Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Zgjedhjet e parakohshme në Shqipëri japin zgjidhje më realiste se “vetingjet”

 

 

Kohët e fundit janë dëgjuar ndodhi nga më të ndryshmet në Shqipëri dhe kryefjala e zhvillimeve është huazimi “vetting”. Veting për drejtësinë, veting për politikanët, veting për policinë, veting për bizneset e lojrave të fatit, veting për ekonominë kriminale, veting për këtë e veting për atë. Pra “vetingje” kudo e pa asnjë bereqet për njerëzit e uritur, të varfër, për ata që u shembin shtëpitë e bizneset dhe për familjet shqiptare që ikin nga sytë këmbët prej qeverisë së vet. Dhunohen akoma biznesmenët, zhvaten qytetarët, asgjë nuk funksionon për mirë, por ama kemi inflacion vetingu. Një lloj shpikjeje sorosiane për të nënshtruar drejtësinë tek këmbët e Kryeministrit po merret si model që mund të aplikohet pa të meta, kësaj radhe për të mirën e qytetarëve supozohet. Mirëpo çmimet nuk u ulen, gjykatat nuk u përmirësuan, bizneset e mëdha nuk u afruan, madje po largohen, pagat nuk u rritën, vende pune nuk u hapën dhe fabula e vetingut vazhdon të mbajë gjallë propogandën e marrëzisë pa fund të një qeverie të dështuar. Opozita ndërkaq ka promovuar një nismë të saj mbi vetingun në politikë, përmes të cilës shpreson të arrijë shumë, siç thotë se ka arritur me dekriminalizimin e që në fakt nuk është se është pak, por nuk mjafton. Vetingu nuk mjafton as për fermerin që pret subvencionin, as atë që pret dëmshpërblimin, as atë që u mashtrua në zgjedhje, as atë profesionistin që ikën nga vendi dhe as për një që shpreson të jetojë më mirë. Opozita duhet të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe të mbledhë pakënaqësinë qytetare anëmbanë vendit për ta kanalizuar në votë kundër qeverisjes. Kjo është detyra kryesore dhe ky është vetingu më i mirë. Dhe pasi të fitojë pushtetin ka komoditetin e zhbërjes së gjithçkaje të shtrembët e të padrejtë që ka bërë Rama. Mirë bën opozita që shkon dhe mbështet banorët në Jalë, që mbase kanë qenë dhe janë votues të Ramës e prej të cilëve nuk ka asnjë garanci që do u kthejë mendjen, por nuk duhet të harrojë protestat, nuk duhet të harrojë aksionin opozitar të trokitjes derë më derë të deputetëve dhe kujtdo që i intereson përmbysja e qeverisë. Nuk duhet të harrojë së pari votuesit e vet, mbështetësit e saj tek bizneset, tek kontribuesit financiarë që mbajnë në këmbë ekonominë, të mos harrojë kontribuesit në media, intelektualë të vendit që t’i nxisë e t’i afrojë në objektivin madhor, marrjen e pushtetit. Çdo gjë tjetër është dytësore dhe e tillë mbetet edhe nëse opozita mendon se me modele që nuk garantojnë ndjeshmërinë e masave mund t’i mbivendoset rolit të saj të përmbysjes së balancave të pushtetit dhe marrjes së tij. Shqipëria po ecën me ritëm në rrugën e zgjedhjeve të parakohshme. Nuk është thjesht një skenar apo dëshirë e dikujt, por një konstatim realist e racionalist për të shpëtuar qytetarët shqiptarë nga një mosqeverisje ekzemplare e gjoja rilindasve. Që një parti politike me gjithë koalicionin e saj të fitojë një shumicë votash si në 23 qershor të vitit 2013 apo të pretendojë se ka marrë krejt timonin e qeverisjes si në vitin 2017 nuk është as e padëgjuar dhe as e pandodhur në Shqipëri, por që këto vota, të deklaruara madje si “1 milionë shuplaka” ndaj kundërshtarit politik, të kthehen në po aq shuplaka ndaj vetvetes në 5 vjet të qeverisjes, kjo mund të klasifikohet gjithashtu si një realitet. Tashmë që PD si parti kryesore e opozitës ka përfunduar edhe procesin e Kuvendit të saj Kombëtar dhe rifreskimit të vetvetes duhet të shfaqi një frymëzim dhe objektiv të ri që nuk mund të jetë tjetër veçse rikthimi në pushtet. Dhe për këtë me shumë të drejtë lideri historik i demokratëve ka pohuar disa herë se nuk nevojitet që të presim mbarimin e mandatit të kësaj qeverie, pse jo do mendonin ata më të guximshmit, as kohën e zgjedhjeve vendore. Përmbysja e një qeverisjeje inekzistente dhe të padobishme është detyrë e çdo qytetari të lirë dhe për këtë nuk ka as formulë demokratike të kthyer në aksiomë dhe as kohë për të pritur. Të gjithë ata që mendojnë se zgjedhjet e parakohshme në Shqipëri janë skenar i ekzagjeruar i entusiazmit që duhet të përçojë Partia Demokratike apo anëtarët demokratë e kanë gabim. Kjo, sepse e para nuk ka asgjë të keqe që fryma e përmbysjes së një qeverie të shkaktojë entusiazëm tek mbështetësit e vet dhe e dyta kjo frymë duhet të shpërndahet dhe të mbahet gjallë sa më shumë të jetë e mundur. Nëse fryma e përmbysjes së qeverise del nga selia e demokratëve dhe shpërndahet kudo nëpër qytete dhe fshatra kjo mund të dëshpërojë vetëm pushtetarët apo përfaqësues të medias dhe shtypit të atashuar pranë mazhorancës. Është e padiskutueshme që ata do të mundohen të frenojnë, pengojnë dhe në fund të tentojnë të shuajnë këtë entusiazëm mbarëqytetar për ndryshim të qeverisjes së mashtrimit. Pushtetarët dhe ndihmësit e tyre mediatikë e dinë mirë se kur opozita rrethohet nga fryma entuziaste e publikut nuk mund ta ndalë asgjë nga objektivi i saj, ndaj edhe përpjekjet maksimale të propogandës qeveria i ka vënë në shërbim të shuarjes së flakës që mund të djegë qeverisjen. Opozita aktuale do duhet të kuptojë se shpirti entusiazt i mbështetësve të saj është një armë shumë efikase për të fituar përballjen me pushtetin kriminal. Pa këtë shpirt, përpjekjet e opozitës do të ishin të vakëta. Kur njerëzit kanë mbetur masivisht pa punë, kur bizneset janë shaluar me super taksa, kur çmimet e produkteve bazë të konsumit dhe energjia rriten, kur siguria është zero, kur varfëria po pushton me ritëm galopant territore dhe shtresa të tëra të popullsisë, atëhere nuk mund të ketë justifikime gjoja pacifiste për mosrrëzimin e qeverisë pasi ajo duhet të mbarojë mandatin. Në fakt ka patur më shumë kohë se çfarë i duhej realisht për të mbajtur disa premtime siç ishin ulja e taksave, rivendosja e rendit, lufta ndaj krimit dhe hapja e vendeve të punës. Nuk do të ishte e ndershme që të mos përmendnim edhe ato deklarata pompoze që u bënë në periudhën tetor-dhjetor 2013 nga vetë socialistët dhe Edi Rama se me buxhetin e vitit 2014 e në vazhdim do të merrnin fund problemet me pagesat ndaj shtresave nën nevojë dhe rimbursimi i bizneseve nga faturat e prapambetura gjoja të ish qeverisë së mëparshme. Helbete, për këto arsye u morën shumë borxhe të reja që janë publike duke mos përmendur shumë të tjera që i fshihen publikut. Por sigurisht që zhvillimet në terren konstatuan shumë shpejt se pagesat për shtresat në nevojë nuk u shpërndanë, dëmshpërblimet për të përndjekurit nuk u dhanë, rimbursimet për fermerët dhe ndërtuësit e rrugëve nuk u shpërndanë, çmimet dhe taksat kërcyen në nivele shumë të larta, ndërsa borxhi publik vetëm sa u rrit pasi të gjitha paratë e mbledhura nga taksat dhe tatimet apo nga sistemi doganor apo edhe borxhet e marra nga FMN dhe Banka Botërore u rishpërndanë në xhepat e pushtetarëve që mezi priten të merrnin postet ministrore që të mund të bënin dasmat dhe plackën që vitin e parë. Ndaj shumica e qytetarëve nëse do thirreshin sot para kutive të votimit do të rreshtoheshin qartazi në krah të opozitës. Përveç të gjitha sa thuhen më lart, zgjedhjet e parakohshme janë mundësia e vetme për këputjen e lidhjeve të këtij Parlamenti që kemi aktualisht të kultivuar nga Kryeministri Edi Rama me qëllim eleminimin e opozitës. Një marrëveshje politike mes palëve kryesore do duhej të përfshinte zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme për të shpëtuar demokracinë dhe sistemin e vlerave perëndimore që duam të jetojmë. Megjithatë një marrëveshje mes aktorëve kryesorë politikë duke caktuar një datë të qartë për zgjedhje të parakohshme parlamentare është lehtësim për neomarksistët shqiptarë, pasi një refuzim i zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme do të nxiste një reagim gjithnjë e më të fortë popullor që mund të çonte në një përmbysje të pavolitshme nga masat të qeverisë inekzistente të Tiranës. Dhe kjo përmbysje mund të jetë më afër se çfarë e imagjinojnë të gjithë ata “pacifistë” dhe “estetistë” që përpiqen të kurojnë mediatikisht fytyrën e lodhur të një shtrige plakë si kjo e qeverisë Rama.

Please follow and like us: