Albspirit

Media/News/Publishing

Pa Prof. Namik Resulin nuk ka letërsi shqipe

Fritz RADOVANI1 Namik ResuliPROF.NAMIK RESULI (1908 – 1985)/

PENA E ARIT E BERATIT…

Ky asht pena e artë e unitetit mendimit letrar, artistik e Atdhetar të Popullit Shqiptar.

Prof. Namik RESULI asht dijetar i pakufi në fushat e zhvillimit kulturor të popujve. Asht krejt i veçantë për mendimet e sakta në vlerësimet letrare të veprës së shkrimtarit. Asht jo vetëm njohës i kulturës Europjane Perëndimore, po edhe zbatues i përpiktë i rregullave të saja historike, letrare, shkencore dhe filozofike të kohës moderne. E njoha në 1957 prej një Antologjisë “Rreze Drite” që më dha me e studjue Prof. Gasper Ugashi.

Asht le në Berat me 10 Shtator 1908. Studimet i ka përfundue në Torino t’ Italisë, me një nga profesorat e njohun atje si linguist, Prof. Matteo Bartoli. Në vitet 1930 asht kthye në Shqipni dhe ka punue profesor në Normalen e Elbasanit. Ishte edhe në Shkodër dhe së fundi në Tiranë. Në 1939 asht profesor i Gjuhës Shqipe në Romë. Vjen në Shqipni në vitet 1940 – 44 dhe asht antar i “Institutit Studimve Shqiptare” në Tiranë. Në 1941 asht bashkëautor i dy vllimeve të Antologjisë së Shkrimtarëve Shqiptarë. Mendimet kritike e shkencore që jep për Shkrimtarët e Veriut dhe vlerësimi që i ban “Lahutës së Malcis” së At Gjergj Fishtës, e vendos në grupin e shkrimtarëve të “përjashtuem” të Veriut, nga “Akademia e Shkencave të RPSSh”, e formueme nga sllavokomunistët antishqiptarë mbas vitit 1944. Prof. Namik Resuli largohet nga Shqipnia perfundimisht me pushtimin e vitit 1944. Në Itali i kushtohet qendrave të studimeve shqiptare e, në 1954 boton në Torino revistën “Shpirti Shqiptar”. Një titull që i përshtatej para gjithkujt tjetër vet autorit të saj.

Nga 1955 – 1971 asht Profesor në “Institutin Oriental” të Napolit, ku vazhdon me ngulm punën shkencore për Gjuhën Shqipe dhe gramatikën e saj. Ribotoi të përfunduem me sukses “Mesharin” e Buzukut, që mbetet ndër monumentet shkencore të Gjuhës Shqipe.

Prof. Namik Resuli me të vërtetë e mbylli jetën me 12 Shtator 1985 në Torino…

Po, Ai asht një shkamb që nuk lejon ndër shekuj me ra një gur nga Kështjella e Beratit!

E Pena e artë e Namik Resulit, i jep shkëlqim edhe ma shumë gurve t’ Asaj Kështjelle!

Për Prof. Namik Resulin brezat e ardhshme nuk do të thonë kurr ishte.., po, AI ASHT!

Melbourne, Shtator 2018.

Please follow and like us: