Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: NXË DHE MOS E LËR T’IKË

 

(Lëvizja Pranverë e Re, Dhjetor 2018).

 

HYRJE

“NJË LËVIZJE E VËRTETË S’MUND TE DREJTOHET NGA NJË NJERI,

GRUP A PARTI, SE NDRYSHE S’ËSHTË MË E TË GJITHËVE”! E.A.

 

“Nuk do as mend e as kalem”, siç thoshim dikur për të kuptuar disa të vërteta të thjeshta. Se në të fundit asnjë pyetje kurreshtare për të gjetur rrënjët, diku thellë në një shoqëri të mefshtë, përgjumur nga pritja dhe frika, të çelë, pikërisht, ajo aq pak m’e pritura: lëvizja! Në këtë bonace vdekjeje, sigurisht në mungesë shprese, asgjë tjetër s’ka rëndësi, se sa të jetë, ashtu siç është se duhet të zgjasë, veten të rilindë në një formë të re, parreshtur. A s’është kjo pranverë? Në fillim të dimrit pranverë?

“…. gjithë betejat tona, sado të ndryshme s’janë vecçse një e njëjtë dhe me të ne mund dhe duhet të ndërtojmë lëvizjen e lëvizjeve… nëse do të jemi në gjendje ndonjëherë të paraqesin mundësitë për një shoqëri të lirë, q’është përfshirëse dhe e përgjegjëshme, e paanëshme dhe e drejtë.”* pat thënë një fare i panjohur, pa tituj akademikë, as intelektual elite, një artist i padëgjuar.

Lëvizja: ndryshimi, i vendndodhjes fizike, qëndrimit dhe gjendjes së brendëshme, është e pandalshme, pambarim. Ligj themeltar i natyrës.

Një tjetër e quajtur Khadijah, tha:

“Të shëmbim këtë gardh të padukshëm që s’i le njerëzit të punojnë bashkë… Asgjë s’do bëhet në këtë vend, për deri sa njerëzit s’do të mbështesin përpjekjet e njeri-tjetrit…Kjo ishte bukuria e lëvizjes Pushto. Ky ish dhe dështimi i saj.”**

Dhe shumë të tjerë, si ata, thanë të njëjtën gjë!

 

NE DHE HISTORIA E KOHËS SË RE

 

Dikur, atëhere fëmijë, më pastaj të rinj, i ndjemë të na kalonin pranë, nga larg i pamë të çelin, në mos të paktën si dëshirë, për botë më të mirë, lëvizjet e viteve 60-të dhe veçanërisht ato të viteve 70-të. Pjesëmarrës të vonë në ato të viteve 90-të, thekur në zhgënjimin e gjatë në hyrjen e këtij shekulli, të thinjur.

Lindën, siç lindi, si nga të gjitha arsyet objektive shoqërore, kriza ekonomike, plogështia politike, kundër të gjitha formave të “shtypjes” dhe të padrejtësisë biblike, që s’pret më një mesia/shpëtimtar ta ndreqë, sa dhe nga një tarifë, e pafytyrë, simbolike, që si gjethe e fundme e vjeshtës së zgjatur, e theu nën peshë, atë që s’mbante më. Nisi diku në një cep Parisi a në një rrethinë të skamur në Tiranë, ish po ajo.

Ngushtësisht e lidhur në përmbajtje dhe formë me gjitha ato paraardhëse dhe bashkëohëse, si Pushto Wall Street-in, Edhe Unë, Mjekësia si e Drejtë e Legjitime, 99 Përqind, Kontrolli i Armëve, lufta kundër supremacisë dhe nacionalsocializmit etj.

Shtrirja globale, përtej kufijsh shtetërorë, kombëtare, etnike apo shtresore, në të gjitha grupmoshat e shoqërisë, pavarësisht se ishin apo jo pasoja të një regjimi demokratik apo diktatorial.

Plotësisht dhe gjerësisht paqësore, larg dhunës e shkatërrimit, shtyn, (shtypur, por jo e shuar), për reforma të drejtëpërdrejta dhe të prekshme legjislative, me gjithë rezistencën e fshehtë dhe të hapur, minuese, gërryese dhe t’egër nga forcat konservatore.

Përdorimi i mas-medias dhe mungesa e një udhëheqje politike të mirëfilltë, me mbështetjen e gjërë që fillon nga pragu i shtëpisë deri tek vendi i punës, e bën thuajse të pamundur raprezaljen ndaj saj.

Arritja m’e madhe është një ndryshim në mendësi dhe ndërgjegjësim drejt një demokracie (“hyper-demokraci”, përtej votës së lirë) me të plotë, drejt një barazie më të prekëshme për nevojat më thelbësore të njeriut, që zë fill në “proçesin e bashkëndjesisë” (konsensin) mirëkuptimin, “veprimin e pavarur” dhe në “bashkëbisedimin e lirë”, duke besuar thellësisht, se “demokracia përfaqësuese s’ish aspak përfaqësuese e të gjithëve”.

Ç’u mësua nga e shkuara? Ç’dha dhe ç’humbi dhe pse? Si më poshtë:

Nuk është e nevojshme, madje është e papranueshme, që një grup i caktuar t’i bëjë të gjitha, nga udheheqja e lëvizjes tek ndikimi për ndryshim në parlament.

Vetëqeverisja me menyrat mbi-demokratike, me asambletë e tejzgjatura, me diskutimet pafund tregua se këto proçedura nuk garantojnë arritje demokratike, Shpesh bëjnë të kundërtën.

Ndryshimet në nivelin arsimor dhe përvojë ndikojnë në mbarëvajtjen e lëvizjes, se mbi të gjitha zvogëlojnë pjesëmarrjen e atyre që përgjithësisht janë lënë menjanë historikisht duke u bërë përsëri monopol i të përzgjedhurve.

Qarkullimi i vazhdueshëm në pjesëmarrjen aktive në asambletë apo “udhëheqjen” e lëvizjes, çon ë ndërprerjen e vazhdueshmerise së veprimit, çështjezgjidhjes dhe në të fundit, në apati, fajësim dhe përçarje.

Edhe pse:

Edhe kur lëvizja arrin të lidhet me të tjerat simotra, me organizata, sindikatat dhe institucione të ndryshme, është lufta për pushtet, përçarja, ajo që çon në fikjen e tyre. Garimi për shpërndarjen e burimeve mbështese dhe lufta për të përfituar më shumë, që çon në të njëjtin përfundim.

Si dhe tejshtrirja e saj në popullsi, e cila me frikën e humbjes së pashmangshme, që sjell një kundërpërgjigje të përqëndruar, të egër dhe të rafinuar nga forcat e rendit, k0orporatat oligarke financiare, të cilat me sulm ushtarak arrestimesh të panumërta në mesnatën e paqtë, që në fund, në emër të ligjit, u dhanë dërmën.

 

ITAKA QË DUHET TË MBËRRIJË. Ç’PRITET?

 

U desh 70 vjet luftë, që gratë të mund të votonin njëlloj si burrat.

Gjashtëdhjetë vjet për lëvizjen punëtore për të drejtat minimale të mbrojtura me ligj. Tridhjetë të tjerë, për të shëmbur segregacionin e popullsisë me ngjyrë, q’ende vazhdon, bashkë me atë të barazisë midis gjinive, apo grupeve më parë të përçmuara.

Do duhet të kapërcehen shumë peripeci dhe fatkeqësi si:

Ciklopët e stërmëdhej, që dhe me një sy, a pa fare, shqyejnë, që me mençuri i mundi Askushi!

Sirenat këngërreme, ndjellëse urie për pushtet, që mendjen ua morrën të mos mbërrinin ku ishin nisur, por thyer të binin në shkëmbijtë e thepisur nën ujë.

Pështjellën e Karibdit, që i vërtiti rreth vetes, pa mundur të shkuleshin prej saj dhe Scylles me katër sy dhe gjashtë kokë kuçedre, q’i gëlltiti pa kuptuar se ku dhe se si duhej të lundronin n’atë ngushticë plot tmerr!

Çirçen e helmtë, zanën e magjijshme q’i perçau me grykësinë e çdo njerit dhe paqen e plosgështë dehëse, kënaqesinë e arritjes, që tinëzisht i ktheu në derra të majmë, si njëzet dhjetore më parë.

Deri tek Pretenduesit e rinj, që të mirat dhe mbretërine e begatë donin t’i rrëmbenin pas lufte.

Dhe Itaka s’iku dhe as Penelopa e duruar me të.

Lëvizje e së Resë!

Levizje e ndryshimit ndaj “statu quo-së”, kundër institucioneve të vjetëruara, politikës së plakur, pandjeshmërisë së akulltë, ndaj atyre në fund të rreshtave humbin të rënë! Ndoshta klithmë e të shumtëve, q’u ngop tashmë, me premtime të rremta. Kudo, sepse është e gjithkujt. Se mezi pret të shpërthejë dhe here-herë të shfryjë trysninë që zjen në thellësi, nga një e çarë e parëndësishme, si gajzer do shpojë qiellin, me sytë drejt një drite dhe pse shpesh erdh e u largua, nuk u shua kurrë, mbet atje te arrihet, gjithmonë m’e bukur, para Nesh!

Ndërsa shumë të tjerë, si ata, bënë të njëjtën gjë!

Fotografia e Emil Asdurian

Please follow and like us: