Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-drejtori i Shërbimit sekret të Jugosllavisë dënohet me 30 vjet burg

Një Gjykatë në Kroaci e ka ndryshuar dënimin e përjetshëm me burg ndaj Josip Perkoviçit, ish-drejtor i Shërbimit të fshehtë jugosllav. Gjykata vendosi, që 73 vjeçari, Perkoviç të vuaj dënimin në Kroaci, pasi më parë ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga një Gjykatë në Mynchen të Gjermanisë lidhur me akuzat për vrasjen e migrantit politik, Stjepan Gjurekoviç në vitin 1983, në Gjermani. Për këtë vrasje, Gjykata pati dënuar edhe ish-zyrtarin tjetër të shërbimit të fshehtë të Kroacisë Zdravko Mustaç. Gjykata e shkallës së parë të Zagrebit, arriti në përfundimin se në çështjen e Perkoviçit duhet zbatuar ligji që është aktualisht në fuqi duke e shpallur dënimin maksimal prej 30 vitesh burgim. Mbrojtja e Perkoviçit argumentoi se në rastin e tij duhet zbatuar një dënim prej 20 vjetësh, i cili ishte dënimi më i lartë në kohën e vrasjes. Kroacia ekstradoi Perkoviçin dhe Mustaçin në Gjermani në vitin 2014. Perkoviç ishte agjent i shërbimit të fshehtë jugosllav në vitet 80-të. Pas shkatërrimit të Jugosllavisë, në vitet 90-të, ai kishte ndihmuar në krijimin e shërbimit të inteligjencës së pavarur të Kroacisë.

Please follow and like us: