Albspirit

Media/News/Publishing

Eni Vasili tregon arsyet përse shkoi në Top Channel

Gazetarja e njohur Eni Vasili tregon motivet që e nxitën për të vijuar misionin e saj në televizionin “Top Channel”. Çfarë premton Eni Vasili për publikun dhe synimi për të vijuar evolucionin duke mbartur një karrierë mediatike prej dy dekadash.

Është kjo një ndarje me “Studio e Hapur” apo nisja e një udhëtimi të ri?

Ky moment është një nga ato çastet e rëndësishme në jetë kur ajo që lë pas dhe ajo që të pret janë dy anët e një medaljeje që shkëlqen. Ky moment nuk është as ndarje, as bashkim, as revolucion, por është evolucion në tërë kuptimin e fjalës. Pas një karriere 20-vjeçare në këtë etapë të jetës pikëtakohen qartazi eksperienca, njohja dhe ndjenja e sfidës që shoqëron çdo profesionist në rrugëtimin e tij. Dhe ky rrugëtim ka kulmet e veta, ku një prej tyre është edhe ky i tanishmi.
Kjo verë për mua thuajse nuk erdhi kurrë jo në kuptimin e temperaturave, por të ritmit të punës. Nuk them asgjë të fshehtë nëse pohoj se gjatë kësaj vere kam patur oferta nga disa televizione.

Nuk them asgjë të fshehtë nëse pohoj gjithashtu që gushti i nxehtë më ka përfshirë në negociatat më të ethshme, ato me Top Channel. Negociatat zgjatën gati një muaj dhe ka qenë edhe kjo një përvojë që më ka pasuruar. Vendimi nuk ka qenë i thjeshtë dhe negociatat kanë qenë komplekse por të frytshme për sa kohë interesi i përbashkët është t’i japim tregut mediatik një produkt dinjitoz me parametra profesionalë që shpesh mungojnë në studiot e debatit televiziv.

Kalimi nën një logo të madhe të një televizioni gjeneralist është një ekuacion me disa të panjohura për mua që vij nga një eksperience e ndryshme, ajo e televizionit News24, televizioni më i madh informativ në vend. Por unë dhe stafi i emisionit u ndjemë gati për këtë sfidë. Shtatori do të na gjejë nën një logo të re, në një shtëpi të re mediatike dhe me një studio të re për të cilën stafi i profesionisteve në Top Channel po punon me përkushtim.

Si u ndjetë për largimin nga ‘News24’?

5 vitet e kaluara në News24 dhe suksesi që emisioni “Studio e Hapur” pati aty i gjen arsyet jo vetëm në punën dhe përkushtimin tonë por edhe në mbështetjen e jashtëzakonshme të gjithë stafit të televizionit dhe drejtuesve të tij. Viti i shkuar për shembull ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për emisionin, për nga dinamika e transmetimeve, kurba e audiencës, faktori i impaktit etj. Vendimi nuk ka qenë i lehtë, përkundrazi. Dje kam marre shumë telefonata nga pjesëtarë të stafit të News24 të cilët bashkë me urimet më shprehën edhe trishtimin për largimin nga televizioni. Janë ndjenja të mirëkuptueshme pasi realisht aty kam gjetur profesionistë të shkëlqyer dhe njerëz të mrekullueshëm dhe kemi kaluar një kohë shume të bukur profesionale së bashku.
Gjej rastin të shpreh një falënderim ndaj këtij televizioni dhe zotit Hysenbelliu, i cili besoi në projektin tim, e zhvilloi dhe e mbështeti atë.

Studio e hapur ka një rrugëtim prej gati 15 vitesh… si do ta konsideroje këtë rrugëtim dhe a është kjo mbyllja e një cikli?

Nuk mbyllet asgjë thjesht vazhdon, rritet, përmirësohet, pasurohet, evoluon. Evolucion do ishte fjala çelës që do ta shpjegonte më së miri këtë proces. 15 vite të programit Studio e Hapur, një brend që e kam marrë me vete në tri televizione kanë qenë vite të shkëlqyera nga pikëpamja profesionale. Po të kujtoj tani larminë e personazheve, diversitetin e debateve, mijëra orët e transmetimit live, mund të them se është një jetë e jetuar në ekran. Kjo fazë që përfundoi në News24 nuk është një cikël që mbyllet, thjesht po kapërcen kufijtë e saj, po rritet dhe zhvillohet në një etapë të re profesionale dhe jetësore.

Pse Top Channel dhe pse tani?

Sepse Top Channel është Top Channel, televizioni që lindi si një ëndërr e dikujt dhe u bë ëndrra e shumëkujt. Është një nga pasuritë dhe asetet më të rëndësishme kombëtare, një shtëpi mediatike që çdokush do të donte ta ndjente veten pjesë. Jam sigurisht e lumtur që “Top Channel” më ftoi të jem pjesë e skuadrës dhe shpresoj ta justifikoj besimin.

Do të jeni sërish në një hapësirë debati që dominohet nga politika, në orare ku të tjera debate kryesohen nga burra në ekrane të tjera. A e bën kjo më të fortë garën?

Garën nuk e bën më të fortë përkatësia gjinore. E bëjnë qëllimet, objektivat, betejat për të cilat je i gatshëm të luftosh. Unë jam gati për betejën time.

Please follow and like us: