Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Po ju a jeni shnosh

 

 

 

Eshtë bërë virale në internet një video ku një mesoburrë futet në mes të protestuesve shkodranë dhe lavdëron Edi Ramën. Thotë dy fjalë e ikën duke falënderuar. Kaq kisha, ju faleminderit. Dikush aty pyet gjindjen, po ky a është shnosh?

Dhe dihet më tutje, ca të qeshura. Për më tepër kur vinë nga ai humori i këndshëm e plot filozofi i Shkodrës. Sepse ashtu është vërtetë…, duhet të jesh anormal që të shkosh mes gjindjes, në natë e të ftohtë të lavdërosh Edi Ramën.

Tani kjo pyetje i shkon kaq për shtat situatës, sa pa asnjë gajle mund t’i drejtohemi edhe shoqërisë civile. Por në sensin e kundërt. Për shkak të një tërheqje a sehirbërje kolektive? Po ju, a jeni shnosh? A jeni në rregull që nuk dilni, po jeni tulatur pas tv-ve të pastërmave firmato. Pas kalendarit dhe veprimtarive të Champions League, sikur t’u vinë rrogat a gjithçka e domosdoshme nga rezultati i ndeshjeve të Juventusit a Realit. Jeni tulatur pas serialeve turke duke shikur me kënaqësi bëmat e Mehmet Pushtuesit a flirtet brenda llojit të Shtëpiakeve të dëshpëruara a Yllit të mëngjesit. Llogje që blihen me taksat tuaja ndërkohë që në gjithë hapësirën e lirisë tuaj, nuk gjen sikur 30 minuta një emision për një fermer a një sipërmarrës shqiptar. A jeni shnosh? A i keni të gjitha në vijë? Apo jeni familjarizuar tashmë me mospasjen, rryshfetin dhe skandalet vulgare mbi kompanitë fantazmë që fitojnë milionat tuaja. Dhe që një ministër e pranon me qetësi naive se deshi Zoti dhe ai nuk lëvroi këstin e parë. I dhatë miliona euro me shumicë ca vite më parë një çapkëni nga rrethinat e Miamit, për demontimin e armëve a pajisjeve të tjera ushtarake… Një farë Diveroli, ju kujtohet. E kam fjalën për Gërdecin…, janë paratë tuaja.

Dhe puna e këtij ministri me tenderin e radhës. A jeni shnosh dhe u duket normale që gjithë investimet në infrastrukturë, shëndetësi, shkencë etj., nga paratë tuaja. Se shteti nuk është fabrikë parash, nuk prodhon para. Ua merr juve…, shkojnë në of shore. Majmin buxhetin e një klase politike shushunjë. Kurse ju, kanë si dhuratë memoratoriumet e Migjenit… s’ka drita, s’ka ujë, s’ka të holla për doktor etj.

A jeni shnosh? Duke u mbrojtur mbas ca bindjeve idiote për hatër të një force politike. Të një lideri a ngjyrimi politik. Por nuk keni faj. U ka ngecur në fyt nga e djeshmja ideollogjike, partia është herezi. Nuk dilet në shesh e goditet me gurë.

A jeni shnosh që nuk pyesni një herë veten. Me ndërgjegje se, përse iu dhëmb. Përse jeni shitur aq kollaj dhe personaliteti juaj vlen vetëm një thes miell. A nuk ju trishtojnë ato kronika laboratorësh në universitetet tona. Ca relike kineze, të kohës… kushtet e botës së tretë. A e besoni se alarmate është vjedhja, padrejtësia. Dhe a pajtoheni që paguani ato tarifa për fëmijët tuaj. Ndërkohë që bota është ku është, kurse ne në nivelet e vendeve afrikane. A jeni shnosh? A e kuptoni se po flisni me vete. Dhe se keni arritur aty sa i gëzoheni më shumë milionave të fëmijëve të njëshave, se sa ardhmërisë së fëmijëve tuaj. Biles fëmijëve tuaj, u mblidhni supet, u thoni ato të zakonshmet, po kaq kemi, kaq dimë, kaq kështu e ashtu. Partia është flluskë sapuni, asgjë tjetër. Njëshat çibanë dhe shushunja. Ndaj ngrehuni e mbështesni ata djem e vajza. Nëse nuk e bëni për ata, bëjini për hallet dhe vuajtjet tuaja. Bëjini për vetveten. Bëjeni për vendin.

Please follow and like us: