Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Poetët thonë gjëra të çuditshme

—————————————

«Gjatë gjumit hipnotik poetët thonë gjëra të çuditshme»
– shkruante dikur Jean Cocteau,
sigurisht ata e shohin ndryshe natën e botës dhe agun njerëzor
fijen e barit dhe vesën e mëngjesit mbi një shpirt,
drithërimën e një vajze të trishtë me hapin e saj të përhumbur,
ata flasin për zjarre në qiell që ndizen e shuhen kushedi nga ç’dorë
poetët thonë gjëra të çuditshme,
herë të ngazëllyer e herë në jerm,
apo fjalë të shkëputura që enden nëpër erë
kumte për lirinë,
poeteshat duken menjëherë kur dashurojnë
dhe kur janë të plagosura për vdekje,
poetët thonë gjëra të çuditshme për fatet njerëzore
se në çdo themel ngrehine, ure, kështjelle
së pari duhet blatuar dashuria, – thonë ata,
se legjendat janë gjithnjë dashuri të pakryera,
udhëtime bohemësh mbetur përgjysmë kushedi në ç’han
poetët nuk dinë të gënjejnë, ata janë si fëmijët.
Kur Lorkës i thanë se do ta pushkatonin
ai nuk e besoi:
si mund të qëllohet një zemër poeti
në Grenadën e shenjtë, në bregoren ku bulëzon ulliri,
po kështu dhe Neruda kur e çuan me forcë në spital
në kllapinë e tij të fundme,
ai nuk e besonte se diktatorët mund të vrasin poetët,
kështu nuk besonin as adhuruesit e tyre, Blloshmi e të tjerë,
po, poetët thonë gjëra të çuditshme
ata u murmurisin zogjve, sorkadheve, kuajve,
dinë të paqtojnë shpirtra,
mërmërisin përralla mistike
ku bajlozët e kuçedrat më në fund gjunjëzohen e vdesin gjithashtu
fjalët e tyre enden nëpër botë si flutura argjendi
në kohë eklipsesh…
————-

11 prill 2018.

Please follow and like us: