Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Oligarkia shqiptare dhe rrathët e saj

Në fakt gjithë motorët që punojnë në Shqipëri janë produkt i oligarkisë dhe rrathëve të saj. Nisur nga zyrat e partive politike, zyrat ministrore dhe për rrjedhojë ato të bizneseve.
Ne jemi një vend që iu qasëm demokracisë nga diktatura e proletariatit. Nga një dëshpërim i madh kolektiv, ku në kujtesën tonë ato fluturimet nga bashi i anijeve, i shqiptarëve që hidheshin në det, si zogjtë që rrahin fluturimin e parë, janë akoma të gjalla. Një vend që iu qasëm demokracisë nga gjoja pushimi i luftës së klasave, ku shtresat e dikurshme jo vetëm nuk pushuan, por e forcuan, duke përçudnuar njëri-tjetrin. Në fakt ne bëmë sikur, por nuk e pushuam atë, përkundrazi e kemi thelluar.
Kjo ka për bazë mungesën e një ndjese a pajtimi kombëtar. Nuk u bë. As nuk ka ndërmend. Dhe ajo që është me regresistja është ideja e grupazheve për hir të hierarkive dhe bindjeve të vjetra. Duke sheshuar një fakt thelbësor, atë që, shkaku kryesor i kalimit në demokraci, ishte ekonomia.
Ne për të gjitha flasim, veç për ekonominë jo. Madje kush i shërben ekonomisë është disfatist.
Megjithëse njihet botërisht demokracia është ekonomi, ligj dhe përgjegjësi qytetare. Ne, asnjë nga tria, nuk e kemi. Veç dashurisë pafund për njëshat, minierat e oligarkisë sonë.
Çfarë është një oligark politik?
Sapo dëgjoni një opinion që thonë se filani tërheq vëmendjen, tërheq audicionin e mediave a të tjera mjete komunikimi, ky filani është oligark. Por më i keq se ky, është tërësia e rrathëve pranë tij, një tërësi diplomash, gjuhësh, bibliotekash, bëjnë amin për ca të drejta në kundërshti të plotë me shifrat, si e si në pritje të një posti që është kthyer tashmë jo në detyrim karriere a intelektuale, por një hob.
Kësisoj shqiptarët që erdhën në demokraci nga apartamentet 1 e 2 dhoma e guzhinë, me një banjo, ku edhe laheshin edhe gatuanin me furnelat e vajgurit, janë kthyer sot në hobista të njëshave. Tmerrësisht të pasur edhe pse nuk zotërojnë asnjë ndërmarrje prodhimi. Përshembull si ish kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni. Ndërsa në demokracitë perëndimore, sistemi, institucioni i taksës, verifikimit të të ardhurave, të shtrydh topet, qofsh ti edhe perëndi. Në Shqipërinë e oligarkëve dhe rrathëve të saj, as që bëhet ndonjëherë ndonjë verifikim serioz i të ardhurve. Megjithatë plot policë bashkiak kapin plaka që shesin qepë të njoma trotuareve për të blerë një thes me miell.
Shumë nga bizneset në Shqipëri nisën nga zyrat e partive politike. Në fakt janë partitë ato që i kanë bizneset, kjo në shkëmbim të bërjes së fushatave, vilave dhe suportit të jetës luksoze. Nga ana tjetër edhe si mjete shantazhimi për mbylljen e gojës, sidomos kur bëhet fjalë për ndarjen e tenderimeve. Por edhe për gjëra më të vogla, si vendi i punës. Kjo verifikohet lehte, shumat e padeklaruara apo burimet anonime financiare në fushatat elektorale. Tek lufta brenda llojit, procedurat me shkelje flagrante te statuteve etj. Gjithsesi, nisi kështu në Shqipërinë tonë, dhimokracia, me një nga eksperiencat më të këqija nga përvoja e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Jo rastësisht sot aludohet në horizont një lloj rimbështetje a afrim tek vendet ish bllokut të lindjes. Ky është një tjetër fakt që nga përvoja e alencave të lindjes oligarkia i afron shqiptarëve një ekonomi lëmoshash pa vënë asnjëherë në punë ekonominë e vendit dhe fuqinë reale kreative të individëve të saj. Pra, pikërisht pse nisi nga zyrat e partive deri me sot nuk ngeli katundar a konviktor me valixhe druri, rreshter a kapter ushtrie, ish sekretar a komunist pa një firmë, biznes a medium viziv. Pse nisi nga partitë ne njohim me gjykatë 136 forca politike në vend. Produkte skarco apo gallate për popullin. Se ata për vete janë në rregull. Ndaj edhe sot ata bëjnë luftën, për të mbrojtur interesat financiare të tyre, të bijve, vëllezërve dhe dashnoreve e burrave të tyre. Pra është një luftë e tyre, për veten, sojin dhe asesi për një ekonomi të tregut të lirë dhe konkurencës.
Ndaj them që është naive të diskutosh se a ekziston oligarkia e politikës dhe e biznesit në vendin tonë? Jo vetëm që ekziston, por lulëzon. Të gjithë e shohin, të gjithë ia ndjejnë erën. Veç shqiptarët jo.

Please follow and like us: