Albspirit

Media/News/Publishing

Berisha kundër Bashës për Kuvendin

Ish-kryeministri Sali Berisha duket se ka një qëndrim të qartë kundër thirrjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së, për të ushtruar funksione zgjedhore.

Kuvendi pritet të thirret në datat 28 dhe 29 prill, për herë të parë në historinë e PD-së, jo për një vendim politik apo ndryshime statutore, por për të zgjedhur strukturat e reja drejtuese, megjithëse këtë detyrë e ka ushtruar katër vite më parë dhe sot ende është një Këshill Kombëtar me mandat 4-vjeçar që përfundon në shtator 2018.

Lulzim Basha bëri thirrjen e Kuvendit Kombëtar për të zgjedhur strukturat drejtuese, megjithëse nuk ka zhvilluar ende zgjedhjet në bazë. Statuti i PD-së e përcakton qartë se zhvillohen zgjedhjet në seksione, grup seksione, kuvendet e degëve dhe më pas thirret Kuvendi Kombëtar, të cili i shtohen deputetët dhe personat që statuti u njeh mandatin.

Më pas është ky Kuvend, i cili zgjedh Këshillin Kombëtar dhe në finale është vetë ky Këshill që zgjedh strukturat drejtuese, sekretariatet dhe departamentet.

Në rastin konkret, Basha po thërret një Kuvend Zgjedhor, ndërkohë që këtë proces statutor, Kuvendi që po thirret e ka ushtruar katër vite më parë, dhe nuk ka të drejtë një Kuvend të zgjedhë paralelisht dy struktura.

Janë vetë përfaqësuesit e këtij Kuvendi të cilët duhet të votohen edhe një herë në bazë. Të marrin mandat përfaqësues, pasi kanë humbur dy procese elektorale dhe minimalisht duhet të votohen në bazë.

Pas zgjedhjes së Këshillit Kombëtar dhe strukturave të reja nga Kuvendi i vjetër, PD do të fillojë zgjedhjen e strukturave në bazë dhe në degë, pra duke rinovuar dhe rimandatuar anëtarët e këtij Kuvendi.

Kuvendi i ri nuk do të ketë çfarë detyre të ushtrojë, pasi i vjetri i ka dhënë Këshillit Kombëtar një mandat 4-vjeçar dhe e drejta e delegatëve të vendit për të zgjedhur strukturat e reja nuk do të zhvillohet.

Të gjitha këto dhe të tjera argumenta kanë bërë që ish-kryeministri Berisha dhe lideri historik i PD-së të mbajë një qëndrim kundër zgjedhjeve që do të zhvillojë ky Kuvend.

Burime të besueshme i thanë CNA.al se Berisha është qartazi kundër zgjedhjeve të strukturave të reja nga Kuvendi i vjetër i PD-së. Berisha qartazi ka mbështetur, idenë e zgjedhjeve në bazë pas përfundimit të analizës dhe më pas Kuvendi ashtu siç e kërkon statuti.

Thirrja e Kuvendit për ndryshime statutore ose çështje të rëndësishme politike, si forumi më i lartë i PD-së, quhet një hap normal dhe veprim politik nga Berisha. Ai kundërshton zgjedhjet të cilat parimisht sipas Berishës, janë në shkelje të statutit./ CNA.al

Please follow and like us: