Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: A e duan Shqipërinë 20-30-vjeçarët e sotëm?

Në një shënim të mëparshëm, kam vërejtur se ka rritje të nënvlerësimit për intelektualët e sotëm, për intelektualin veprues të së përditshmes. Në shtyp është shtuar përbuzshëm përdorimi i cilësimit si intelektualë nderhumbur.
Paskan humbur nderin… kur? Që ta kesh humbur një gjë, do të thotë duhet ta kesh pasur dikur atë.
Dhe flitet për intelektualin e sotëm. Për atë që mori fill me rënien e komunizmit.
Universitarët buzëqumësht që dolën nga bankat e auditoreve më 1990, sot nuk janë më aq të rinj. Disa prej tyre tani janë pa flokë, disave u është bërë kafka pasqyrë, disave tulla lara-lara nga rënia pa mëshirë e flokëve. Kanë pasur punë të vështirë. Kështu ka qenë. E besoj.
Por ata më së shumti nuk kanë qenë kalorës të nderit, por të biznesit. Në rastin më të mirë mund t’i quash mercenarë, jo negativisht, por në kuptimin e fisëm të fjalës, profesionistë. Profesionistët thirren në një punë dhe paguhen sipas çmimit të tregut. Sot janë në këtë kompani (parti), nesër paguhen më mirë dhe largohen që të shërbejnë te një tjetër. Aty ku i paguajnë më mirë. Të tillë janë më së shumti gazetarët më të suksesshëm. Mjekët më të suksesshëm. Ata që bëjnë ligjin në tregun e librit e të biznesit të universiteteve, të shkollave private, të jurisprudencës, të opinionistëve, të tregut… të mendimit elitar… Këta kalorës të biznesit janë mjekë që t’i bëjnë mirë analizat se kanë aparaturë evropiane, vetëm se nuk të shërojnë. Të mbajnë varur të të marrin paret. Universitetet janë shumë luksi, vetëm se aty nuk të mësojnë… të japin diplomë. Ata që bëjnë mendimin, thonë se jemi Të majtë, por mbështesim Të djathtët se këta na financojnë… Pra, paraja, biznesi është mbreti absolut…
Çunat 20-22 -vjeçarë që më 1991 dolën me vrull nga universitetet dhe ju vunë punës së gazetarit, e dinin që vrulli, të qenit impulsiv, për suksesin është i demshëm? Leksioni i parë i ekspertëve që erdhën nga Evropa për profesionistët rishtarë të shtypit ishte: djema…. gazeta, radioja, TV-ja janë biznes. Nëse jeni futur në këtë punë për mesazhe të mëdha, në se do të luftoni për ide a ideale, pa një bazë mbështetëse në biznes, do të mbeteni pa bukë.
Çunat vinin nga shtëpi trokë, nga një kohë pa bukë, pa bereqet. Paraja të josh. Por ata ishin me shumë vrull. Thanë do bëjmë dhe para, dhe biznes, dhe emër si të aftë, si njerëz të profesionit që lakmojnë suksesin.
Por që të bëje biznes, dhe njëherësh të ishe profesionist… kjo ishte shkollë e re për ne që vinim nga shtypi komunist. Ç’do të bënin këta të rinjtë? Të varfër e zorrëthatë ishin. Sa profesionistë do të mbeteshin, kur para syve t’u tundeshin paratë? Sa janë profesionistë dhe sot kur u kanë rënë flokët, kur janë majmur nga ky zanat? A mund ta ndalin dot këtë pazarin e pështirë mediatik, a (siç thuhet) kazanin e vjellët që zjen ndër ne?
Kjo është punë tjetër.
Nuk them se vepruan keq, kur bënë si ai ushtari mercenar, i cili sot lufton me mbretin kundër princit rebel, dhe nesër, meqë paguhet më shumë, shkon te princi dhe ia kthen armët mbretit. I ka zanati këto gjëra. Biznes është.
Nuk them, nuk i gjykoj as pse janë përlyer në shërbime të turpshme. Si të bënin? Kishin mbështetje tjetër? Të mbeteshin pa bukë? Po ku shkoi nderi? Këtu as më pak, as më shumë, vetëm për nder nuk mund të flitet.
Mirë, nuk qenkan as të ndershëm, po a kanë qenë profesionistë? Dhe përse disa me përbuzje sot i quajnë nderhumbur, mercanarë? Këtu nuk duhet të ngutemi në përcaktime kategorike. Kjo është epoka që jetojmë. Të gjithë po abuzojnë me profesionin, me emrin, me titullin, me prestigjin, të gjithë… dhe mjeku, avokati, pedagogu, mendimtari… të gjithë japin emrin në këmbim të parave. Kjo është shoqëria që ndërtuam.
Ndaj, mbase profesionistët tanë nuk mund t’i quash as mercenarë.
I fyejmë mercenarët kur i vëmë në një paralele të tillë, Mercenarizmi ka qenë një punë me shumë nder. Gazetaria jonë, intelegjenca jonë, ka braktisur sjelljen profesionale, ka bërë propagandë bajate, të turpshme në këmbim të parave. Kështu mjeku, avokati, pedagogu kanë abuzuar me profesionin për paratë. Dhe kur i dituri, i afti jo e shet, po e braktis profesionin…ç’pyet për nderin.
Kaq sa për ta mbyllur këtë argumentin e nderit të humbur (me kohë)..

Në shtyp thuhet se fajin për sjelljet tona të mbrapshta intelektuale e kanë intelektualët që erdhën nga Komunizmi. Po, ata kanë faj që nuk i lan dot as lumi, as deti. Por sot pas gati tridhjetë vjetësh ata nuk janë më. Nderi i tyre humbi me kohën e tyre. Por, tjetër është pyetja sot: pse… pse edhe këta djemtë e pas 90-tës u bënë nderhumbur? Ata të komunizmit nuk i shpëtuan kurthit të joshjes nga pushteti. Këta djemtë e pas 90-tës iu falën më shumë kultit të parasë.
Disa mendojnë shumë keq. Thonë se sot jemi të zbrazur nga intelektualët e lartë. Sa kanë të drejtë?
Në vitet e mbretit Zog në Shqipëri zërat që kanë edhe sot emër ishin të rinjtë nga 20 deri 35 vjeç: Branko Merxhani, Ismet Toto, Petro Marko, Vangjel Koça (Nirvana), Nebil Çika, Ernest Koliqi, Ethem Haxhiademi, Lasgush Poradeci, Migjeni, Bulka, Shuteriqi, S. Spasse, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona etj etj. Janë emra që dolën në periudhën nga 1920-1940. Në 20 vjet. Janë emra të kulturës së lartë atëherë e deri sot.
Emra të tillë nuk mund t’i vëmë pranë atyre që më lart i kam quajtur çunat e pas vitit “90. Jemi bosh. Për fat të keq nga atëherë deri sot kemi humbur 28 vjet.
… ky brez, brezi i pas viteve ’90, mbase nuk ndriti. Mbase. Po më tej? Më keq akoma. Më duket se kemi humbur dhe 20-30 vjeçarët e sotëm. Moshatarët e atyre, e atij brezi që i dha emër kulturës së lartë të Shqipërisë një shekull më parë në vitet 1920-1940.
Ku janë të rinjtë e këtij brezi ndër ne? Ku janë 20-30-vjeçarët? A kanë ata zë dhe emër në jetën e këtij vendi? Disa prej tyre kanë mbaruar shkollimin në Sorbonë, në La Sappienca, në Kembrige, në Oxford. Ku janë ata?
Edhe në kohën e komunizmit pas 20 vjetësh në vitet ‘60, doli gjenerata e I. Kadaresë, e Agollit, e Jakov Xoxës…
Pse po i humbasim njëra pas tjetrës breznitë?
A e duan 20-30-vjeçarët e sotëm Shqipërinë që po u lëmë në pajë ne?
Ka shumë pikëpyetje.

Please follow and like us: