Më 27 Shkurt 2018 u nda nga jeta Steve Dune, 86 vjeç, një nga personalitetet më të shquara të karrierës së Drejtësisë në SHBA dhe një ikonë nderi e trashëgimisë së vlerave më të mira të shqiptaro-amerikanëve apo emigrantëve vithkuqarë të shek 19.

Steve Dune (Stavri Duni) lindi në vitin 1931 në Vithkuq të Korçës, Shqipëri. Ai emigroi drejt SHBA në vitin 1938 tok me nënën e motrën e tij, për t’u bashkuar me babanë e vëllanë më të madh që kishin emigruar më parë. Babai i tij, Kostandin Duni, një nga emigrantët e parë shqiptarë, kish mbërritur në SHBA që në vitin 1905.

Steve Dune jetoi në Southbridge MA deri në vitin 1949, u diplomua si Student Nderi në Shkollën e Mesme “Mary E. Wells”. Me pas u diplomua në Universitetin Clark, Worcester MA, i cilësuar si një Phi Beta Kappa Scholar. Vijoi studimet e mëtejshme juridike në Universitetin e New Yorkut, ku mori një diplomë Doktorature në Jurisprudencë, në vitin 1956.

E filloi karrierën e drejtësisë si Asistent i Studentëve të SHBA në Divizionin Penal të Qarkut Jugor të New Yorkut dhe më pas shërbeu si nëpunës ligjor në Gjykatën e Apelit, në Boston MA. Në vitin 1957 ai u pranua në Barin e New Yorkut.

Praktikoi gjithashtu për gjykata të ndryshme të Qarkut dhe Federale në SHBA. Ishte anëtar i një numri organizatash profesionale, përfshirë Shoqatën e Avokatëve Amerikanë, Shoqatën e Avokatëve dhe atë të Barit të New Yorkut, Shoqatën Ndërkombëtare të Avokatëve dhe Shoqatën Ligjore Detare të Shteteve të Bashkuara.

Për më shumë se 20 vjet ishte anëtar i Bordit të Administratorëve të Universitetit Clark. Në vitet 1983-84 ishte Kryetar i Komisionit për Kërkimin e Presidentit të Universitetit, nga 1980-84 zëvendës Kryetar i Bordit, ndërsa në vitet 1984-86 Kryetar i Bordit dhe Komitetit Ekzekutiv. Në vitin 1997 ai u zgjodh Administrues i Nderit në Universitetin Clark. Në vitin 2003 mori çmimin e Shërbimit të Nderuar të Shoqatës së Alumnieve të Universitetit Clark.

Që në moshën 26 vjeç Steve Dune u bashkua me firmën ligjore të Cadwalader, Wickersham & Taft, në vitin 1957 dhe u bë partneri tridhjetë vjeçar i kësaj firme. Në praktikën e tij, ai përfaqësonte koorporatat vendase dhe të huaja, bankat dhe klientët e tjerë në transaksionet komerciale e financiare, me theks të veçantë në financimin, projektet dhe ndërmarrjet e përbashkëta të transportit ndërkombëtar e transnacional.

Ai mori pjesë personalisht në projekte dhe transaksione në një numër vendesh të Evropës, Lindjes së Largët, Amerikës së Jugut dhe Karaibeve. Ligjëroi e shkroi për tema të ndryshme që lidhen me praktikën e tij, përfshirë financimin e projektit dhe çështjet e transportit detar.

Steve Dune e adhuronte Shqipërinë dhe vendlindjen e tij, Vithkuqin. E vizitoi 3 herë Shqipërinë. Vizita e tij e parë ishte në Gusht 1990, kur u takua me përfaqësues të Ministrisë së Transportit e Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të mediave dhe komuniteteve akademike. Mbajti leksione në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës mbi praktikën e ligjit në SHBA, duke folur rrjedhshëm në gjuhën Shqipe.

Dy vizitat e tjera i realizoi në vitet 1991 e 1995. Në verën e vitit 1995 erdhi si Këshilltar i Përgjithshëm i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, i cili u formua në fillim të atij viti nën kujdesin e Kongresit të SHBA, në mbështetje të Aktit për Demokracinë e Europës Lindore, 1990.

Ai ishte kryetari organizativ i Dhomës Tregtare Shqiptaro-Amerikane dhe drejtor i Fondit Shqiptar të Fëmijëve. Gjatë vizitave në Shqipëri u ndal edhe në vendlindje, Vithkuq, ku u interesua për varret e të parëve të tij.

Steve Dune u rendit në një numër burimesh referimi biografik, si dhe ndër “Avokatët më të mirë në Amerikë” në specialitetin e tij të praktikës ligjore. Ai ishte anëtar i Shtëpisë së Nju Jorkut për më shumë se tridhjetë vjet. Kishte qenë, gjithashtu, anëtar i Klubit të Juristëve, klubit Douglaston (New York), Palm Beach Polo dhe Country Club.

Një homazh nderimi për këtë burrë të shquar në nivele internacionale! Ngushëllime familjarëve e kujtim të paharruar jetës dhe veprës së tij!