.

Edhe pas hyrjes së forcave austro-hungareze në Shqipëri në 23 janar 1916 përplasja e koncepteve për statusin e Shqipërisë vazhdoi gjatë gjithë vitit. Ajo u kthye më tepër në një betejë prestigji dhe protagonizmi midis Ballplatz-it e Shtabit të Përgjithshëm. Vetëm në fund të vitit u arrit një kompromis mes tyre. Ministria e Jashtme pranoi që autoriteti kryesor për të zbatuar politikën e Vjenës në kohën e luftës në Shqipëri do të ishte komanda e korpusit të XIX të ushtrisë perandorake me seli në qytetin e Shkodrës. Komanda e Përgjithshme e ushtrisë pranoi pikëpamjen e diplomacisë për ndërtimin në të ardhmen, në një kohë të përcaktuar një shtet shqiptar të pavarur nën protektoratin efektiv të Austro-Hungarisë.

Synimet e politikës austro-hungareze në Shqipëri u prezantuan në Shkodër ditën e përvjetorit të parë të hyrjes së forcave perandorake në vend, në 23 janar 1917. Përmes një shpalljeje të lexuar në gjermanisht nga komandanti i korpusit XIX G. Trolman dhe në shqip nga August Kral, përfaqësuesi i Ballplatz-it në këtë korpus, u deklarohej shqiptarëve “se ne nuk kemi ardhur si pushtues në vendin tuaj” dhe u premtohej se pasi të ishin krijuar kushtet paraprake të autonomisë vendore, do të ndërmerrej menjëherë organizimi i vetadministrimit shqiptar.

Kompromisi i përkohshëm midis dy institucioneve të rëndësishme për statusin e Shqipërisë nuk zgjati më shumë se një vit. Komanda e korpusit XIX në Shkodër doli me propozimin për të vendosur në Shqipëri një qeveri të përgjithshme ushtarake, siç ishte bërë edhe në Serbi. Ballplatz-i e refuzoi këtë propozim për momentin, sepse sipas tij nuk ekzistonin rrethanat e duhura, ishte e nevojshme realizimi i disa kushteve paraprake për përmbushjen e tij. Ushtarakët nuk u tërhoqën para diplomacisë dhe u rikthyen në variantin e tyre fillestar për të vendosur në Shqipëri një regjim të hapur pushtimi, madje për të pushtuar edhe Vlorën që ndodhej në zonën italiane të pushtimit.

Në verën e vitit 1918 Ministria e Jashtme i kundërshtoi këto propozime dhe këmbënguli në zbatimin e politikës së “autonomisë së Shqipërisë nën protektoratin efektiv të monarkisë”. Ajo sugjeronte “trajtimin pa përjashtim të shqiptarëve si një popull neutral me ndjenja miqësore për Monarkinë…”. Këtë qëndrim diplomacia perandorake do ta konfirmonte për herë të fundit edhe në muajin shtator kur perandoria po rrëshqiste drejtë fundit të saj. Në “Direktivat politike për administratën e Shqipërisë” në mesin e shtatorit, Ballplatz-i shprehej se forma e protektoratit mbi Shqipërinë do të varej ekskluzivisht prej përfundimit të luftës botërore dhe zhvillimit të bisedimeve të paqes.

II. Projekti për bashkimin e trojeve shqiptare të Serbisë e Malit të Zi

Politika austro-hungareze i çmonte shqiptarët si një element besnik e strategjik në përmbushjen e objektivave në Adriatik e në Ballkan gjatë luftës. Pas pushtimit të territoreve të Serbisë e të Malit të Zi e në prag të hyrjes së ushtrisë në Shqipëri, në Vjenë iu rikthyen idesë së rishikimit të vendimit të Konferencës së Ambasadorëve për kufijtë veriorë e verilindorë shqiptarë.
Shefi i Ballplatz-it, baroni Buriani në mbledhjen e Këshillit të përbashkët të Ministrave të Perandorisë në 7 janar 1916 kërkoi që Shqipërisë t’i bashkoheshin përsëri ato krahina, të cilat pas Luftës Ballkanike u ishin dhënë Serbisë e Malit të Zi. Pas vendosjes së ushtrisë në Shqipëri dhe të kryekomandës së saj në Shkodër, Buriani në prill 1916 i bën me dije asaj se në një moment të përshtatshëm duheshin bërë përpjekje që kufijtë e Shqipërisë të shtriheshin sa më larg mbi baza etnografike duke përfshirë brenda saj krahinat e Malit të Zi dhe të Serbisë që banoheshin në pjesën më të madhe prej shqiptarëve. Alternativa e Ministrisë së Jashtme, shkruante Buriani, i ofronte Austro- Hungarisë avantazhet më të mëdha dhe disavantazhet më të pakta, por “për realizimin e kësaj zgjidhjeje është e nevojshme që organet ushtarake të ngarkuara me administrimin e Shqipërisë të udhëhiqen prej të njëjtave parime shqiptarofile sikundër Ministria e Punëve të Jashtme”.
Është përsëri shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Hëntcendorf që kundërshton edhe këtë projekt politik të Ballplatz-it. Ndonëse në parim e pranonte bashkimin e trojeve shqiptare, ai vinte disa kushte që realisht e bënin të pamundur atë. Shefi i Shtabit pretendonte ta jepte aprovimin e tij, por vetëm nëse Ministria e Jashtme do të deklarohej që këto troje shqiptare në Mal të Zi do t’i bashkoheshin Perandorisë. Bashkimin e të gjithë shqiptarëve ai e shihte jo në kuadrin e një Shqipërie të pavarur, por vetëm përmes bashkimit të të gjithë territoreve shqiptare të pushtuara nga ushtria austro-hungareze.

Kundërvënia e Ballplatz – Kryekomandë edhe për këtë çështje vazhdoi thuajse gjatë gjithë kohës së Luftës. Komisari civil, në korpusin e XIX në Shkodër shqiptarofili, August Kral qëndrimin e ushtarakëve e cilësonte “armiqësor dhe kundër interesave të monarkisë” dhe se “ata ndihmojnë me dashje, ose pa dashje synimet e armiqve tanë”.
III. Administrimi i Shqipërisë austro-hungareze
Zona austro-hungareze e pushtimit në Shqipëri shtrihej nga kufijtë veriorë të vendit deri në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosa, i cili shërbente si kufi edhe me zonën italiane të pushtimit. Për ta qeverisur atë që ishte gati dy të tretat e territorit të Shqipërisë në mars 1916, gati dy muaj pas hyrjes së ushtrisë, në Shkodër u shpall krijimi i administratës ushtarake, e cila vihej në varësi të komandantit të korpusit XIX. Pranë kësaj komande me detyrën e komisarit civil u caktua August Kral, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai do të merrej me të gjitha çështjet civile të administrimit austro-hungarez në Shqipëri.

U krijua një administratë qendrore me tre drejtori: të financave, të arsimit dhe të drejtësisë. Për të ruajtur rendin e rregullin u krijua një forcë xhandarmërie. Gjuha shqipe u njoh si gjuhë zyrtare e administratës shqiptare, ndërkohë që shpalljet publike bëheshin në dy gjuhë: në gjermanisht e shqip. U lejua përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar në institucionet publike si dhe stema me shqiponjën dykrenore në zyrat e administratës shqiptare.

Administrata ushtarake austro-hungareze shpalli respektimin e traditave, zakoneve e të ngjarjeve kryesore historike shqiptare, barazinë e plotë të të gjitha besimeve fetare; pezulloi fenomenin e gjakmarrjes dhe ngriti komisione të posaçme për pajtimin e gjaqeve, ngriti gjykata ushtarake e civile dhe u dha mundësi përpjekjeve për lëvrimin e gjuhës e të kulturës shqiptare.
Por si në çështjet e tjera madhore edhe në atë të administrimit përplasja midis Ministrisë së Jashtme e komandës ushtarake ishte e ndjeshme. Ballplatz-i propozoi ndarjen e administratës civile nga ajo ushtarake dhe varësinë e saj nga institucioni i politikës së jashtme. Kryekomanda refuzoi dhe ajo çfarë u arrit në fund ishte ndarja e postit të komisarit civil nga ai i përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Perandoria austro-hungareze në funksion të projekteve të saj operative e strategjike në kohën e Luftës bëri edhe investime të rëndësishme. Por këto investime mbetën në vend dhe i shërbyen njëkohësisht edhe zhvillimit ekonomik e rritjes së shërbimeve ndaj shqiptarëve. U ndërtuan rrugë të reja dhe u riparuan të vjetrat, u vunë në përdorim hekurudha me mundësitë e kohës e të terrenit, teleferikë, etj. Gjithsej u ndërtua një rrjet komunikacioni prej 739 km. Investimet e përgjithshme vetëm vitin e parë të qëndrimit të ushtrisë austro-hungareze në Shqipëri arritën në 62 milionë korona. Furnizimi me drithëra nga rezervat e ushtrisë shpëtoi popullsinë shqiptare nga uria në një kohë kur të mbjellat dhe të korrat në vend ishin prej vitesh të pamjaftueshme.
Një nga arritjet më të ndjeshme në viset shqiptare të pushtuara nga perandoria ishte ajo në fushën e arsimit e të kulturës. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit me në krye Luigj Gurakuqin dha një kontribut të vyer në përhapjen dhe konsolidimin e arsimit shqip.

Në vitin e parë të funksionimit të administratës ushtarake austro-hungareze u hapën 231 shkolla, arsimi fillor u bë i detyrueshëm, pesë vjet në qytet dhe tre vjet në fshat. Mësimi i gjuhës shqipe në shkolla e kurse u nxit edhe në radhët e popullsisë shqiptare të Kosovës, por edhe për ushtarakët austro- hungarezë.
Në Shqipërinë e këtyre viteve u ndërmorën nga specialistë austro-hungarezë ekspedita arkeologjike, gjeologjike, zoologjike e botanike që hodhën bazat e kërkimeve në këto fusha dhe që u bënë referenca të rëndësishme për të ardhmen e tyre. Për standardizimin e të shkruarit të gjuhës shqipe, për përdorimin zyrtar të drejtshkrimit të saj dhe për hartimin e teksteve shkollore u ngrit Komisia Letrare, anëtarë të së cilës ishin emrat e njohur si At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, etj. U financuan botime me vlerë kombëtare e disa gazeta në gjuhën shqipe.

Please follow and like us: