Albspirit

Media/News/Publishing

Media-qeveri-prokurori, pushteti që doli lakuriq në rastin e Krujës

Media pranë pushtetit njoftojnë së fudmi se djali i deputetit të Krujës, Rrahman Raja, Rexhep Rraja, është arrestuar. Kërkesa për arrest është bërë nga prokurorja Mirela Kabo me akuzën e dhunës dhe përndjekjes ndaj shtetases Xhiseila Maloku. Një akt që duhet të kishte ndodhur në kushte normale proceduriale në muajin korrik, kur edhe është konsumuar ngjarja në fjalë, sipas denoncimit të shtetases Maloku, ndodh sot, pas presionit të madh politik dhe mediatik që ngërtheu këtë çështje.

Mbetet për të marrë konfirmim zyrtar ende, por lajmi në fjalë dhe nxitimi i mediave të qeverisë për ta përcjellë atë, dëshmon stresin e madh të pushtetit. Një ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se policia kishte bërë detyrën dhe se nuk kishte mbrojtur djalin e deputetit.

Por sa e vërtetë është kjo, kur në fakt tashmë kemi një situatë me një polic të arratisur dhe një akuzë të hapur ndaj drejtimit të policisë në Krujë?

Policia e Shtetit deklaroi se përgjegjësinë e ka Prokuroria, por sa e çliron kjo gjë qeverinë?

Prokurorja e Përgjithshme u zgjodh në mënyrë të njëanshme, ajo po vepron nën presion njësoj sin ë rastin e gjyqit të Shullazit ku pati largim të 10 prokurorëve.

Sa e dobishme është edhe mbrojtja që mediat pranë pushtetit bënë për këtë çështje, tani që shohim se raporti mjeko ligjor dhe veprimet e prokurorisë çojnë në pranga djalin e deputetit Rraja, ndërkohë që shtetasja Maloku u paraqit në një intervistë për të thënë se nuk kishte patur problemet që denoncoi muaj më parë.

Ngjarja në fjalë nxori në pah shumë gjëra që diheshin, por që nuk ishin manifestuar kaq lakuriq. Një pushtet që përfaqësohet nga njerëz që dhunojnë dhe mendojnë se kanë të drejtë mbi jetën e njerëzve. Një pushtet politik, një kryeministër që mbron dhe i mbulon ata, një polici që është e kapur sipas çifligjeve kriminale të segmenetëve të pushtetit, një prokurori që vepron kur i thonë dhe më keq, një media që bën avokatinë e të gjitha marrëzive duke provuar inkriminimin e vet të paktën moral.

Ky është pushteti i sotshëm në Shqipëri që duket qartë se ka humbur garën kryesore: atë të Fjalës dhe të besueshmërisë së çdo narrative./respublica/

Please follow and like us: