Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Alimani fiton Grand Prix në Varshavë

“Delegacioni” filmi me skenar të Artan Minarollit dhe regji të Bujar Alimanit është nderuar me Çmimin e Madh të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit 34 të Varshavës, i cili u mbylli siparin në kryeqytetin polak më 20 tetor. I krijuar në vitin 1985 dhe i bashkuar në vitin 2009 me elitën e festivaleve të njohura nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Producenteve FIAPF ,”Warsaw Film Festival” radhitet së bashku me festivalet më të rëndësishme si Cannes, Venice, Berlin, Locarno, San Sebastian, Karlovy Vary, Tokyo, Moscow, Mar del Plata, Montreal, Shanghai, Cairo, Goa, dhe Tallinn, të quajtura ndryshe edhe festivale të Kategorisë A. Skenari i filmit i vendos ngjarjet në vjeshtën e vitit 1990 në Shqipëri.

Shqipëria në atë kohë ishte akoma në fund të periudhës komuniste. “Në filmin “Delegacioni” publiku në atë që rrëfehet në historinë e tij do të gjejë marrëdhëniet e vështira njerëzore nën një sistem që manipulon të vërtetën”, do të shprehej regjisori Alimani. Në historinë e filmit gjejmë një delegacion i ardhur nga komuniteti evropian, kërkon të vijë në Shqipëri dhe kërkon të dijë për nivelin e të drejtave të njeriut. Personi që kryeson delegacionin, ka qenë shok i ngushtë shkolle diku në Pragë me një shqiptar.

Ky kryesues patjetër do të flasë me shokun e tij shqiptar, të cilit do ti besoj të vërtetën për këto të drejta apo shtypjen e demokracive në Shqipëri. E pikërisht këtë njeri, pra shokun e kryesuesit të delegacionit qeveria komuniste shqiptare asokohe, para qysh 17-të viteve e ka futur në burg politik në Shqipëri. Nga Ministria e Brendshme, shkon një makinë e sigurimit të shtetit për ta marrë nga burgu këtë njeri, duke e sjellë urgjentisht në Tiranë, që ti tregojë mikut të huaj që këtu çdo gjë shkon mbarë. Për regjisorin Alimani filmi përcjell mesazhe të forta. Në reagimin e tij regjisori shton se dhe sot shoqëria vuan pasojat e atij sistemi, që lamë pas, por këtë herë me një formë të re. “Filmi i vendos ngjarjet në vjeshtën e vitit 1990. Çfarë ka bërë diktatura dhe si u përgatit kasta e re e politikës shqiptare në vitet e tranzicionit? Kasta e re politike, që erdhi pas ’90 ishte pjellë e atij sistemi, që për mendimin tim vazhdon akoma dhe sot. Ne vuajmë dhe sot pasojat e asaj periudhe dhe asaj përgatitje që sistemi komunist bëri që të vazhdonte të udhëhiqte regjimi në një formë të re”, shprehej Alimani.

Filmi xhirimet i zhvilloi në Tiranë, Përmet, Leskovik, Ersekë dhe Burovë. Projekti i filmit ”Delegacioni” është financuar nga QKK, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, QKK, Qendra e Kinematografisë së Kosovës, Aide Aux Cinemas Du Monde, Eurimages- Council of Europe, ERT- Hellenic Broadcasting Corporation, Creative Europe – Media Programme of the European Union, Radio Televizioni Shqiptar, Greek Film Center.

Ky lajm i mirë sjell njëkohësisht në kujtesë iniciuesin dhe skenaristin e këtij filmi, regjisorin Artan Minarolli, i cili u nda nga jeta në hapat e para të këtij projekti. Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Ferri, Kasem Hoxha, Tristan Halilaj, Bislim Mucaj, Rovena Lule, Mirela Naska, Fatlume Bunjaku, Kristaq Skrami, Mehmet Xhelili, Armando Dauti, Ilirian Ali, Samuel Vargu, Denardo Neziri, Genc Minarolli, Avdullah Gjikokaj, Artan Selimi, Gjon Kola, Armend Smajli, Gani Morina, Lulzim Zejqa, Todi Llupi, Jorgaq Tushe, Drita Turkeshi, Ilira Turkeshi dhe Selman Lokaj, janë aktorët që regjisori Alimani iu ka besuar rolet në filmin “Delegacioni”.

Please follow and like us: