Albspirit

Media/News/Publishing

Sotir ATHANASI: Se ka ca njerëz (2)

Triptik i jetuar

Pjesa e dytë
U ngrita me vërtik si për të kryer një detyrë delikate, ku takti dhe sjellja duhet të ishin, jo vetëm dashamirëse, por të tilla për të mos e lënduar në sedër.
Modelin e kisha tanimë. Ai qe kleriku, druajtja e të cilit kishte si mburojë vështrimin e qeshur e soditës si përpara një tabloje.
I vajta pranë dhe me zërin tejet të ngrohtë si të ortodoksit nga Bostoni i thashë:
– Nga të kemi e ku po shkon, mor bir?
– Nga Fieri jam, xhaxha, nga Fieri.
– Mos ke gjë nevojë për të holla se…, sigurisht, në këtë botë me halle njerëz jemi dhe njëri-tjetrit duhet t’i gjendemi për të tilla raste. Për më tepër, në një aeroport të huaj.
– Jo, xhaxha. Faleminderit e të paça.
– Qofsh mirë, por mos më kurse. Ke gjë të holla e të pret njeri atje?
– Mos ki merak, xhaxha. Kam para. I kam të gjitha.
Pas kësaj qe pa kuptim ta shtyja më tutje bisedën. U nisa drejt ndenjëses sime i ndjekur nga dhjetëra sy kureshtarë, të cilët pa dyshim që do të kishin bërë mbase të njëjtin kujdes për ta përkrahur e mbështetur. Por…
Falmë, o Zot!
Ishim të gjithë të gabuar.
Djali i porsashprangosur kishte nxjerrë nga xhepi celularin dhe po telefononte me zë tepër të lartë simahorët e tij. Dukej sikur kalëronte mbi hamshorin e lirisë dhe me shpatë në dorë priste sa në të majtë në të djathtë.
Ja një copëz nga… shtegu i tij hipizmik:
– Do hapim punë me Bullgarinë. Leverdia është dy deri në pesë herë më e madhe. Kam zënë miq në Kolumbi. Te burimi, babam.
Sytë e mi që mbetën si të ngrirë. U shkrinë nga ndeshja në dhjetëra vështrime: ca dashamirëse e të dhimbshme, ca qortuese dhe ca tallëse.
Por të gjitha kishin në dritën e tyre atë që në sy e veshë të të gjithëve ky myteber përçmonte sjelljen, vëmendjen e madje, dhimbjen e një shoqërie të tërë për fatin e tij.
Mendimi im i parë qe:
Mos ndofta isha bërë qesharak?
Edhe vetëm ky përfundim më shkaktonte vuajtje shpirtërore dhe më mënjanonte nga një lloj altruizmi patologjik, karakteristikë kjo te personi im. Si e  shumë të tjerëve, xhanëm.
Mbase ai celular më dukej se qe shndërruar në automatik që grinte dhjetëra të rinj, të cilët furnizoheshin nga këta tipa, që vetëm e vetëm të dy a pesëfishonin fitimet e tyre.
Mos durofsh, o Perëndi. Në djall edhe delikatesa jote për të ndihmuar qenie të deformuara e të pashpirt!
Xhani im kish dalë jashtë rrobave të mia. Dhe unë e shihja atë të zhgënjyer e të vrarë nga një dorë kriminale.
Edhe tani që po hedh këta rreshta të njëjtën ndiej, ndonëse kanë kaluar vite që atëherë. Kam bindjen që nuk do të më shuhet nga kujtesa lehtë ajo çehre si dhe ato fjalë:
“Mos ki merak, xhaxha!”, që nënkuptonin, “Mos ma qaj hallin, xhaxha”!
Por ngushëllohem me një tjetër pamje. Saktësisht me atë kur personeli çeli portat e qelqta dhe u duk autobusi që do të na shpinte tek avioni.
Qe çasti kur kontrollorja e biletave na thirri të paraqiteshim pranë saj dhe se si ca grave me fëmijë të vegjël iu bëri shenjë që të vinin të parat.
Myteberi ynë vrapoi të zinte radhën me një ngut aspak të nevojshëm.
Ai as që e vuri re se të gjithë qenë larguar. Hapësira para dhe pas tij mbeti bosh.
I liruari nga burgu tashmë i ngjante një rrënje të shkulur e të hedhur tutje me neveri. Gjindja e kishte veçuar si ndonjë lebroz.
Kontrollorja, që ishte e njëjta në çekim, vuri buzën në gaz me një domethënie të veçantë dhe tha:
– Aha! Qenkërkeni ju i Koridhalosë, (burg në një lagje të Athinës).
Ajo i futi letrat në aparatin elektronik, ia dha në dorë dhe i tha:
– Udha e mbarë të qoftë!
Toni i zërit të saj qe i tillë që në shqip të sjell në mend shprehjen:
“Prapa diellit, apo në djall shkofsh”!
Tjetri nuk foli.
Mbase e trembi prania e oficerit të kufirit që u ndodh aty me radio në dorë. Ai i hodhi një vështrim të vëngër dhe kokoroshi i Fierit e mori në vend të bagazheve. Unë e kapa atë shikim të ushtarakut që synonte kërcënimin. Se…ka ca njerëz, vështrimi i të cilëve të mbetet në mendje në çastin që ndahesh prej tyre…
Vijon
Please follow and like us: