Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: FRYMËZIMI IM

Në një ditë të bukur vere, tek qëndroja i menduar,
Ëndrrat e mia të zjarrta, nëpër mendje rrotulluar,
Ëndërroja që të shkruaja, të botoja poezi,
Plot tregime dhe novela, për liri, për dashuri.

Porse koha ish mizore, ish e zymtë, ziliqare,
Ëndrrën time djaloshare, seç e dogji, shembi fare.
Ato poezit që shkrova, nuk më la t’i publikoja,
Bashkë me to edhe tregimet, në kujtesë regjistroja.

E tani rri i menduar, këto shkrime sjell ndërmend.
Për çudi s’i kam harruar, i ndjej gjallë përnjimend,
Ato rreshta, ato këngë, ndezën fantazinë time,
Me pasionin e pashoq, mbushur plot me frymëzime

Frymëzimi im i parë, frymëzim, ah, në rini,
Ëndrrën time përtëriti, vallë ju duket çudi?
S’jam shkrimtar e s’jam poet, dhe as që dua t’ia di
Shkruaj për ato që ndiej, për liri, për dashuri!

Vlorë, dhjetor 2010

Please follow and like us: