Albspirit

Media/News/Publishing

Violeta Gudha: Letër Besart Varfit

I dashur Emi,
Urojmë me zemër të jeni të gjithë mirë, e lusim, së pari për shëndetin tuaj, të fëmijëve, të nënës suaj Zoica Haxho (Emblema e Baletit Shqiptar) e Teutës.
Rasti e deshi të jemi fatlumë e, pas kaq vitesh mungese, të takohemi me ty përmes librit “Ne”.
Unë, si lexuese më e shpejtë dhe shumë kureshtare, sa e solli librin Andrea Gudha në shtëpi, ia mora nga dora. Dhe, më ndodhi si rrallherë, që nuk vura gjumë në sy një natë e të nesërmen, sa e mbarova.

Në çdo faqe libri më mbushi me gaz e trazim duke rrëshqitur mes rreshtave, befasi, mrekulli e shkruar nga një dorë mjeshtri. Zëri yt nga larg, pas një mungese të gjatë mbërriti i veçantë, ashtu siç dini me sa duket Asdurianët.
E ke marrë veten përdore në këtë rrëfim zemre. Çdo qenie njerëzore e, veçanërisht shpirti i një mashkulli kaq me shpirt të ndjeshëm, të lartë, gjen aty në çdo fjalë dhe fjali magjinë dhe lartësimin e fjalës DASHURI.
Emi, na mungon shumë neve, pse jo dhe këtij vendi…
Mungesa dhe dhimbja që ke, frymëzimi, që ke pasur në këtë botim e kanë zhdukur largësinë dhe mungesën e prezencës tënde. Të falenderojmë për këtë dhuratë të çmuar!
Leximi, por dhe rileximi i shumë pjesëve të librit, ashtu si Penelopa, që thurrte dhe çthurrte duke pritur Odisenë, ka sjellë tek lexuesi bukur e me shumë finesë copëzat e një shpirti e jete të trazuar. Sa ndërthurje e bukur mes vargjeve e prozës!
Sa për gjuhën shqipe që e ke ligjëruar aq bukur, do të thosha, se ashtu si Fan Noli, që diti të sjellë kryevepra në shqip në shekullin e kaluar, ti je një Nol i kohëve të sotme që e ke ngritur në piedestal dhe e ke pasuruar aq bukur gjuhën shqipe. Klasik hera-herës e modern, thurrja e kapitujve është një tjetër gjetje nga ana jote.
Emi, të lumtë mendja e pastaj pena! S’di, a ke menduar ta botosh në anglisht? Mund të shërbejë kjo gjetje edhe për një skenar filmi…
Mund të të propozoja ta paraqesësh në konkursin që bëhet këtu një herë në vit për çmimin”Kadare”…mund të të propozoja për shumë gjera. Por, fjala dhe pesha në këtë vend të çoroditur s’ka zë, gjithsesi lexues e njerëz të mirë ka kudo dhe ata janë oksigjeni i shoqërisë.
Jehona e librit të mirë duhet të vijë tek ty pa mëdyshje, që ke bërë një kryevepër plot melodi e këngë, siç kemi lëçitur më të mirët tanë si De Radën, Migjenin, Lasgushin etj.
Për sot, me kaq po e mbyll, duke të përqafuar fort!

Leta,
Tiranë, 12 korrik, 2018

Please follow and like us: