Albspirit

Media/News/Publishing

Për një mbështetje të fuqishme Teodor Vasos!

Pëllumb Kulla

Sportisti i shquar Teodor Vaso më brengos pa masë me klithmën e tij për nevojën e një pensioni të mjaftueshëm për jetesë!…

Të gjithë njerëzit kanë arsye të kërkojnë të rrojnë si njerëz: të kenë një strehë të ngrohtë, të ushqehen normalisht dhe të vishen mire, që të kënaqin veten dhe mjedisin ku jetojnë.

Në vendin tonë ka shumë e shumë njerëz që nuk i kanë kushtet për një jetë sado të thjeshtë, si kjo që thashë më lart. Që kjo nuk është arritur dhe po vonon për të gjithë shqiptarët, ka shumë arsye dhe unë nuk do të merrem me shkaqet thelbësore që kanë kryesisht shpjegime historike dhe politike, të cilat i nënshkruari i ka cekur shpesh në shtyp dhe në krijimtarinë e tij letrare dhe skenike.

Pra teksa si njeri i artit dhe i letrave jam shprehur për këtë mjerim të tejzgjatur të shumicës së shqiptarëve, e personalizoj shqetësimin për një figurë të shquar, për një futbollist të niveleve të larta, për një figurë nga ato që përfaqësojnë kombin në arenën ndërkombëtare, një emër të ndritshëm në kujtesën e miliona shqiptarëve.

Është e tepërt të shfajësohem për këtë veçim. Zëri mund të ngrihet edhe për një bujk, për një zanatçi e për një nëpunës administrate, por veçohen disa figura, që me përpjekjet e tyre mbinjerëzore, me talentin dhe lumenjtë e djersës së tyre, janë bërë gjeneratorë emocionesh masive publike, sportistë, artistë, këngëtarë që kanë shënuar ngjarje në jetën e qytetit dhe të vendit. Ky veçim është i bërë tashmë, përderisa ne, në grumbullimet shoqërore dhe në tryezat tona familjare, flasim aq shumë për arritjet artistike dhe sportive që na mrekullojnë.

Mua më brengos gjendja e përgjithëshme, niveli jashtëzakonisht i mjeruar i pensioneve të shqiptarëve, por ankesa e Teodor Vasos më lëndon deri në dhimbje. Edhepse

kam hedhur shtat, jam shkolluar dhe kam jetuar larg Korçës, unë e ndjej veten dhe lumturohem për rrënjët e mia korçare.

Në mënyrë të vetvetishme qënia ime bëhet shumë e ndjeshme sapo ndesh fizikisht apo vizualisht pejzazhin e qytetit dhe viseve rreth tij. Brohoras instiktivisht në sukseset e sportistëve dhe artistëve të qytetit tim të origjinës.

Mrekullohem nga argjentinasi e pakrahasueshëm, Lionel Mesin, me të cilin s’më lidh asgjë veç admirimit… Përfytyro sa arsye më shumë kam të jem i ndjeshëm ndaj njeriut për të cilin shkruaj këtë mbështetje, Todo Vason. Më vjen mirë të kujtoj shpirtin e tij luftarak, teknikën e lartë të përdorimit të topit, frymëzimin që u injektonte ai shokëve të skuadrës, përballjen e tij të fisme me futbollistët e shquar të fushave botërore në stadiumet tona dhe në ata jashtë shtetit.

Për të gjitha këto duhet thënë se veçimi bëhet vetiu teksa ne të tjerët në mbrëmjet e familjes Vaso, ne nuk jemi zënë natyrisht në gojë, ndërsa në familjet tona vepra e bukur e Teodor Vasos ka qenë e lëvduar cdo javë dhe herë herë edhe më shpesh, ashtu sikurse ajo e Stavri Lubonjës, Aleko Pilikës, Jani Kaçit, Tamara Nikollës, Pavlina Evros, Donald Suxhos, aktorëve mbresëlënës të skenës korçare, këngëtarëve dhe krijuesve që rrinin prapa tyre.

Shfaqa sensibilitetin tim krahinor dhe listova jo më kot vetëm këto figura të shquara të sportit dhe artit korçar, sepse nga apeli i Todo Vasos, më lindi dyshimi se autoritetet administrative të Korçës ka të ngjarë të vuajnë edhe ato nga sëmundja e anësive të këtyre kohërave, kur shefa, ministra, deputetë, deri dhe presidentë të republikës shfaqin preferenca të ndohtura nga politika.

Është vërtet për të ardhur keq nëse edhe trajtimi i figurës së shquar të Teodor Vasos ka përfunduar në të tilla kanale. Kërkoj ndjesë për këtë dyshim, por ia vlen të tregoj se kjo gjë nuk ndodh për herë të parë.

Artistja e shquar Violeta Manushi vonoi shumë të rifitonte dashamirësinë e burokratëve militantë, për shkaqe të përkatësive jo të njëjta politike, ashtu si edhe një numër tjetër artistësh, si komiku Fadil Hasa dhe aktori i njohur shkodran Bruno Shllaku e shumë të tjerë në fusha jashtë skenave të teatrit, nga ku unë kam më pak informacion.

Ftoj gazetarë, sportivë dhe josportivë, veprimtarë shoqërorë, sportistë dhe sportdashës të shprehemi për një trajtim të merituar të një ylli të ndritshëm të fushave tona, të një personaliteti karizmatik, të cilit vërtet nuk i ka munguar kurrë mirënjohja e përgjithëshme popullore, por po i mungojnë në mënyrë dramatike mjetet e jetesës.

Të përkrahim dhe të ndihmojmë Teodor Vason, një nga figurat emblematike të futbollit kombëtar!