Albspirit

Media/News/Publishing

Orjola Pampuri: Një vajzë tjetër e dhunuar, një shuplakë për të gjitha ne

 

 

Dora që i jep jetë, ushqen e rrit një krijesë njerëzore, është e paprekshme.

 

Edhe pse flasim kaq shumë, madje dhe me patetizëm, hartojmë e nënshkruajmë rezoluta, sërish dhuna ndaj vajzave dhe grave prevalon, madje në mënyrën më të shëmtuar, e veshur me petkun e pushtetit.

“Dora” e shëmtuar mbi to, është për të gjitha ne. Sot secila prej nesh “betejën” për barazi gjinore e nis nga vetja, për ta përcjellë më pas në shoqëri. Po në cilen shoqëri? Me cilët individë? Me ata të cilët ende sot vajzën e shohin si objekt shfrytëzimi e kënaqësie, për ta shfrytëzuar e për ta hedhur më pas, për ta dhunuar, diskriminuar e fatkeqësisht edhe duke e kërcënuar të heshtë. Të heshtë kundrejt këtij akti të shëmtuar, të heshtë përballë pushtetit, të heshtë përballë të shëmtuarit nga shpirti në trup.

Ti njeri i shëmtuar që ngre dorën mbi një vajzë, mbi një grua, nuk njeh nënën tënde sakrificat e saj për ty, nuk njeh motrën tënde dashurinë e dhimbshurinë saj për ty.

Ty nuk të bën njeri e njerëzor pushteti, madje ai të ndihmon të shpalosësh nevojën për t’iu përgjigjur instikteve, atyre instikteve që nuk arrite t’i mposhtësh duke kaluar etapat e zhvillimit në fëmijëri e adoleshencë. Dhuna e përdhunimi ndaj grave e vajzave, është përdhunim i gjithë shoqërisë.

Hartimi dhe zbatimi i legjislacionit përkatës, krijimi dhe forcimi i institucioneve mbështetëse, forcimi i sistemit të referimit, fuqizimi ekonomik, punësimi, i bën më të forta e kurajoze gratë për t’i thënë ‘Stop’ këtij fenomeni të shëmtuar.

Unë si nënë, si vajzë, si grua, si motër e si bashkëshorte e dënoj pa asnjë kompromis çdo akt të tillë.

Please follow and like us: