Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Paralele shqiptaro-amerikane me bamirësinë

 

 

 

Qe shfaqja e parë e sezonit final të Oprah Winfrey Show, programi më i ndjekur ditor në ShBA, i 19ti në listën e programeve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, me 47 Emmy Awards, ku bamirësia u shndërrua në lajtmotiv të rubrikave të shumta, që e përshkuan në çerek shekulli program. “E zonja e shtëpisë” do të deklaronte asokohe, se qe rasti i saj i fundit të bënte diçka të madhe. Në mes të studios shfaqet një kokë avioni dhe Oprah i komunikon 300 shikueseve më besnike të audiencës në studio se do të bëjnë një udhëtim falas për në Australi.

Veprimi i parë pas aktit bamirës qe publikimi për transparencë i kostove të udhëtimit e qëndrimit në Sydney, marrë përsipër i gjithi nga qeveria australiane në vlerën e 2 milionë dollarëve. Ministri australian i turizmit Martin Ferguson, doli publikisht të deklaronte çdo vlerë, çdo lëvizje dhe arsyet e udhëtimit: për të promovuar turizmin në Australi përmes një prej programeve më të ndjekur në botë.

Kujtojmë se programi qe markë e Oprah Winfrey, prodhim i saj, i gruas së famshme të biznesit, bamirëses dhe producentes, që nuk ka patur qëllime përfitimi nga produktet mbështetur përgjatë orëve të transmetimit.

Ndërkohë në Tiranë, kryeministri 5 vjeçar, i një vendi të varfër, pasi përuroi linjën e re ajrore Air Albania (ende në mungesë transparence mbi aftësinë e pronarëve për të përballuar këtë sipërmarrje), me pjesmarrje të shtetit shqiptar, ofron udhëtime surprizë për studentë, gazetarë e njerëz në nevojë si akt bamirësie e mirënjohjeje.

Por pa asnjë transparencë nga dalin këto fonde, sa kushtojnë këto udhëtime, kush paguan dhe nga xhepi i kujt?

Sidomos kur në bord janë njerëz në nevojë, që marrin ndihmë ekonomike dhe kryeministri i trajton si audienca e shfaqjes televizive të tij, mu bash si Oprah, duke u shfaqur producent e bamirës, mu bash si Oprah, duke vrarë mendjen çfarë surprize t’u bëj duartrokitësve besnikë të show-t të vet, mu bash si Oprah…por duke mos bërë asnjë transparencë si Oprah për ku e si gjeti paratë, kush financon dhe sa.

E pafalshme trajtimi i njerëzve si audiencë programi me surpriza, kur kryeministri është llogaridhënësi i parë për mirëqënien dhe mënyrën si shpenzohen taksat e tyre. Aq më e rëndë kur këta njerëz marrin ndihmë ekonomike dhe janë fytyra e dhimbjes, varfërisë e pamundësisë.

Kushdo i ka sugjeruar kryeministrit gjetjen brilante te Oprah-s për sezonin e saj final të programit televiziv më të ndjekur në Amerikë, t’i kujtojmë se Shqipëria nuk është dekori i një programi tekeviziv, kryeministri nuk është Oprah, shqiptarët nuk janë audienca e tij dhe se paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk janë para sponsorash. Po, ka një segment ku duhet të bëjë Oprah-n, transparenca se ku e si i përdor paratë, që i hyjnë sa nga buxheti e sa nga sponsorë zemërgjerë.

Please follow and like us: