Bazuar në Ligjin nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është ngritur dhe funksionon Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE), si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publikë dhe shoqërisë civile, si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.

 

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian drejtohet nga Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit dhe ka si zëvendëskryetar kryesuesin e delegacionit shqiptar në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociimin. Gjithashtu, KKIE ka në përbërje të tij si anëtarë me të drejtë vote, kryetarët dhe zv.kryetarët e komisioneve parlamentare, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe institucioneve kryesore kushtetuese, si dhe tre përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile për secilin nga kapitujt e legjislacionit të BE, të përfshira në çështje të integrimit europian.

 

Bazuar në Rregulloren e KKIE, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile përzgjidhen nga Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit, ndërmjet organizatave që aplikojnë pranë Sekretariatit Teknik për të marrë pjesë në takime, për një periudhë 2 vjeçare. Në përzgjedhje përparësi do t’u jepet atyre organizatave që kanë vazhdimësi në veprimtarinë e tyre dhe ofrojnë ekspertizë në lidhje me çështjet e integrimit evropian. Përzgjedhja do të bëhet në bazë të ekspertizës së tyre me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Europian.

 

Të gjithë të interesuarit, për t’u bërë pjesë e këtij Këshilli, duhet të paraqesin një letër interesi,  që duhet të përmbajë:

  • Të dhënat e organizatës;
  • Fushat e ekspertizës;
  • Listën e raporteve/studimeve/ analizave/fushatave/projekteve të zhvilluara 3 vitet e fundit, të cilat lidhen me çështjet e integrimit evropian;
  • Kapitullin/kapitujt e acquis në të cilët mund të kontribuojnë;
  • Anëtarësinë në rrjete/koalicione kombëtare/rajonale/ndërkombëtare;
  • Platformën për kontributin që ofron në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.

Letra e interesit e shoqëruar me dokumentacionin e regjistrimit të organizatës sipas legjislacionit shqiptar, duhet të dërgohet në adresën elektronike info.kkie@parlament.al, brenda datës � 15 maj 2018.

N.B: Informacion i detajuar mbi Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian mund të gjendet në faqen web të Kuvendit https://www.parlament.al/integrimi-europian-main/kuvendi-ne-procesin-e-integrimit-europian/keshilli-kombetar-i-integrimit-europian/