Albspirit

Media/News/Publishing

Opozita nis të enjten mosbindjen civile, pritet bllokimi i disa rrugëve

Opozita e bashkuar do të nisë të enjten protestat për mosbindje civile në të gjithë vendin. Burimet për mediat thanë se pritet edhe bllokimi i disa akseve të rëndësishme rrugore nga veriu në jug. Mësohet se do të bllokohen disa nga akset kryesore nacionale në Tiranë, Vorë, Lushnjë, Elbasan, Korçë dhe Lezhë.  Vendimi për mosbindjen civile u mor ditën e djeshme nga opozita e bashkuar në mbledhjen e përbashkët të grupeve parlamentare PD dhe LSI. Menjëherë pas mbledhjes, kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika kryemadhi paralajmëruan se opozita ka vendosur në mënyrë unanime mosbindjen civile si formë proteste kundër qeverisë.

Basha: Ne kemi patur një takim të zgjeruar të opozitës parlamentare dhe të strukturave drejtuese të të gjithë partive opozitare në Shqipëri dhe kemi dalë me një vendim unanim; në krah të qytetarëve shqiptarë është mosbindja qytetare dhe kjo nis që këtë javë, në krah të qytetarëve me mosbindjen qytetare, me refuzimin jo vetëm të taksës në rrugën e Kombit por të çdo takse tjetër që ka rritur Edi Rama. Ndaj ky është një vendim unanim i opozitës e cila nis që sonte organizimin për të bërë realitet mosbindjen qytetare, në krah të qytetarëve duke nisur me mospagesat e taksave të rritura nga Rama dhe duke vazhduar me të gjitha format dhe mënyrat e tjera të mosbindjes qytetare.

Kryetarja e LSI, Monika kryemadhi theksoi se aksioni i opozitës synon të largojë duart e kryeministrit nga xhepat e qytetarëve.

Kryemadhi: Mosbindja qytetare për taksat do të thotë të heqësh dorën e Ramës nga xhepi i shqiptarëve, do të thotë të heqësh litarin nga qafa e qytetarëve. Duke u mbyllur gojën mediave dhe të varfërve, Rama po instalon diktaturën e drogës. 23 të burgosur janë heronj, që na dhanë mësim edhe ne opozitës. Rama me fjalor rrugaçi i fyeu, gjë që deri më sot nuk ka guxuar kush ta bëjë për shqiptarët.

Mësohet se ideja e mosbindjes civile dhe përshkallëzimit të protestave antiqeveritare është mbështetur gjatë takimit të opozitës edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Please follow and like us: