Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Check in Edvin, check in!

 

 

Më thoshte ime më, mos pështy lart biro se të shëmbet fytyrës e mallkuara. Nuk e di nëse ia ka thënë edhe Edi Ramës, e tija, por edhe po t’ia ketë thënë, ka harxhuar frymën. Kjo i shkon për kokë tani, kur u lutet studentëve për dialog. E kam thënë shpesh që ne kemi memorie të vobekët, se, po t’i kthehemi kohës ky që kemi sot kryeministër vetëm dialogun nuk ka njohur. Rekordmeni i bojkotit, e faktuar, nga viti 2009 deri kur erdhi në pushtet. Dialogoi vetëm me mendjen e tij dhe strategët e shushunjizimit të vendit dhe ”reformatorët” e vjedhjes së votave, informalitetit, drogës etj. Dialogoi me kontigjentin e Fushë Krujës, Lezhës, Laçit, Kavajës, a Elbasanit. Një pjese ua bëri gropën, kurse pjesës tjetër, si atij pashait të Elbasanit a Durrësit, nuk ia doli dot. Pra katër vjet bojkot, katër vjet jo dialog e më the e të thashë. Bëjini vet llogaritë se sa ditë pune shqiptarët i kanë paguar një individi që nuk e njohu kurrë dialogun. Madje e shpërbleu duke i dhënë edhe postin e kryeministrit, sepse nuk kishte kapur shifrat me gjashtë numra nga mandati legjendar i kryebashkiakut. Kë? Një të punësuar të pa punë. Një që nuk njihte dialogun. Dhe në konferenca televizive, rrotullonte sytë, i pa rruar, me të vetmin postulat, të fala Sandrit. I vetmi kryeministër që situatës së frikshme në Vlorë, asaj të vrasjeve dhe zhdukjes së trupave, nuk ma bën zemra të them kufomave, në një tubim partie iu përvesh me zë të lartë duke thënë që kokat hëngërshin. Duan të vriten me njëri-tjetrin, le të vriten, ju çfarë keni. Eshtë kualiteti më i neveritshëm i një shtetari karshi shoqërisë të cilin nuk e meriton aspak një vend si Shqipëria. Një kualitet i tillë, i cili paralelisht po ha kokat mes vedi, po të kemi parasysh rastin Saimir Tahiri, dorëheqjen e ish Ministrit të Brendshëm Xhafajt, xhuxhin e Durrësit dhe pashain e Elbasanit. E pati shumë të lehtë me ata deputetët e Pukës dhe Lezhës. Me atë të Kavajës, por i ka ngecur sharra në gozhdë me xhuxhin dhe pashain. Një kryeministër që nuk do ta kuptojë se reformat dërdëllitëse janë refuzuar kategorikisht. Një kryeministër që kujton se ka opozitë vetëm Lulin dhe Monikën. Mëndjemadh dhe populist i cili nuk po lë shiringë pa përdorur për botime librash si Kurani dhe ekspozita personale në holle që karriera nuk ia ofroi. I vetmi që në këto 5 vite, 80% të energjive të politikës së jashtëme janë fokusuar në Ankara. Një gen homogjen me traditën neokomuniste të liderit të rajonit të lindjes duke shkuar ndesh me historinë dhimbshme të shqiptarëve .

Sot kërkon dialog…?! Një ironi e plotë e fatit! Një shuplakë…

Check in Edvin, check in… Bëji gati valixhet.

______

Dy fjalë studentëve! Kujdes me studiot televizive… qëndrojuni kërkesave tuaja dhe mos shpjegoni lart e poshtë se çfarë kërkoni. Nuk ka studio më të mirë se sa sheshi. Studiot janë po aq të shitura sa faktori politik. Një numër i tyre, i analistave shqiptarë, siç e kanë nisur, shumë shpejt do jenë imazhi i mishit pastërma. Kjo për shkak të rreshtimit, posedimit dhe bërjes palë me informalitetin. Shumë nga shqiptarët prej kohësh ishin futur në një pezmatim social, pasi nuk shikonin dhe nuk gjejnë një alternativë të besueshme tek opozitarizmi. Këtë e thonë edhe plot nga ju. Madje shumë syresh besonin në ca aleanca të mirëkalkuluara të rrotacionit tetëvjeçar të pushtetit. Ndaj protesta juaj dëshmoi rizgjmin, të kundërtën e mendjeve të fjetura, të budallepsura, të frikësuara nga pamundësia dhe rryshfeti. Ky rizgjim ju ka kthyer në lot shprese, besimi, duke ia kaluar edhe altarëve të shenjtë, ndaj natën, në të ftohtë, njerëzit u afrohen e u sjellin ushqime, batanije, zjarr. E kuptoni edhe ju sot se, ky kryeministër ishte i bindur në atë që ka opozitë vetëm Lulin dhe Monikën, pasi Metën e nxorri në pension duke e bërë president.

Ndaj mos u tërhiqni. Zbytheni…

Dhe diçka të fundit. Shumë të tjerë duan t’ju shohin si lëvizje më vete. Bëjeni… dhjetori tashmë ka një histori të mbarsur.

Bëjini se, më mirë një lëvizje e re, naive në mirësi, se sa derra të stazhionur të stanjacionit dhe shpërbërjes.

Please follow and like us: