Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Një ditë në shtëpinë e Vaçe Zelës!

Vaçe Zela pati fat të madh se erdhi në Tiranë kur jeta artistike ishte në kulmin e saj. Në vitin 1957, Tirana ishte mbushur me një rini universitare, me teatro, ansamble, estrada, me artistë që kishin ardhur nga Bashkimi Sovjetik, që kishin studiuar në Leningrad. Ndërsa trendi muzikor deri në atë kohë ishin një grup këngëtaresh e këngëtarësh që ndiqnin ritme të prapambetura të rumbos, mambos, të tangos dhe serenatës, që ishin ritme të lodhura. Por nga ana tjetër shqiptarët kishin filluar të kishin shije më të zhvilluara se muzika që iu ofrohej brenda vendit, sepse ndiqnin festivalet në Europë, Sanremon, etj.
Prej këtyre ndikimeve, Tirana u bë një qytet që nisi të ndizej nga ritmet e xhazit. Ishte Vaçe Zela që iu dha një zë të veçantë këtyre ritmeve, duke sjellë një tingull të ri, të padëgjuar. Kështu ajo erdhi dhe u rrit në festivalet e këngës në RTSH. Kjo lloj energjie muzikore në Shqipëri nuk mund të vinte ndryshe, veçse duke u përshtatur me temat komuniste, ku i këndohej “jetës së re”, “pranverës”, “të lumturit atdhe”, etj. Por lulishteve ose në baret live këndoheshin këngë të Sanremos. Kjo atmosferë entuziazmi në muzikë lidhej edhe me faktin se jeta e vendit ishte në një gjendje shprese, energjie dhe optimizmi.
Pra Vaçe Zela hyri në muzikën shqiptare në këtë atmosferë dhe që me daljen e saj për herë të parë në skenë, ajo nxori në “pension” shumë nga yjet e Estradës, ku ishte krijuar një elitë e cila përfshihej edhe në koncerte shtetërore. Vaçja kishte një zë që i bashkohej mrekullisht muzikës, ritmit të xhazit, pavarësisht se teksti ishte tjetër. Kjo bëri që kompozitorë të njohur të bënin këngë për të, si Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, A. Prodani, Fedinand Deda e të tjerë mjeshtër që ditën të shkruanin muzikë për aftësitë e saj vokale. Edhe Avni Mula që ishte një muzikant i shkolluar në Rusi dhe me shumë pretendime ia jepte këngët Vaçe Zelës.
Kështu rreth moshës 35-vjeçare, në vitet ‘70 Vaçe Zela ishte një personalitet i padiskutueshëm i muzikës shqiptare. Vaçe Zela ishte personazhi më interesant në botën e artit dhe një grua shumë elegante, vishej me shije dhe kishte një trup si të tonifikuar. Edhe pse ishte diktaturë, ajo kishte arritur të fitonte një pavarësi që, nëse nuk dëshironte të merrte një këngë, ose nuk dëshironte të dilte në një koncert, vendimi i saj respektohej.

Në atë kohë që unë e njoha Vaçe Zelën ishte në kulmin e adhurimit nga publiku. Edhe pse i duhej të këndonte me mikrofonët dhe me ato mjete teknike vokale shumë të dobëta që kishte atëherë, ajo ishte e aftë të jepte koncerte e të ngrinte në këmbë publikun në stadiume të mëdha. Ishte një stuhi.

Pse duhet t’i luteshim Vaçes…
Vaçe Zelën e kam njohur gjatë punës sime në Radiotelevizionin Shqiptar. Isha redaktori i parë i teksteve të këngës. Pas meje kanë ardhur atje Zhuliana Jorganxhi e A. Boshnjaku e të tjerë.
Më thotë një ditë shefi i redaksisë Gjon Simoni: “Merr këtë partiturë dhe tekstin e kësaj kënge dhe do të shkosh tek shtëpia e Vaçes”. Por para se të nisesha më tregoi se do t’i luteshim me shumë kujdes dhe me shumë mirësjellje për ta pyetur pasi ta shihte tekstin dhe partiturën nëse i pëlqenin apo jo. Vaçja në atë kohë kishte bërë një emër të tillë sa të gjithë i kërkonin me përulje bashkëpunimin.

Shkoj tek shtëpia e saj. Diku pas nëntëkatshave.
Kur shoh dyert ishin hapur dhe po hynin e dilnin shumë njerëz. Hynin-dilnin, radhë, fytyra të heshtura, të mërzitura. Mësova se Vaçes i kishte vdekur vjehrra. Në atë kohë nuk kishte telefon që të merreshin vesh këto gjëra. Shtanga, se nuk kisha as si t’i lajmëroja shefin për ta pyetur se çfarë të bëja në këtë rast. Vjehrra e Vaçe Zelës ishte vjeneze.

Hyra me drojtje. Në atë kohë kishin një apartament shumë të madh krahasuar me të tjerët, Vaçja kishte edhe një dhomë studio. Nje nga gratë që shërbenin, më çoi te Vaçja.

I kërkova ndjesë, duke i treguar me shumë zor, se pse kisha shkuar. Por ajo më priti shumë mirë. “Hajde more!”, më dha kurajo me atë karakterin e saj të gjallë. Dhe, ndërsa i kërkova prapë ndjesë, ajo më tha: “Epo vjehrra do vdiste një ditë, pa ta shohim njëherë këtë”.
Kujtoj këtu se ishte një kohë kur artisti sakrifikonte për punën e tij. Kishte raste edhe kur u vdiste nëna, artistët këndonin në skenë, nëse ishte planifikuar. Vaçja ma bëri me shenjë ta ndiqja drejt dhomës-studio dhe si e vuri partiturën mbi piano, nisi të shihte me vëmendje gjithçka. Në dhomën tjetër bashkëshorti priste njerëzit për ngushëllim.
Nja dy komshije ndihmonin për të servirur kafetë. Vajza e saj 11-vjeçare i vinte aty dhe ajo mundohej ta qetësonte se qante për gjyshen. Vaçja filloi ta provonte partiturën duke i rënë lehtë me gishta tastierës. Nuk e kujtoj saktë se cila këngë ka qenë, por kujtoj që ishte një partiturë me muzikë të Shpëtim Kushtës.

Pasi provoi tingullimin, Vaçja më tha: “Bëji të fala Gjonit dhe i thuaj që më pëlqeu. Shumë mirë ishte. Sa të mbaroj këto ditë e zisë dhe do të fillojmë nga puna”. Dhe kështu Vaçja me atë buzëqeshjen e saj të plotë më përcolli deri te dera dhe u kthye tek njerëzit që kishin ardhur për ngushëllime.

Duke e njohur edhe gjatë punës në RTSH, dua ta theksoj që Vaçja ishte një shpirt i gëzuar. Kishte një gëzim shpërthyes që dinte ta ndante me të tjerët.

 

Please follow and like us: