Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Isaraj: Nëse politika është e shqetësuar nga molepsja me krimin, të fillojë vetingun partiak

Qeni leh për stan të vet.

Pas 27-të vjetësh pështyme, balte dhe akuza politike me vrasje, grabitje dhe korrupsion, po lemë pas një tjetër javë, me “lehje” politike për vetvlerësime, vetgjykime dhe vetflijime.

E përbashkëta e tyre: Duan të vetvlerësohen dhe të vetgjykohen.

Por kanë harruar se në demokracitë parlamentare moderne, “Roja”, “Garanti” “Mbrojtësi” i të gjithëve është Shteti ligjor, i cili duhet të mbrohet në mënyrë të posaçme nga Gjyqësori, i pavarur nga Politika dhe i varur vetëm nga Ligji.

Ndaj çdo komb, shtet dhe shoqëri demokratike ka detyrimin kushtetues, që t’u japë mundësinë gjyqtarëve të mbajnë nën kontroll pushtetin e Parlamentit dhe të Qeverisë.

Thënë më thjesht me gjuhën e shqiptarit:

-Gjykimin politik Kuvendit dhe Qeverisë duhet ta bëj vetëm Populli me “shuplakat” e tij periodike.

-Gjykimin penal, civil dhe administrativ, deputetëve dhe qeveritarëve duhet ta bëj vetëm Gjykata.

Nëse Politika është e shqetësuar nga molepsja me krimin dhe korrupsionin, ajo ka vetëm një rrugë, të leh në stanin e vet, duke filluar vetingun partiak e rivlerësuar rregullat partiake mbi zgjedhjen, organizimin, drejtimin dhe përfaqësimin politik të partisë në organe qëndrore dhe vendore të qeverisjes.

Çdo lehje veting-u në stanin e tjetrit, nuk ka asnjë shans të ndalojë karvanin e vetingut të Gjyqësorit dhe të organeve të tjera, që duhet ta ndihmojnë atë në dhënien e pavarur të drejtësisë në Shqipëri.

Please follow and like us: