Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: Ekonomia shqiptare po financohet nga droga dhe krimi

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pas deklaratave të  ministrit të Financave Arben Ahmetaj gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët. Ministri tha se sektori i ndërtimit ka shënuar rritje, ndërsa papunësia është ulur. Në një reagim për mediat, Tabaku tha se “e vërteta e ekonomisë shqiptare është se ajo po financohet nga krimi dhe droga”.

“Ministri i Financave i gënjeu sot shqiptarët, kur u tha se ndërtimi në Shqipëri është financuar nga burime zyrtare të sektorit bankar dhe se kredia është rritur, duke dashur të fshehë të vërtetën se ekonominë sot po e financon droga dhe krimi. Deklaratat e Ahmetajt nuk janë të vërteta, sepse, sipas të dhënave të INSTAT-it, lejet totale të ndërtimt për vitin e kaluar janë 819, duke u rritur me 88 % apo 384 leje më shumë”, shprehet Tabaku.

Më tej ajo theksoi se pjesën më të madhe e zë Bashkia e Tiranës, ku lejet e ndërtimit në Tiranë sipas saj janë rritur ndjeshëm që pas ardhjes së Erion Veliajt në Bashki, çka përkon edhe me zbatimin e projektit politik të Ramës për kanabizimin e vendit.

“Vetëm për qytetin e Tiranës lejet e ndërtimi kapërcyen nga 90 në vitin 2015 në 106 leje ndërtimi për 2016 dhe 231 për vitin e shkuar. Pra ka një rritje me 260 përqind për dy vjet. Ministri Ahmetaj gënjen kur flet edhe për vlerën e investuar në ndërtim për Bashkinë e Tiranës, sepse në 2015-ën, vit të cilit ai iu referua, INSTAT-i nuk e maste këtë tregues. Sipas të dhënave të INSTAT-it vlera totale e shumës së investuar për ndërtim në Tiranë prej tremujorit të fundit 2016 është mesatarisht 32 mld lekë”, tha ajo.

Përsa i përket kredisë për biznese për ndërtim deputetja demokrate theksoi se nuk ka rritje. Ajo shtoi se raporti i Bankës së Shqipërisë thotë se nuk ka rritje të kreditimit për bizneset dhe se ato po përdorin burime alternative.

“Nevoja e Ministrit të Financave për të gënjyer lidhet ngushtësisht me nevojën e Edi Ramës për t’u fshehur shqiptarëve faktin e rëndë se paratë e pista të krimit dhe të drogës po investohen në ekonomi, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Bashkia e Tiranës është shndërruar në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista të drogës dhe të krimit, ndërsa gjatë qeverisjes së Edi Ramës Shqipëria është shndërruar në nyjën kyçe të trafikut të drogës.

Arben Ahmetaj gënjeu edhe kur flet për rritjen e punësimit më 1 shifër, duke premtuar rritjen e punësimit me 150 mijë persona. Ky është njësoj mashtrim si premtimi i pambajtur i 5 vjetëve më parë për punësimin e 300 mijë shqiptarëve”, tha Tabaku.

Please follow and like us: