Albspirit

Media/News/Publishing

Serbia, 22 miliardë euro dëme të luftës në Kosovë

Mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit (1990-1999), thonë zyrtarë të qeverisë dhe analistë në Prishtinë.

Por, kompensimi për dëmet e luftës deri më tani nuk është diskutuar gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që është zhvilluar në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë futur në fazën finale të dialogut, në të cilën është paralajmëruar edhe arritja e një marrëveshjeje finale që do të nënkuptonte normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, ndërkaq sipas analistëve, në agjendën e bisedimeve duhet patjetër të diskutohet edhe për dëmet e luftës.

Edhe pse kjo çështje nuk është trajtuar në bisedimet në Bruksel, kjo temë ishte ngritur një herë në procesin e negociatave të Vjenës, që janë mbajtur para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, kjo temë qe mbyllur menjëherë, pasi pala serbe një kërkesë të tillë nuk e ka pranuar.

Muhamet Mustafa, nga Instituti “Riinvest”, ka qenë koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator në Vjenë.

Mustafa, tashme këshilltar i lartë në këtë institut, thotë se është kërkuar që kjo çështje të trajtohet edhe në bisedimet që janë zhvilluar në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në procesin e dialogut që ka filluar nga viti 2011.

Ai thotë se për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, nevojitet që Serbia të kompensojë dëmet e luftës.

“Ekipi i ekspertëve që kam udhëhequr unë në atë kohë, ka bërë një vlerësim të dëmeve të luftës për sektorë të ndryshëm, e që vlera ka arritur në mbi 22 miliardë euro. E tash natyrisht për t’u krijuar një pajtim, dhe për të parë që Serbia me të vërtet dëshiron që të lë prapa vetës politikën e (Sllobodan) Millosheviqit, ajo duhet të jetë e gatshme që të spastrojë llogaritë dhe dëmet ekonomike në pronën private dhe dëmet tjera që i ka shkaktuar Kosovës me qeverisjen e saj dhe luftën shfarosëse që ka zhvilluar ndaj shqiptarëve”./rel/

Please follow and like us: