Albspirit

Media/News/Publishing

Irani kërcënon SHBA: Do mbyllim Ngushticën Hormuz

Presidenti iranian, Hassan Rohani ka kërcënuar sërish me mbyllje të Ngushticës Hormuz, përmes së cilës kalon gati një e treta e të gjithë naftës së tregtuar përmes detit. Televizioni shtetëror iranian, ka cituar Rohanin të ketë thënë se “nëse një ditë Shtetet e Bashkuara vendosin të bllokojnë eksportin e naftës së Iranit, nuk do të ketë më naftë të eksportuar nga Gjiri Persik”. Rohani po ashtu është zotuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të parandalojnë Iranin në eksportimin e naftës së saj të papërpunuar. Ai ka bërë kërcënime të ngjashme edhe pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka larguar SHBA-të nga marrëveshja bërthamore që ka nënshkruar Irani me fuqitë botërore. Kërcënimi i Rohanit për të bllokuar Ngushticën është mirëpritur nga iranianët e linjës së ashpër, duke përfshirë gjeneralin, Qassem Soleimani, që është komandant i një njësie në Gardën Revolucionare Islamike. Mirëpo përfaqësuesi amerikan në Iran, Brian Hook, ka hedhur poshtë kërcënimet e Rohanit, duke thënë se Teherani nuk kontrollon Ngushticën Hormuz. “Ngushtica gjendet në ujërat ndërkombëtarë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerët tanë për të siguruar lirinë e lëvizjes së mallrave në ujërat ndërkombëtarë”, është cituar të ketë thënë Hook, sipas agjencisë së lajmeve, Associated Press.

Please follow and like us: