Albspirit

Media/News/Publishing

Iran: Gjendje kritike e shëndetit të një të burgosure politike të njohur

Shëndeti i të burgosurës politike iraniane, Golrokh Ebrahimi Iraee, është përkeqësuar ndjeshëm pas 50 ditëve në grevë urie.

Iraee, e cila po mbahet në Burgun e Qarkakut në Varamin, Provinca e Teheranit, po vuan nga sëmundje të ndryshme si rezultat i kësaj greve urie, duke përfshirë mosfunksionimin e veshkave, ënjtjen e këmbëve dhe humbjen e 20 kilogramëve në peshë.

Iraee filloi grevën e saj të urisë më 3 shkurt, në protestë kundër transferimit të saj të paligjshëm nga Burgu Evin në Burgun e Qarçakut, më 24 janar. Sipas ligjit iranian, të burgosurit ndahen në bazë të kategorisë së krimeve të tyre, por Iraee është zhvendosur nga një godinë për të strehuar të burgosur politikë në një burg për kriminelë të rrezikshëm dhe të dhunshëm. Kjo është përdorur shpesh nga regjimi iranian si një lloj torture fiziko-psikologjike kundër të burgosurve politikë.

Më 19 mars, katër ekspertë të OKB-së kërkuan lirimin e menjëhershëm të Iraee-s dhe të burgosurës politike Atena Daemi, në një deklaratë publike ku shprehej shqetësimi mbi abuzimin ndaj këtyre dy grave dhe raportoi se përpjekjet e tyre për të folur me regjimin iranian lidhur me këtë çështje nuk kanë qenë aspak të frytshme.

Në deklaratë thuhej: “Rastet e tyre ilustrojnë një model të vazhdueshëm të ngacmimit, frikësimit dhe burgosjes së atyre që kryejnë aktivitete paqësore dhe legjitime në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të të burgosurve të ndërgjegjes, shpesh duke përdorur akuza të vagullta ose tepër të përgjithshme mbi sigurinë kombëtare”.

Iraee po kryen një dënim për shkrimin e një tregimi imagjinar në lidhje me praktikën e lapidimit të përdorur shpesh si ndëshkim nga regjimi iranian. Kjo histori ishte e pabotuar dhe ndodhej vetëm në kompjuterin privat të Iraee-s, i cili u kap nga regjimi kur arrestuan burrin e saj për aktivizmin e tij.

Please follow and like us: