Albspirit

Media/News/Publishing

Ky është i riu që u vra në Durrës

Një sherr i momentit i mori jetën një djali të ri në Durrës, i qëlluar tre herë me thikë nga një bashkëmoshatar i tij. 16-vjeçari Anxhelo Gjokazaj, i riu që shikoni në fotografi, nxënës në shkollën profesionale “Hysni Çela”, u qëllua për vdekje nga 17-vjeçari Devi Lala, nxënës në shkollën “Naim Frashëri”. Gjithçka ndodhi pranë shkollës që frekuentonte Anxhelo, ku njëra nga goditjet e thikës e preku në zemër 16-vjeçarin, duke i marrë jetën. Sipas mjekëve, Gjokazaj kishte marrë një goditje me thikë pranë zemrës, plagë e cila ka bërë që ai të humbasë shumë gjak dhe për rrjedhojë ndërhyrja e tyre nuk ka dhënë rezultat. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka folur edhe xhaxhai i 16 vjeçarit. Frrok Gjokazaj tregoi se nipi i tij Anxhelo kishte shkuar në mësim 5 minuta me vonesë, ndërkohë që mësuesja nuk e kishte pranuar brenda, ai ishte larguar duke marrë mungesë. Ngjarja ndodhi pas një sherri të momentit mes dy adoleshentëve, rrethanat e së cilit janë ende në hetim. Shoku i tij Malvin Beci, publikon fotografinë e të ndjerit në Facebook dhe bën një postim prekës: “Jeta u tregoka shumë e padrejtë me më të mirët. S’po arrijmë ta besojmë që ti s’do jesh më pranë nesh, kjo është një humbje e madhe në zemrat tona. Do më mungosh shumë vëlla. U prehsh në paqe yll i qiellit tashme Anxhelo Gjokazaj”.

Please follow and like us: